LDK-ja thonë se po e studiojnë draft-statutin e Asociacionit, ja çfarë thonë për ftesën e Presidentes

Aktuale

LDK-ja thonë se po e studiojnë draft-statutin e Asociacionit, ja çfarë thonë për ftesën e Presidentes

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 19:59
LDK

Bashkimi Evropian para një jave u ka dorëzuar partive politike opozitare edhe zyrtarisht draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim zyrtar për draft statutin.

Nënkryetari i këtij subjekti, Gazmend Muhaxheri ka thënë që ekspertët janë duke e studiuar draftin, dhe së shpejti do të dalin me vlerësim.

“Nuk e di ende a na ka ftu, nuk jam i informuar, edhe draft statutin e kemi marr por nuk e kemi pas hala në diskutim ne si kryesi. Unë nuk jam i informuar se a kemi jep apo s’kemi jep ende ndonjë koment, jemi duke e studiu, e di që ekspertët tonë që merren me këtë punë, dhe besoj që shumë shpejt do të dalim me një qëndrim”, deklaroi ai.

Pikërisht për këtë çështje, Muhaxheri tha që nesër do të mblidhet Kryesia.

“Ne nesër e kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, pastaj mblidhet kryesia”, deklaroi ai.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një prononcim për medie, ka thënë se do t’i ftojë për takim partitë opozitare që të diskutojë në lidhje me draft-statutin e Asociacionit.

Ajo tha se me ta do të diskutoj në lidhje me komentet dhe vlerësimet sa i përket këtij drafti dhe se të gjitha ato komente të inkorporohen në përmirësimin e këtij drafti.

“Tani për fund vite do t’i ftoj partitë opozitare për konsultime për këtë temë dhe shumë tema të tjera, që kanë të bëjnë me interesin nacional. Do t’i njoftoj edhe ata për çështjet që i kam identifikuar  edhe unë dhe kabineti im. Jam e bindur që përderisa e kemi qëllimi që të mos lejojmë ndonjë trup, i cili i shkakton probleme Kosovës atëherë do të kemi mundësi që të arrijmë atë nëpërmjet mekanizmave që ekzistojnë në Kosovë”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat