​Bislimi: Po rritet përkrahja financiare për Luginën e Preshevës

Aktuale

​Bislimi: Po rritet përkrahja financiare për Luginën e Preshevës

Më: 11 dhjetor 2023 Në ora: 18:20
Foto nga takimi

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiun, ku është diskutuar për shqetësimet e nevojat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, diskriminimin sistematik që i bëhet atyre nga institucionet qendrore e lokale të Serbisë, sidomos në fushën e arsimit dhe në lidhje me pasivizimin e adresave.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Luginën e të gjithë shqiptarët atje, vijon e palëkundur.

Sipas një komunikate të Qeverisë, përkrahja financiare në buxhetin e vitit të ardhshëm po rritet tutje për Luginën e Preshevës, e ku tashmë do të ndahen 3 milionë euro.

“Fondet për mbështetje financiare në dy vitet e fundit janë vënë në funksion të ruajtjes së kulturës e identitetit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, thuhet në komunikatë.

Në takim, zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej nga këshilltari politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ragmi Mustafi, ndërsa kryetari Lutfiu, shoqërohej nga nënkryetari i tij, Enkel Rexhepi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat