​Tahiri: Qeveria nuk ka arritur ta shpenzojë buxhetin për investime totale

Aktuale

​Tahiri: Qeveria nuk ka arritur ta shpenzojë buxhetin për investime totale

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 15:25
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka shprehur shqetësimin mbi koston e rënduar të jetesës si pasojë e inflacionit dhe shtrenjtimit të artikujve ushqimorë duke thënë se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për tejkalimin e gjendjes dhe se subvencionet janë vetëm një zgjidhje afatshkurtër.

Ai në një konferencë për media ka thënë se të punësuarit në sektorin publik dhe privat me pagat e tanishme janë shndërruar në një kategori të shoqërisë me probleme të mbijetesës.

Tahiri: Po cenohet standardi i jetës

“Dikush që e ka një pagë 600 euro nuk ka mundësi të përfundojë muajin, pasi të dhënat e analizës sonë, tregojnë se 80 për qind e njerëzve që kanë pagë mbi 600 euro janë me obligime kryesisht me kredi të ndryshme. Ajo që iu ka mbetur si buxhet është e pamundur për të jetuar. Inflacioni, rritja e energjisë elektrike, rritja e secilit artikull ushqimor është duke e cenuar standardin e jetës dhe të ekonomive familjare, si dhe është duke ndikuar në rritjen e kostos së secilit prodhim. Nuk ka asnjë lehtësim, paratë që janë të dedikuara për subvencione janë para elektorale që e zgjedhin një problem të shkurtë”, ka thënë Tahiri.

Për më tepër, Tahiri i është referuar analizës së Institutit GAP për buxhetin, ku nga gjithsej 859.2 milionë euro sa janë planifikuar për shpenzime kapitale për vitin 2024, rreth 83 për qind e tyre janë vazhdim i projekteve dhe vetëm 17 për qind janë të planifikuara për projekte të reja kapitale.

Tahiri: Qeveria nuk ka arritur ta shpenzojë buxhetin për investime totale

“Shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale - pra ne jemi duke folur për investim të parasë sonë - mbetet më e ulëta në histori me 60 për qind që ka qenë në vitin 2022 dhe paramendoni 35 për qind deri në shtator të vitit 2023, që nënkupton se për këta dy vjet 2022-2023, Qeveria 100 për qind nuk ka arritur ta shpenzojë buxhetin që ka pasur për investime totale”, ka thënë Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat