Lista e personave që pretendohej se kishin bërë ‘diçka’, dëshmitari thotë se ka ardhur nga dikush që ishte pjesë e Shërbimit Sekret të ish-Jugosllavisë

Aktuale

Lista e personave që pretendohej se kishin bërë ‘diçka’, dëshmitari thotë se ka ardhur nga dikush që ishte pjesë e Shërbimit Sekret të ish-Jugosllavisë

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 16:04
Sadik Halitjaha

Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitarit Sadik Halitjaha iu prezantua nga trupi gjykues një provë materiale, ku ishte një listë me disa persona që siç u tha pretendohej se kishin bërë diçka. Halitjaha tha se kjo listë nuk dihet se ku është gjetur, por që për ata të cilëve emrat iu ishin shkruar aty, kishte fjalë të mira.

“Ulusi Badallaj, i cili ma ka dhuruar një xhip gjatë luftës. E kam mbajt deri në fund të luftës derisa është shkatërru nga forcat serbe. Xhemajli Shasivarin vetëm si emër e kam dëgju se nuk e di kush është. Gynerin ashtu e kam dëgju vetëm si emër, nuk e di kush është. Isuf Halimi prej Opoje as këtë nuk po e njoh. Kjo listë nuk e di ku është gjet. Ky shumë i mirë o me numrin 61, për mu është njeri më i miri. Akoma kemi raporte shumë të mira, gjallë është, nga ana e Zhurit”, tha dëshmitari.

Ai tha se kjo listë ka mundur që të dalë nga dikush që ka punuar në Shërbimin Sekret të ish-Jugosllavisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo listë që e pash më përpara dhe tani që shoh këta emra, sigurisht ka ardhur diku nga dikush që ka qenë në Shërbim Sekret të ish-Jugosllavisë apo polic dhe kështu hamendësova dhe ndoshta thash drejt që thash nga shërbimi Mulla Abazi ka mujtë me e ba për shkak se ka qenë polic i Jugosllavisë, në brigadën … ka qenë i kyçur ushtar, kështu e kam thënë”, tha Sadik Halitjaha.

Gjyqtari Guénawl Mettraux pyeti dëshmitarin se kush ka qenë përgjegjës në zonën e tij për pjesën e Zbulim Kundër-Zbulimit.

“E kam thënë me dhjetëra herë që nuk ka pas strukturë atëherë të Zbulim Kundër-zbulimit deri në vitin 1999. Nëse diçka të tillë kanë pru në komanda, kanë pru civilët nga fshatrat, por diçka të tillë nuk kam pa, kjo qenka në renditje të duhur dhe me shumë saktësi se kush ka qenë dhe nga ku ka ardhë. Domethënë, këtu shihet që është nga Opoja, Zhuri, është nga Dragashi, kështu me radhë”, tha dëshmitari Halitjaha.

Ndërsa, për persona që janë marrë në sektorin e ZKZ-së, dëshmitari tha se në zonën e tij nuk kanë pasur persona të emërtuar. Por, për një person me emrin Safet Krasniqi, dëshmitari tha se nuk e di se çfarë funksioni ka pasur.

“Si emër po. Në Brigadën 125, komandant e ka pas Nehat Bashën, se çfarë funksioni ka pas nuk e di”, tha dëshmitari..

Mettraux i tha dëshmitarit se kishte thënë se Safet Krasniqi ka qenë bashkëpunëtor me ZKZ-në.

“Emër i njohur për mua, mendimi im ka qenë se ka qenë me ZKZ-në, por ai ka qenë në strukturë, a ka qenë shef i Zbulim Kundër-Zbulimit, a zëvendës, se çka ka qenë roli nuk e di, sinqerisht nuk ia di. Veç e di që ka qenë në Brigadën 125 tek komandant Basha”, ishte përgjigja e Halitjahajt.

Ndërsa për Elbasan Shoshajn dhe Skender Berishën, dëshmitari tha se kanë qenë bashkëpunëtorë të ZKZ-së.

“I njoh dhe jam i bindur që kanë qenë bashkëpunëtor me ZKZ-në”, u shpreh ai.

Kurse, për një person të quajtur Ilaz Kadolli, dëshmitari tha se nuk ka qenë në këtë shërbim.

“Në Zbulim Kundër-Zbulim jo. Ka qenë një këshilltar juridik se e ka pas Fakultetin Juridik, nuk ka qenë Zbulim Kundër-Zbulim. E njoh Ilaz Kadollin, e kam njoftë edhe para lufte edhe pas lufte, tash nuk e di ku është”, tha dëshmitari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat