ZKA: Ushtrojmë mandatin kushtetues me standardet ndërkombëtare të auditimit

Aktuale

ZKA: Ushtrojmë mandatin kushtetues me standardet ndërkombëtare të auditimit

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 15:12
Foto ilustrim

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka reaguar ndaj një shkrimi të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në të cilin raportohet se ZKA, në kryerjen e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, ka ndërhyrë në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes një komunikate për medie, ka reaguar ndaj një shkrimi të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, me titull “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në Sistemin e Drejtësisë”, në të cilin raportohet për pretendime mbi kompetencat e ZKA-së në kryerjen e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, ku, sipas raportit të IKD-së, me ketë auditim, ZKA ka ndërhyrë në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

“Ju rikujtojmë se në gusht të këtij viti, ZKA ka publikuar raportin në fjalë të auditimit të performancës, i cili është trajtuar nga IKD. Objektivë e këtij auditimi ishte vlerësimi nëse institucionet përgjegjëse ndërmarrin aktivitetet e duhura për trajtimin efektiv të rasteve të dhunës në familje. Ndër institucionet përgjegjëse, në këtë auditim janë përfshirë edhe prokuroria themelore dhe gjykatat themelore”, thuhet në reagim.

Tutje, në reagimin e ZKA-së thuhet se raporti i IKD-së bazohet në një interpretim substancialisht të kufizuar të kornizës ligjore dhe të pabazuar në ndonjë vlerësim profesional të mbështetur në standarde që rregullojnë këtë fushë.

“ZKA-ja në komunikim me shkrim i është përgjigjur IKD-së, se nuk ka audituar performancën profesionale të gjykatave dhe prokurorive, respektivisht performancën e prokurorëve dhe gjyqtarëve që merren me rastet e dhunës në familje, siç pretendohet”, sqaron, mes tjerash, ZKA.

Më tej ZKA sqaron mandatin dhe kompetencat të bazuar në ligj dhe Kushtetutë.

“Mandati dhe kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit janë të rregulluara qartë me nenet 136, 137 dhe 138 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjin 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Auditori i Përgjithshëm ushtron mandatin e vet kushtetues dhe ligjor në pajtim edhe me Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit (SNISA)”, thuhet mes tjerash në reagimin e ZKA-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat