​Kritikat për favorizim të komunave që udhëhiqen nga LVV-ja, Murati: Është dezinformatë

Aktuale

​Kritikat për favorizim të komunave që udhëhiqen nga LVV-ja, Murati: Është dezinformatë

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 14:36
Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka quajtur dezinformatë raportin e Institutit GAP, ku kritikohet pushteti se ka ndarë më shumë mjete për komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në konferencë për medie tha se komunat kurrë më shumë s’kanë pasur buxhet sesa në mandatin e tyre.

Murati nënvizoi se në raportin e Institutit GAP bëhet fjalë vetëm për 13 milionë nga 860 milionë euro investime kapitale.

Murati: Komunat kurrë më shumë buxhet s’kanë pasur sesa në qeverinë Kurti

“Kjo është e pavërtetë. Nëse qëllimi i atij raporti ka qenë dezinformomi i qytetarëve mund të themi që ia kanë arrit të dezinformojnë qytetarin, pasi kemi qytetarë të dezinformuar nga ai raport. Si bëhet ndarja buxhetore tani? Buxheti është i dedikuar për komunat siç i kemi prezantuar në grafikona, mund të shoh se për komunat janë 745 milionë euro buxhet i ndarë. Kjo ndarje përcaktohet në bazë të formulës për kokë banori, për numër të nxënësve por edhe për persona mbi moshën 65 vjeç. Pra janë 745 milionë euro nga të cilat 645 milionë euro janë grant qeveritar dhe vetëm 100 milionë euro janë të hyra vetanake të komunave... Është e pavërtetë se ka dallim apo favorizim të komunave. Ajo çka është prezantuar në atë raport dhe po tentohet të pasqyrohet edhe nga opozita bëhet fjalë për 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Investimet janë 860 milionë euro, ndërsa raporti që pasqyron në atë tabelë është vetëm 1.5 për qind e buxhetit. Pra 98 për qind të buxhetit nuk e trajton ai raport, i cili ndahet në baza të barabarta dhe të drejta”, tha ai.

Krahas kësaj, Murati dha detaje edhe sa i përket vendimit për ndarjen e shtesave prej 100 eurove për fëmijët.

Ai tha se e njëjta do të ndahet vetëm një herë në vit, ndërkaq ka synim rimbursimin e TVSh-së për minimumin jetik për fëmijët.

Murati: Shtesa prej 100 eurove për fëmijët ndahet vetëm një herë në vit

“Sa i përket premtimit për këtë lloj shtese, kjo duhet të dallohet nga shtesat mujore që janë për fëmijët. Shtesat për fëmijët vazhdojnë të merren të përmuajshme, ndërkaq kjo është çdo vit në fundvit. Ideja që synojmë të arrijmë përmes kësaj shtese është rimbursimi i TVSh-së për një minimum jetik për gjithë fëmijët e vendit. Pra nëse nisemi nga minimumi jetik që është prej 2 eurove në ditë që është si prag apo 60 në muaj për të gjithë fëmijët, apo 700 euro në vit si shpenzim total për minimumin jetik për të gjithë fëmijët mund të konkludojmë se përafërsisht 100-110 euro është pagesa e TVSh-së që paguan një fëmijë për minimumin jetik. Ideja ka qenë që në vend që të lëvizet me norma të TVSh-së të bëhet ky rimbursim i përvjetshëm në fund të çdo viti fiskal në mënyrë që të konsiderohet se asnjë fëmijë nuk paguan TVSh-së për minimumin jetik. Këtë vit nuk kemi bërë dallime në bazë të ardhurave por nga viti i ardhshëm do të ketë përcaktim të nivelit në bazë të të ardhurave”, theksoi Murati.

Në një analizë për ndarjen buxhetore, Instituti GAP ka konsideruar se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat në të cilat udhëheq për vitin 2024. Sipas tyre, nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja, mbi 13 milionë janë bërë për katër komunat që i udhëheq VV-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat