Një vit nga aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në BE

Aktuale

Një vit nga aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në BE

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 07:31
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Sot mbushen një vit që kur Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Dorëzimin e aplikimit në Pragë të Çekisë, e cila udhëhiqte Presidencën e radhës së BE-së, e bëri kryeministri Albin Kurti më 15 dhjetor 2022, ndërsa ai ishte nënshkruar një ditë më parë nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Kurti.

Me rastin e dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE, kryeministri Kurti tha se letra që ai mban me vete “përmban shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë, të cilët kanë punuar kaq shumë për të arritur këtë ditë”.

“Ajo flet për aspiratat tona për t’iu bashkuar BE-së me të cilën ndajmë vlera dhe ideale të përbashkëta si një proces historik nga një projekt politik paqeje dhe prosperiteti”, tha ndër të tjerash Kurti.

Neni 49 i Traktatit të BE-së thotë se çdo vend evropian, i cili respekton vlerat evropiane dhe angazhohet për promovimin e tyre, mund të aplikojë për anëtarësim në BE.

Aplikimin e Kosovës për anëtarësim e pret një rrugë e gjatë deri në finalizim, për të cilin nuk ka afat të caktuar kohor.

Pas sigurimit të statusit të vendit kandidat, procedura parasheh hapjen e negociatave që pasohet nga nënshkrimi i traktatit për pranim midis BE-së dhe vendit kandidat. Më pas nevojitet të bëhet ratifikimi i tij nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Nga Ballkani Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë progres drejt BE-së, pasi deri më tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë vitit 2022 nisën procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE, ndërsa Bosnjë e Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat