Fushata në Serbi, Musliu: A do të përmbyset Vuçiqi së bashku me Radoiçiqin?

Aktuale

Fushata në Serbi, Musliu: A do të përmbyset Vuçiqi së bashku me Radoiçiqin?

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 10:20
Agim Musliu

Drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Serbi në një analizë për situatën atje thekson se vetëm pas demokratizimi të Serbisë do të ketë paqe të mirëfilltë në rajon dhe pa Aleksandar Vuçin.

Musliu në një postim të gjatë në Facebook shkruan se në Serbi ditët e zgjedhjeve dinë të bëhen spaktakolare dhe sipas drejtorit të Octopus-it, Vuçiqi nuk do ta sundojë edhe gjatë Serbinë.

Lexoni të plotë postimin e njohësit të sigurisë:

Fushata në Serbi: A do të përmbyset Vuçiqi së bashku me Radoiçiqin?

Zgjedhjet e kësaj të diele në Serbi do të përcaktojnë nëse partia e, tashmë autokratit, Aleksandar Vuçiq do të vazhdojë ta qeverisë Serbinë. Megjithëse Serbinë e ka ngulfatur krimi i organizuar dhe sundimi i bandave kriminale të Vuçiqit ua ka mbushur kupën qytetarëve serbë, shqelmin e fundit shumicës së pushteteve në Serbi ua kanë dhënë serbët e Kosovës.

Shumë njohës, kanë thënë se Vuçiq po e humb mbështetjen në popull. Disa deklarojnë se, në Beograd, kjo çështje tashmë është e kryer.

E udhëhequr nga Vuçiqi që pothuajse 12 vjet, Serbia ka arritur që të krijojë klane të reja mafioze, por të ngjashme me ato të Millosheviqit. Për më keq se kaq, gjersa Millosheviqi vetëm i vriste kundërshtarët politikë dhe i varroste diku në parqet e Beogradit (Ivan Stambolliq), klanet e kriminelëve të afërt me Vuçiqin, gjurmët e rivalëve të vrarë, janë siguruar që t’i fshehin edhe më mirë – t’i bluajnë sikurse mishin për ngrënie (rasti i Belivukut).

Aleksandar Vuçiq, është përpjekur që ta rrisë retorikën malinje ndaj Kosovës, dhe ia ka dalë që ta mashtrojë edhe popullin serb, e edhe Perëndimin, duke deeskaluar situatat në veri të Kosovës pas eskalimeve që i shkaktonte vet. Kështu ai paraqitej në njërën anë një patriot tek serbët, dhe një paqedashës te burokratët e Bashkimit Evropian.

Kosova ka qenë fjala kryesore e tij gjatë pushtetit të tij të deritashëm. Çdo pushtet serb, edhe ky i Vuçiqit, e ka përdorur Kosovën për ta rritur sentimenin nacionalist në mes të votuesve shumicë në Serbi. Ç’është e vërteta, një sasi jo të pakët të votave e kanë marrë edhe nga Kosova. Të gjithën duke e keqpërdorur – vjedhje industriale e votave.

Mirëpo, 5 ditë para zgjedhjeve në Serbi, në rrjetet sociale ruse, serbët e Kosovës, e për më shumë serbët e veriut të Kosovës, kanë filluar t’i botojnë të fshehtat e manipulimeve që Vuçiqi ua ka bërë atyre.

E gjithë kjo pas dështimit të okupimit të veriut të Kosovës, më 24 shtator në Banjskë.

Për këtë pretendim të dështuar të Serbisë, dikush duhet të paguajë. Politikisht, përgjegjëse e gjithë kësaj është maja e pushtetit në Serbi – Vuçiqi. Megjithëse, deri në zbatimin e pushtimit të dështuar në terren kishte hallka të tjera, përgjegjës për zbatimin e pushtimit të veriut ishte terroristi Milan Radoiçiq.

Tash kur Radoiçiq, ka hyrë në listë të zezë të SHBA dhe të Britanisë, dhe pas ngritjes së një aktakuze nga drejtësia kosovare, si dhe së fundmi kur emri i tij gjendet në “red notice” të Interpolit, gjërat kanë filluar të nxehen.

Faqja serbe në telegram, e quajtur “patriotizamsrb”, po shfaq zemërimin e thellë të kriminelëve të veriut të Kosovës me, siç e quajnë ata “tradhëtinë e Vuçiqit”.

Duke e vërejtur se po përmbyset, Radoiçiqi si duket nuk do ta lëshojë dorën e Vuçiqit.

Nuk dihet saktë se cilët janë aktorët e kësaj përplasjeje. Cilën anë e mban shërbimi sekret dhe cilën anë e mban kisha. Por, një gjë dihet – edhe shërbimet sekrete serbe, e edhe klerikët fetarë në Serbi janë të përçarë.

“Patriotizamsrb” thotë se,  “pas masakrave të tmerrshme në shkollën fillore Vladislav Ribnikar dhe Mlladenovc, ku u vranë dhjetëra fëmijë e të rinj serbë, nis operacioni i dorëzimit të armëve. Ky veprim përbën bazën për gatishmërinë e ardhshme të grupit serb. Shumica e armëve, u transferuan me sukses përmes Milan Radoiçiqit në veri të Kosovës. Këto veprime strategjike synojnë të forcojnë pozitën e grupit”.

Mirëpo, kjo sikur e shfajëson Vuçiqin, sepse terroristët që provuan ta okupojnë veriun e Kosovës, kishin ushtruar në poligone të ushtrisë serbë në Serbi, gjë që e bën përgjegjës direkt Vuçiqin.

Duke analizuar zhvillimet e fundit në telegram, vërehet edhe një paranojë në mes të grupeve që akuzojnë njëra-tjetrën për tradhti.

Aty thuhet se shërbimi sekret serb e ka ditur se Radoiçiqi do ta sulmonte Kosovën, porse shërbimi sekret britanik i ka tradhtuar ata, duke treguar për planet.

Është e vërtetë se Kosova ka pasur informacione paraprake për përgatitjen e një sulmi të tillë të Serbisë në Kosovë. Dhe këtë e ka marrë nga resurset e veta informtive – AKI dhe Policia e Kosovës. Jo se Kosova nuk ka bashkëpunim me shërbimet perëndimore, por sepse Kosova ka dëshmuar se ka burime të informacionit edhe në mes të strukturave të sigurisë në Serbi.

Zgjedhjet e kësaj së diele në Serbi do ta përcaktojnë qartë nëse partia e kriminalizuar e Vuçiqit do t’i fitojë shumicën e ulëseve në Parlamentin e Serbisë.

Në Serbi ditët e zgjedhjeve dinë të bëhen spaktakolare. Vuçiqi nuk do ta sundojë edhe gjatë Serbinë. Janë të lidhur fort për duarsh me Radoiçiqin. Megjithëse së bashku mund të sundojnë më gjatë, kur të përmbysen do të përmbysen që të dy.

Ndoshta atëherë Perëndimi do ta shohë qartë Serbinë. Ballkani Perëndimor dhe vet qytetarët e Serbisë meritojnë stabilitet të qëndrueshëm. Nuk mund të ledhatohet një njeri si Vuçiqi. Ai nuk është asgjë më shumë sesa një pasardhës i Millosheviqit. Këtë e di shumë mirë edhe ambasadori Christopher Hill, i cili e njeh mirë Vuçiqin, ashtu siç e ka njohur Sllobodan Millosheviqin.

Vetëm pas demokratizimi të Serbisë do të ketë paqe të mirëfilltë në rajon. Pa Vuçiqin!. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat