Marrëveshja për rrymën/ Lekaj: Ka të panjohura, nuk e dimë se si do të faturohen shqiptarët në veri

Aktuale

Marrëveshja për rrymën/ Lekaj: Ka të panjohura, nuk e dimë se si do të faturohen shqiptarët në veri

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 09:49
Pal Lekaj

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj po e sheh si të paqartë marrëvshjen që është arritur për rrymën në vëri.

Ai ka thënë se ka shumë gjëra që ende si opozitë nuk janë të informuar, duke përfshirë këtu faturimin e rrymës edhe për shqiptarët në veri të Republikës.

“Ka shumë të panjohura në këtë temë. E para ne fatkeqësisht nuk e dijmë çfarë marrëveshje janë arritur nga Qeveria e Kosovës me atë të Serbisë, e dyta nuk ka siguri dhe nuk dihet për afatin kohor se kur do të fillojë zbatueshmëria e marrëveshjeve për faturimin e komunave veriore, e treta është konfuze çështja e pronësive dhe infrastrukturës së sistemit të energjisë, e katërta nuk dihet se çka do të ndodhë me shqiptarët dhe si do të faturohen ata që jetojnë në komunat veriore, e pesta në këtë marrëveshje duhet edhe një dakordancë edhe me opozitën e spektrin politik, sepse është temë që duhet të shtyhet edhe me forcën politike të dy palëve”, tha ai.

Si anëtar i Komisionit për Ekonomi, Lekaj e konsideron fatkeqësi që nuk janë ftuar opozita për të diskutuar për marrëveshjet që kanë të bëjnë me Serbinë.

“Është fat i keq, që edhe në këtë temë mungon ftesa e Pushtetit për Opozitën që të diskutohen e arrihen marrëveshje për temat e mëdha në raport me Serbinë”, u shpreh ai.

Për arritjen e kësaj marrëveshjeje, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se nënkupton një hap drejt normalizimit të furnizimit me energji elektrike në katër komuna në veri, por edhe pagesës së faturave.

“Elektrosever” është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë – EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Kjo kompani është paraparë të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës, pjesë e banuar me shumicë serbe.

Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor 2022.

Ndryshe, Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut nuk i kanë paguar faturat për energjinë e konsumuar që nga viti 1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat