Komente të përbashkëta pushtet -opozitë në Gjykatë për Asociacionin- a është e mundur kjo?

Aktuale

Komente të përbashkëta pushtet -opozitë në Gjykatë për Asociacionin- a është e mundur kjo?

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 13:16
Foto ilustrim

Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar dërgimin e draft-statutit të propozuar nga Brukseli për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.  Këtë ajo e tha sot në Kuvendin e Kosovës ku mbajt fjalimin vjetor.  Pozitës dhe opozitës u kërkoi që të bëhen bashkë për t’i përgatitur komentet lidhur me shqetësimet që kanë kurdo që drafti përfundon në instancën më të lartë gjyqësore në vend. Por a është ky një mision i pamundur kur dihen raportet pozitë -opozitë dhe pozicionet e tyre ndaj propozimit të BE’së.

Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i propozuar nga vendet kryesore të BE’së  pritet të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është paralajmëruar sot nga presidentja Vjosa Osmani gjatë fjalimit vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Osmani ka thënë se Kushtetuesja duhet ta thotë nëse ky draft-statut është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, shkruan express.

Kështu, Osmani ka thënë që pozitë e opozitë duhen që të bëhen bashkë dhe të përgatisin komentet lidhur me shqetësimet që mund të kenë lidhur me këtë draft-statut të propozuar.

“Siç e dini, së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim, draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni”, ka thënë Osmani.

Sipas Presidentes qëllimi është që të mos lejohet pushtet i ndërmjetëm nga Asociacioni.

“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Dhe të mos lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera që rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, ka deklaruar Presidentja.

Por a është e mundur që pushtet e opozitë të dalin me një zë për Asociacionin kur dihen pozicionet e tyre për këtë çështje dhe për dokumentin që e kanë sjellë ndërkombëtarët. 

Deri me tani vetëm AAK-ja ka bërë me dije se ka mbledhur Kryesinë e partisë për të diskutuar për draft-statutin e propozuar nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në njoftimin e kësaj partia është thënë se kanë shqetësime për sa i përket përmbajtjes, teksa shtuan se komentet me vërejtje për çdo nen do t’i bëjnë publike në vazhdimësi.

“Kryesia e AAK-së sot ka zhvilluar një diskutim me tone shumë kritike për draft-statutin e Asociacionit. Janë shprehur shqetësimet për përmbajtjen e tij, veçanërisht për referimin në Rezolutën 1244, komisionin e arbitrazhit, si dhe raportin paralel të Asociacionit me institucionet e pushtetit qendror. Komentet e AAK-së me vërejtjet nen për nen do të publikohen në ditët në vijim”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, PDK-ja dhe LDK-ja ende nuk dihet se kur do t`i mbledhin strukturat e tyre partiake për të diskutuar këtë çështje.

Ditë më parë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur rezerva të mëdha për draftin-statutin e Asociacionit të cilin parimisht e ka pranua Qeveria e Kosovës.

Ai ka bërë me dije se drafti flet për një autonomi e cila mund të rrëshqas drejt federalizimit.

“Çka ka drafti? Në termin më të thjesht është autonomi në evoluim. Do të thotë se mund të bëhet federalizëm. Pra, është një trupë paralele me rendin kushtetues të Kosovës. E referuar normativa më të çuditshme, prej Rezolutës 12/44 e deri te Kushtetuta e Kosovës; e cila parasheh një trupë që merr kompetenca ekzekutive; të gjitha kompetencat ekzekutive. Thotë që nuk do të merr kompetenca shtesë përveç këtyre që janë”, ka thënë ai për emisionin Pressing.

Sipas tij, ky dokument është i rrezikshëm për Kosovën.

“Në këto kompetenca të reja që kjo autonomi i merr, shtron kontrollin e plotë: të mbikëqyrjes, të rregullimit, financimit, organizimit dhe menaxhimit; me njerëz, me staf, me udhëheqësi e kështu me radhë. Unë kam pas një paraqitje në seancë tek e cila i kam ngritur tri çështje: referencën e Preambulës si vlerë”, është shprehur ai.

I pari i LDK-së ka vlerësuar se me këto kompetenca të Asociacionit, Kosovës nuk i duhet as njohja nga Serbia.

“Atëherë nuk ka duhet më as njohja nga Serbia”, është shprehur Abdixhiku.

Ndërsa, partia më e madhe opozitare, PDK-ja, ka bërë me dije se për këtë parti është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Republikës së Kosovës.

“Kryetari Krasniqi ka ripërsëritur qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre takimeve u tha se regresi ekonomik, sanksionet ndërkombëtare dhe përkeqësimi i mirëqenies së qytetarëve janë vetëm disa nga pasojat, krahas dështimit në dialog, të cilat vijnë si rezultat i keqqeverisjes, arrogancës dhe aferave të vazhdueshme korruptive të zyrtarëve qeveritarë”, është thënë në komunikatën e PDK-së, e cila është lëshuar më 14 nëntor pasi një mbledhje të kryetarit të PDK-së me Kryesinë e partisë, deputetët dhe kryetarët e degëve.

Qeveria e Kosovës draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e kishte pranuar më 21 tetor kur drafti në Prishtinë ishte sjell nga pesëshja diplomatike euro-amerikane.

Më 26 tetor në margjina të samitit europian Kurti e Vuçiq kishin takuar ndaras krerët e Francës, Gjermanisë e Italisë të cilët një ditë më vonë nëpërmjet një deklaratë kishin thënë  “i marrim parasysh komentet e dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë për Statutin Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar”.

Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka deklaruar se u është kërkuar që ky draft të mbahej sekret dhe të mos ndahej me publikun.

Kjo kishte nxitur reagime të shumta në opinionin publik.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj pati thënë me 24 nëntor se kurrë më parë nuk është vendosur për një çështje të rëndësishme politike pa transparencë, llogaridhënie dhe legjitimitet demokratik.

Kjo kritikë erdhi pas mbajtjes së fshehtë të draft-statutit të Asociacionit.

“Asnjëherë, as në Rambuje (1999) as në Vjenë (2005-2007) e as në Bruksel (2011-2021) nuk është vendosur për një çështje aq të rëndësishme politike pa kurrfarë procesi politik, pa transparencë, pa llogaridhënie dhe pa legjitimitet demokratik, sikurse që Albin Kurti e ka pranuar dhe po e mbanë fshehtë Statutin e Asociacionit, duke na thënë se jo ai, si Kryeministër i Kosovës, por ndërkombëtarët duhet ta bëjnë publik atë, kur çdo kush e ka pa këtë dokument në Serbi, ndërsa po mbahet fshehtë nga opinioni publik, partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës!”, ka shkruar ai në “Facebook”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat