Dyshohet se u pagua 30 mijë euro për ta vrarë Liridonën, Granit Plava dhjetë vite më parë akuzohej për këtë vepër penale

Aktuale

Dyshohet se u pagua 30 mijë euro për ta vrarë Liridonën, Granit Plava dhjetë vite më parë akuzohej për këtë vepër penale

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 18:15
Granit Plava

30 mijë euro për të vrarë një grua. Kjo është shuma për të cilën Granit Plava dyshohet se kishte rënë dakord me Naim Murselin, për ta privuar nga jeta bashkëshorten e këtij të fundit, Liridona Ademajn. Planin e vrasjes së Liridonës, që i ngjan skenarëve të filmave krim/thriller, dyshohet se e zbatoi Graniti në mbrëmjen e 29 nëntorit. I maskuar dhe me revole në dorë, ai dyshohet se u doli në pritë Naimit që po drejtonte veturën, teksa në ulësen e pasagjerit qëndronte tashmë e ndjera, Liridona. Ndonëse u hoq si grabitës i armatosur në kërkim të gjësendeve me vlerë, Graniti iu turr Liridonës, ndaj të cilës dyshohet se shkrepi armën e zjarrit, duke e lënë të vdekur në vend. E, hisedarin në këtë histori, Naimin që po drejtonte veturën, ‘e la të ikte’ pa ferrë në këmbë, bashkë me fëmijët e tronditur, raporton sinjali.

Plava ra në prangat e Policisë as 48 orë pas ngjarjes së rëndë.

Kjo pasi ai nuk ia doli t’i fshihte mirë gjurmët e krimit që dyshohet se kreu, duke bërë kështu që njësitë policore shumë shpejt të reagojnë dhe të kapin të dyshuarit.

Në mesin e të arrestuarve është edhe vetë bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli dhe familjari i Naimit, Kushtrim Kokalla, të cilët tashmë ndodhen në paraburgim.

Por kush është Granit Plava dhe a kishte ai telashe me ligjin më parë?

Granit Plava nga fshati Cërmjan i komunës së Gjakovës, dhjetë vite më parë ishte përfshirë në një rast dhe dyshohej se kishte kryer veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Nga Prokuroria Themelore në Gjakovë kanë bërë me dije për Sinjalin se hetimet ndaj Plavës për këtë rast kishin nisur më 15 prill, ndërsa ndaj të njëjtit ishte ngritur aktakuzë më 14 maj të po të njëjtit vit.

“Ju njoftojë se bazuar në të dhënat tona rezulton që Granit Plava ka vetëm një rast penal e që ndërlidhet me veprën penale Lëndim i Rëndë Trupor të Nenit 189 par.1 të KPRK-së, ku për këtë çështje penale me dt.15.04.2013 kanë filluar hetimet dhe me dt.14.05.2013 është ngritur Aktakuzë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Sinjalin.

Ndonëse i ulur në bankën e të akuzuarit, Plava asnjëherë nuk është dënuar me aktgjykim të formës së prerë.

Të paktën kështu kanë njoftuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, të cilët kanë pohuar për Sinjalin se nuk figuron që ndaj të dyshuarit për vrasjen e Liridonës është shpallur aktgjykim dënues.

“Në bazë të regjistrave të Gjykatës Themelore në Gjakovë, lidhur me të kaluarën kriminale për personin në fjalë, nuk figuron që i njëjti është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Krejt çka dihet për vrasjen e Liridona Ademajt

Mbrëmjen e 29 nëntorit, i gjithë vendi u trondit nga ngjarja makabre ku viktimë ishte 30-vjeçarja, Liridona Ademaj. Rasti fillimisht u cilësua ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, kishin inskenuar ngjarjen që të paraqitet si grabitje e armatosur.

Naim Murseli që ishte në vendin e ngjarjes, u paraqit para Policisë si viktimë, duke pohuar se persona të armatosur u kanë dalë në pritë dhe u kanë kërkuar paratë dhe gjërat tjera me vlerë.

I njëjti pati pohuar se ka arritur që të ik që aty bashkë me fëmijët, teksa e ndjera Liridona, ka mbetur në veturë dhe më pas ka dëgjuar krismën e armës.

Naim Murseli u arrestua pak pas ceremonisë mortore të 30-vjeçares në fshatin Cërmjan, pasi i njëjti dyshohet se ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij dhe për këtë ka ofruar 30 mijë euro ‘shpërblim’ për dorasin.

Murseli dyshohet se ra në kontakt me Granit Plavën, përmes familjarit të tij, Kushtrim Kokalla, i cili shërbente në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kushtrim Kokalla është arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Marrëveshja për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Murseli i ka treguar Kokallës për problemet e tij në martesën me Liridonën dhe ky i fundit dyshohet të ketë ‘dalë vullnetar’ që ta ndihmojë në zgjidhjen e telasheve.

“Unë ta zgjidhi këtë punë”, dyshohet t’i ketë thënë Kokalla – Murselit dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar.

Sipas vendimit të Gjykatës, Kokalla bashkë me Naim Murselin, ishin takuar me Plavën në një pompë të derivateve. Në atë takim Plava i kishte garantuar dy të dyshuarit tjerë se ‘merret me gjithçka’.

E, pas këtij takimi, Murseli dyshohet se ka marrë numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili i kishte vënë në kontakt.

Të dielën, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Naim Murseli ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.

Granit Plava ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Kushtrim Kokalla ngarkohet me veprën penale ‘Marrëveshje për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.

Trupi i të ndjerës, Liridona Ademaj, dje u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan, për t’u përcjellë në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.

Kjo vrasje e rëndë ka tronditur qytetarët, shoqërinë civile dhe akterët e fushës së politikës, të cilët kanë reaguar ashpër duke kërkuar dënim maksimal për kryesit e veprës.

Në shenjë revolte, është paralajmëruar edhe protestë gjithëpopullore për sot në orën 18:00 në Prishtinë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat