Kryetari i komunës së Leposaviçit vazhdon të jetë i bllokuar nga tensionet në veri të Kosovës

Aktuale

Kryetari i komunës së Leposaviçit vazhdon të jetë i bllokuar nga tensionet në veri të Kosovës

Më: 11 dhjetor 2023 Në ora: 17:54
Lulzim Hetemi, Kryetar i Komunës së Leposaviçit

Kryebashkiaku i një qytetit të vogël të Kosovës, që kundërshtohet nga shumica e banorëve në komunën e tij, vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të tensioneve mes shqiptarëve dhe serbëve, të cilat u shndërruan në dhunë sporadike këtë vit. Lulzim Hetemi, kryetar i komunës së Leposaviçit në veri të Kosovës, ka jetuar dhe fjetur në zyrën e tij që pas zgjedhjeve komunale të prillit, i ruajtur nga trupat e NATO-s dhe policia speciale e Kosovës.


Lulzim Hetemi, një bletërritës, u zgjodh me vetëm 100 vota në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, që janë pakicë në Kosovë, por që përbëjnë më shumë se 97 për qind të popullsisë në Leposaviç.

Trazirat në veri u intensifikuan pasi kryetarët shqiptarë morën detyrën në zonat me shumicë serbe, një veprim që nxiti Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të dënonin veprimet e Prishtinës. Popullsia serbe i bojkotoi zgjedhjet, në katër komuna veriore për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështjen e targave të makinave.

Menjëherë pasi zoti Hetemi bëri betimin, ai tha se protestuesit e dhunshëm serbë rrethuan zyrën e tij duke i kërkuar që të largohej. Zoti Hetemi nuk ka pranuar të largohet dhe thotë se ka qëndruar në ndërtesë që nga 29 maji pa u kthyer në shtëpinë e tij për asnjë ditë.

“Kush ka qejf me fjetë në zyrë, në karrige? Në fillim kemi patur mbrojtje të afërt nga policia speciale e Kosovës. Gjendja ka qenë shumë e tensionuar. Askush nuk dëshiron të rrijë nga qejfi larg familjes dhe larg fëmijëve. Kjo është bërë vetëm nga dashuria për atdheun dhe për shtrirjen e sovranitetit”, thotë ai.

Zoti Hetemi gjeti një shtrat për të zëvendësuar karriget dhe tani fle në një dhomë ngjitur me zyrën e tij, ku takohet me të dërguar ndërkombëtarë dhe zyrtarë të NATO-s, të cilët po përpiqen të parandalojnë çdo veprim të dhunshëm dhe të gjejnë një zgjidhje për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Ai thotë se është i gatshëm të heqë dorë nga mandati i tij kur të shpallen zgjedhjet e reja, por ende nuk ka marrëveshje për këtë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Kur kandidova për kryetar të komunës, ne nuk e dinimi që serbët do të tërhiqeshin dhe do të bënin një manovrim që nuk ia vlente as për ata. Por, tani jemi aty ku jemi. Nëse qytetari serb del në zgjedhje dhe punon për shtetin e Kosovës, me simbole të Kosovës, normalisht që ne jemi këtu të përkohshëm. Ne e dimë këtë. Kjo nuk është fare problem.”

Zoti Hetemi thotë se ka qenë i kujdesshëm që të mos prekë asgjë që i përkiste administratës së mëparshme, përfshirë disa dhjetëra shishe me pije alkoolike.

“Kemi gjetur disa gjëra këtu, përfshirë këtë pikturë fetare. Nuk do ta shkatërrojmë. Kur të kthehen, do ta gjejnë pikturën këtu.”

Zoti Hetemi kujton një bisedë që pati me disa ushtarë amerikanë të KFOR-it, të cilët e pyetën nëse ai dëshironte të vizitonte familjen e tij në fundjavë.

“Kurrë nuk do ta harroj. Më kujtohet në një të premte erdhën disa ushtarë amerikanë të KFOR-it dhe me pyetën: ‘kur do ta vizitoni familjen për një fundjavë?’ Unë u thashë atyre se do ta bëja këtë nëse ata do të më jepnin garanci që unë mund të kthehesha në punë të hënën në ora 8. Ata më thanë: ‘nuk mund t’ju garantojmë këtë.’ Atëherë unë thashë nuk mund të shkoj. Më falni. Kështu ka qenë.”

Shumica e personelit civil në komunën e Leposaviçit, me të cilët zoti Hetemi komnunikon dhe punon, janë banorë serbë.

“Kemi një staf me 76 punonjës civilë. Të gjithë janë sërbë përveç pesë ose gjashtë udhëheqësve të drejtorive, që janë shqiptarë”.

Ndonëse Kosova shpalli pavarsinë para 15 vjetësh, 50000 banorët serbë në veri e kundështojnë shtetin e Kosovës dhe shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat