Willian Walker flet për Hill-in: Nuk po e ndihmon procesin e dialogut me deklaratat që po bën

Aktuale

Willian Walker flet për Hill-in: Nuk po e ndihmon procesin e dialogut me deklaratat që po bën

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 06:38
William Walker

Jo rrallë herë deklaratat për medie dhe shkrimet në platformën X të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, kanë nxitur reagime ne opinionin publik.

Diplomati i njohur amerikan së fundmi deklaroi se në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk po diskutohet njohja e ndërsjellë por normalizimi i marrëdhënieve mes palëve.

E këto deklarata të ambasadorit amerikan në Serbi, nuk po i vlerëson si të dobishme për paqen diplomati në pension, William Walker.

Walker në një intervistë të dhënë, ka ngritur edhe disa dyshime se përse Hilli e pranoi postin e ambasadorit në Serbi.

“Unë kam qenë kritik ndaj ambasadorit Christopher Hill, mendoj se ai nuk po e ndihmon procesin e dialogut me ato deklarata që po i bënë. Unë e kam kritikuar atë edhe për faktin se e ka pranuar postin e ambasadorit amerikan në Serbi pas një karriere shumë të bujshme me pozita më të larta. Ai u kthye nga pensionimi për ta pranuar këtë detyrë, prandaj e kam shumë të vështirë ta kuptoj arsyen. Deri më tani mund të them se ai nuk ka qenë i dobishëm për të krijuar paqe të qëndrueshme”, ka thënë Walker.

Walker thotë se nëse nuk ndëshkohet Serbia nga komuniteti ndërkombëtar për sulmin në Banjskë të Zveçanit, atëherë sipas tij veprime të tilla mund të përsëriten në të ardhmen. Ai i ka disa fjalë edhe shtimin e trupave te NATO-s në Kosovë.

“Mendoj se komuniteti ndërkombëtar nuk e ka dënuar mjaftueshëm Serbinë pas asaj çfarë ndodhi në Banjska, ku u sulmua Policia e Kosovës. Nuk mjafton vetëm t’i thuash disa fjalë kritike ndaj Serbisë, duhet ndërmarrë veprime konkrete dhe t’i vihen sanksione Beogradit. Qeveria e Serbisë nuk ka hequr akoma dorë nga veriu i Kosovës dhe ata sërish do të provokojnë në forma të tjera nëse nuk ndëshkohen seriozisht nga komuniteti ndërkombëtar. Ju nuk e zgjidhni problemin në veri vetëm duke shtuar numrin e trupave te NATO-s atje”, është shprehur ai.

Ish-ambasadori i OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker, ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian për mënyrën se si po e ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai thotë se palët nuk po trajtohen barabartë, duke nënvizuar masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Mënyra se si po ndërmjetëson Bashkimi Evropian dialogun mes Kosovës dhe Serbisë lë shumë të dëshiruar. Palët nuk po trajtohen barabartë. Fakti që Kosova është nën sanksione për mua nuk ka kuptim dhe këtë e kam thënë më parë. Për mua Kosova është një demokraci e shkëlqyer, madje është një shembull duke konsideruar se sa shtet i ri është dhe çfarë vlera demokratike përfaqëson. Bashkimi Evropian po heziton t’i hapë krahët për Kosovën dhe ky është një realitet i hidhur”, shtoi diplomati i njohur amerikan.

Nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar se nuk ka vend në familjen evropiane nëse Kosova dhe Serbia nuk i normalizojnë plotësisht marrëdhëniet me njëra tjetrën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbia në asnjë rrethanë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, dhe se nuk ka forcë që bind atë të ndryshojë qëndrim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat