Zyba tregon obligimet ligjore të kryetarëve të ardhshëm në veri

Aktuale

Zyba tregon obligimet ligjore të kryetarëve të ardhshëm në veri

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 20:20
Salih Zyba

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka komentuar obligimet ligjore të kryetarëve të ardhshëm në katër komunat veriore të Kosovës.

I pyetur se a do të vazhdojë të qëndrojë flamuri i Kosovës në atë pjesë të vendit, Zyba deklaroi se do të ketë përballje me ligjin për këdo që nuk e vazhdon rrugën e njëjtë të kryetarëve aktualë.

“Nënkupton që një mundësi dhe obligim i ndërlidhur me pushtetin dhe premtimet e fushatës, duhet të jenë reale e jo ambicioze. Njëri nga kryetarët e ardhshëm mund të ketë bojkote, por interpretimet dhe masat ligjore mund të jenë penalizuese për këdo që vjen. Në momentin që bëjnë tejkalime dhe shkelje ligjore, procedohen në Gjykata, ato pastaj nxjerrin verdiktin e tyre. Në momentin që e marrin besimin e qytetarëve dhe vullnetin si procedurë aktive, do të kenë edhe obligime. Nga kjo qeverisje, me procesin e zgjedhjeve dhe me procedurat strikte, e obligimet ligjore, është krijuar një situatë e re në veri. Do të ketë përballje me ligjin kushdo që nuk i vazhdon këto rrugë të këtyre katër kryetarëve aktualë”, deklaroi Zyba në emisionin “Ditari”.

Më tej, Zyba tha se secili nga kryetarët e ardhshëm, është i vetëdijshëm që këto interpretime ligjore janë edhe për ata që vijnë.

“Kushdo që futet në garë për pushtet atje për qeverisje lokale, e ka vetëdijen personale, por edhe interpretimin dhe obligimet ligjore për ata persona që do të jenë në të ardhmen”, theksoi tutje Zyba në Tëvë1.

Kujtojmë se kryetarët shqiptarë morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj, por popullata vendase serbe, që i bojkotoi zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranon.

Vendet perëndimore dhe Bashkimi Evropian kërkuan nga Kosova organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat Qeveria e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti, i pranoi, por me kusht që kryetarët aktualë të zëvendësohen vetëm në bazë të ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat