Gjyqtarët s’e dënuan asnjë zyrtar me burgim efektiv për mosdeklarim të pasurisë

Aktuale

Gjyqtarët s’e dënuan asnjë zyrtar me burgim efektiv për mosdeklarim të pasurisë

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 13:55
Foto nga vendi i ngjarjes

Koalicioni i organizatave jo-qeveritare (IKD, FOL dhe INPO) kanë mbajtur konferencën “‘Amnistimi’ i mosdeklarimit të pasurisë”.Mosdeklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rremë i pasurisë, vazhdon të dënohet si kundërvatje, tha Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Ai tha se deri në vitin 2013, mosdeklarimi i pasurisë është trajtuar si kundërvajtje dhe është dënuar më gjobë. Mirëpo nga ky vit e tuje, veprat penale të “Mosdeklarimit të pasurisë dhe “Deklarimit të rremë të pasurisë”, janë inkriminuar si vepër penale.

Përkundër kësaj, Shala tha se IKD ka gjetur se për këto vepra penale ndonëse në procedura të ndryshme, efektet janë të njëjta.

“Ky inkriminim vazhdon në procedura të ndryshme, por me efekte të njëjta. Në asnjë rast askush nuk u dënua me burg, por vetëm me gjobë. Dënime më të ulëta se kur ka qenë si kundërvajtje”, tha Shala.

Kjo sipas tij, është pasojë e moszbatimit të ligjit dhe udhëzuesit të Gjykatës Supreme për praktikën ndëshkimore.

Hulumtuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Eranda Zekaj, theksoi se për veprën penale të mosdeklarimit të pasurisë kemi “dënime kundërvajtëse”.

Sipas saj, IKD me qëllim të krahasimit të dënimeve kundërvajtëse të shqiptuara në kohën kur mosdeklarimi i pasurisë ka qenë kundërvajtje me dënimet e shqiptuara për mosdeklarimin e pasurisë si vepër penale, ka zgjedhur në mënyrë rastësore për analizim 39 aktvendime nga Gjykatat Themelore, Divizioni i Kundërvajtjes lidhur me mosdeklarim të pasurisë nga personat zyrtarë, ku përfshihen 39 persona, duke i krahasuar kështu këto dënime me dënimet e shqiptuara gjatë vitit 2022, nga Gjykatat Themelore në Kosovë.

“Në bazë të vendimeve të shqiptuara nga Gjykatat lidhur me mosdeklarimin e pasurisë, inkriminimi i kësaj vepre penale ka humb kuptimin e saj, pasi që në praktikë mosdeklarimi nuk trajtohet si vepër penale, andaj vështirë mund të themi se në këtë mënyrë arrihet qëllimi i dënimit”.

“Nga 39 aktvendime të analizuara, dënimi më i lartë i shqiptuar, ishte 700 euro. Si dënim më i shpeshtë me gjobë i shqiptuar ishte ai prej 300 euro, që ndjekjet kështu dhe me rastet kur gjykatat kanë shqiptuar ‘qortim’”.

Ndërsa, sipas IKD-së situatë jo aq e ndryshme paraqitet edhe gjatë analizimit të 25 aktgjykimeve dënuese të Gjykatave Themelore në Kosovë, të publikuara gjatë vitit 2022. Kjo pasi që sipas hulumtueses Zekaj, në të gjitha rastet kur përcaktohet dënimi me gjobë ose me burgim Gjykatat shqiptuan dënim me gjobë derisa në rastet kur përcaktohet dënimi me gjobë dhe me burgim, gjykatat kanë shqiptuar dënim me gjobë dhe dënim me kusht.

Kurse, tha se në rastet kur kanë shqiptuar dënim me burgim efektiv, atë e shndërruan në dënim me gjobë. Kështu, si përfundim, përkundër inkriminimit të kësaj vepre si vepër penale, askush nuk u dënua me burgim efektiv.

“Është evidente fakti se çështja e vendosjes së lëndëve bie në diskrecionin e gjykatësve, por fakti se një numër i konsiderueshëm i rrethanave rënduese nuk merren parasysh edhe në rastet kur ekziston potencial i theksuar i këtyre rrethanave në rastet e mosdeklarimit apo deklarimit të rremë të pasurisë, ndikon që qëllimet e dënimit të mos arrihen dhe të krijohet kultura e pandëshkueshmërisë”.

Zekaj tha se me qëllim të identifikimit të politikës ndëshkimore të zbatuar në rastet e mosdeklarimit të pasurisë, IKD është fokusuar në analizimin e aktgjykimeve, përkatësisht 25 aktgjykime dënuese të shpallura gjatë vitit 2022 ndaj 26 personave në Gjykatat Themelore në Kosovë.

Sipas saj, aktgjykimet janë analizuar secili rast, sipas përcaktimeve të Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore dhe se analiza ka përfshirë përshtatshmërinë e dënimit, zbatimin e rrethanave lehtësuese dhe rënduese, injorimin e të njëjtave dhe zbatimin e metodës së Udhëzuesit për matjen e dënimit.

Zekaj tha se në vendime gjyqësore dallohet aplikimi më i lartë i rrethanave lehtësuese në krahasim me rrethanat rënduese.

Në mesin e 25 rasteve, në 16 prej tyre (64% të rasteve), tha se si rrethanë lehtësuese është aplikuar pranimi i fajësisë nga kryerësi i veprës penale, ndërsa në 11 raste tjera (44% të rasteve) është aplikuar rrethanë lehtësuese rënia ndesh me ligjin për herë të parë dhe pendimi apo keqardhja për veprën e kryer.

Përveç pendimit, Zekaj tha se gjykatat themelore si rrethanë lehtësuese kanë aplikuar gjithsej 9 herë (36% të rasteve) premtimin se i njëjti nuk do të përsërisë veprën e kryer dhe gjithsej në 7 raste (28%) sjelljen korrekte të pandehurit në gjykatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat