​Dështon mbledhja e Komisionit hetimor për rezervat, deputetët e VV-së vazhdojnë bojkotin

Aktuale

​Dështon mbledhja e Komisionit hetimor për rezervat, deputetët e VV-së vazhdojnë bojkotin

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 11:17
Foto ilustrim

Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore sërish ka dështuar të mbahet të hënën për shkak të mungesës së kuorumit. Në këtë mbledhje munguan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i këtij Komisioni, Rashit Qalaj, tha se puna e Komisionit po pamundësohet nga deputetët e VV-së, të cilët sipas tij nuk po marrin pjesë në mbledhje.

Ai tha se në këtë mbledhje në rend dite ishte paraparë të diskutohet për buxhetin e Komisionit dhe për angazhimin e ekspertëve.

Qalaj: Puna e Komisionit po pamundësohet për shkak të deputetëve të Vetëvendosjes

“Kanë marrë obligim që ta sabotojnë këtë komision dhe ne tërë kohën sa kemi fol për rezervat shtetërore kemi folur për dyshimet me keqpërdorime. Mirëpo për ditë e më shumë këto dyshime po në krijohet përshtypja se janë fakte për shkak që po mungojnë deputetët e pozitës. Po ashtu mosardhja e tyre nuk ka asnjë shpjegim tjetër, vetëm pengim I punës të këtij Komisioni. Sot kemi pasur dy pika të rëndësishme të rendit të ditës, pa të cilat edhe nuk mund të funksionojë komisioni, që është çështja e miratimit të Buxhetit të Komisionit dhe angazhimi i ekspertëve të cilët janë të nevojshëm për punën e këtij Komisioni. Po ashtu në të ndryshme kemi pasur në plan të diskutojmë edhe për dokumentet që duhet kërkuar nga institucionet e ndryshme për blerjen e rezervave shtetërore në mënyrë që pastaj në fundin e muajit janar të fillojmë me intervistime. Mirëpo, siç po e shihni puna e Komisionit po pamundësohet për shkak të deputetëve të Vetëvendosjes, të atyre që vazhdimisht janë thirre në ligj, rend dhe drejtësi”, theksoi ai.

Sipas Qalajt, vetëm deputeti Driton Hyseni ka lajmëruar për mospjesëmarrje, ndërsa për të tjerët ai tha se nuk ka asnjë informacione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat