Drafti “misterioz” i Asociacionit, Stano tregon pse nuk po publikohet ende – jep këto detaje

Aktuale

Drafti “misterioz” i Asociacionit, Stano tregon pse nuk po publikohet ende – jep këto detaje

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 22:12
Zëdhënësi i Politikës së Jashtme dhe i Politikës së Sigurisë të BE-së, Peter Stano

Bashkimi Evropian nuk i publikon dokumentet zyrtare që janë duke u diskutuar.

Kështu tha zëdhënësi i Politikës së Jashtme dhe i Politikës së Sigurisë të BE-së, Peter Stano, kur u pyet nëse BE-ja do ta publikojë përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai thotë se drafti është në diskutim e sipër ndërsa ka kërkuar edhe nga palët e përfshira në negociata që të mos e publikojnë atë.

“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik pasi përpjekjet diplomatike janë duke vazhduar. Ne kurrë nuk i zbulojmë dokumentet zyrtare publikisht dhe as nuk marrim pjesë në shkëmbime publike për to, ndërkohë që ato diskutohen. Të njëjtën gjë presim edhe nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet”, deklaroi Stano për Klankosova.tv.

Ndër të tjera, ai kujtoi se propozimi i ri i balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave iu paraqit palëve, Kosovës dhe Serbisë, nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij në rajon në fund të muajit tetor dhe më pas u diskutua me të dyja palët gjatë takimit të liderëve në margjinat e Këshillit Evropian.

Kryeministri Albin Kurti, më 24 nëntor, tha se nuk është ai i cili duhet ta publikojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë, sipas tij, duhet të bëjë ndërmjetësi evropian.

Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (ShBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

“Tash i përket ndërmjetësit, i përket ndërmjetësit evropian që ta bëjë publik draftin dhe kjo është arsyeja pse unë nuk i bëj dot publike vërejtjet dhe kritikat e mia. Besoni që ka aktorë të ndryshëm që mezi presin unë të bëjë shkelje të procesit dhe procedurave dhe kjo do ta dëmtonte përfaqësimin e Republikës së Kosovës. Sa për mua, le ta publikojnë edhe draft-statutin, e kësisoj të hapet edhe rruga për të publikuar edhe ne vërejtjet e kritikat tona”, tha Kurti para gazetarëve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat