​Kurti: Fondi Sovran vendos Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe Evropës

Aktuale

​Kurti: Fondi Sovran vendos Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe Evropës

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 20:44
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur miratimin në Kuvend të Projektligjit për Fondin Sovran, duke thënë se me këtë vendim po vendoset Kosova në hartën financiare të rajonit dhe Evropës, si dhe po vihet baza për krijimin e një trashëgimie për gjeneratat e ardhshme.

Pas një pune të gjatë ekipore në konceptin dhe ligjin për Fondin Sovran, në bashkëpunim me donatorët, ekspertët dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë që e kanë mbështetur këtë projekt, Kuvendi i Kosovës sot miratoi në leximin e dytë Projektligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës.

Kurti ka thënë se Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej.

“Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurti ka shtuar se Ligji për Fondin Sovran është vetëm hapi i parë, pasi Qeverinë e drejtuar nga ai, e presin punë të shumta në ndërtimin e strukturës organizative të Fondit Sovran dhe në thellimin e reformave në sektorin publik për përgatitjen e ndërmarrjeve që do të inkorporohen si asete të fondit.

“Për këtë ne do të vazhdojmë të punojmë me ekspertët e vendit dhe ata ndërkombëtarë dhe të mësojmë nga përvojat më të mira ndërkombëtare të fondeve sovrane në Evropë dhe në botë, por edhe në nismën për krijimin e kornizës ligjore për tregun e kapitalit në Kosovë”, ka përfunduar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat