Pas zgjedhjeve në Serbi, Peci: Nuk do të ndryshojë qasja e Beogradit ndaj Kosovës

Aktuale

Pas zgjedhjeve në Serbi, Peci: Nuk do të ndryshojë qasja e Beogradit ndaj Kosovës

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 23:48
Lulzim Peci

Zgjedhjet në Serbi përkuan me një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, mes tensioneve të larta që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator.

Në tetor udhëheqësit më të lartë evropianë i kërkuan Kosovës më shumë autonomi për pakicën serbe, ndërsa Serbisë njohjen “de facto” të pavarësisë së Kosovës. Kërkesat janë pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për të nxitur përmbushjen e një marrëveshjeje të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Analisti Lulzim Peci nga Instituti për hartimin e politikave tha se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk paralajmërojnë ndonjë ndryshim të qasjes së Beogradit ndaj Kosovës.

Ai tha se nuk beson që presidenti serb Vuçiq do të hedh hapa vendimtar drejt Bashkimit Evropian dhe kjo do të pasqyrohet edhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën…

“Derisa Serbia nuk e pranon me letër marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit të cilin pak para zgjedhjeve me letër e dërgoj që nuk e pranon, unë nuk mendoj që ka shpresë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Peci, për Zërin e Amerikës.

Sipas tij perëndimi duhet ta rimendojë strategjinë ndaj Serbisë dhe shtetet anëtare të NATO-s duhet të angazhohen në kufizimin e hapësirës së Beogradit për ngritjen e tensioneve në rajon.

“Mendoj që e vetmja zgjidhje është krijimi i një situate të re të sigurisë e cila do të siguronte stabilitetin rajonal edhe pastaj të vazhdohet kështu si jemi, në një formë gjysmë status-quo”, tha ai.

Serbia aspiron integrimin evropian, por vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj saj për shkak të agresionit në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Moskës ndaj pretendimeve të Beogradit mbi Kosovën.

Kremlini përgëzoi presidentin serb Vuçiq për fitoren në zgjedhjet e së dielës duke e quajtur Serbinë një komb “vëllazëror” dhe “miqësor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat