Betimi i 17 vullnetarëve të rinj, Osmani: Lidhja jonë me ShBA-të tejkalon lidhjet diplomatike

Aktuale

Betimi i 17 vullnetarëve të rinj, Osmani: Lidhja jonë me ShBA-të tejkalon lidhjet diplomatike

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 14:56
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Janë betuar 17 vullnetarët e rinj amerikanë të Korpusit të Paqes në Kosovë. Ky është grupi i tetë i vullnetarëve, ku deri më sot në Kosovë kanë ardhur mbi 200 gra e burra. Të njëjtit do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies në shkollat e Kosovës, u tha në ceremoninë e betimit të tyre. Grupi i tetë i vullnetarëve do të shërbejnë për dy vjet në Kosovë.

Andreë Felloës në më pak se tre muaj është mësuar të mbajë fjalim në gjuhë shqipe, gjë të cilën nuk e kishte menduar para se të vinte në Kosovë.

Felloës: Kosova na mësoi rëndësinë e takimit në kafiteri

“Kosova na mësoi rëndësinë e takimit në kafiteri, tani më shpesh takohemi dhe pijmë kafe sidomos ne që jetojmë në fshat. Ne gjithmonë duam të ndajmë përvojat tona me familje dhe me shkollë, si për shembull ‘çka ke hëngër ti sot’, ‘unë hëngra fli, unë hëngra pite me spinaq ose oriz me pulë’. Ne arritëm të njohim njëri-tjetrin më shumë, sepse ishte vështirë për të gjithë ne që të linim shtëpitë dhe familjet tona për dy vjet. Me mësimin dhe adaptimin tonë ne ndamë shprehje ‘çka me bo’, e cila na ndihmojë të përballojmë trajnimin dhe të tejkalojmë vështirësitë”, tha ai pas betimit.

Edhe Peter Appleby bën pjesën në grupin e 17 vullnetarëve të rinj, i cili tha se në fillim pak dinte për Kosovën.

Appleby: Kur erdhëm në Kosovë dinim shumë pak për këtë vend

“Kur erdhëm në Kosovë, dinim shumë pak për këtë vend por tani e kemi kuptuar që asgjë nuk krahasohet atë që sheh me sytë e t’u. E kemi parë që familja dhe komuniteti janë të domosdoshme, mirëpritja dhe pritja e mysafirëve janë të jashtëzakonshme dhe njerëzit kanë një kuptim të fortë të vetvetes dhe historisë”, shtoi ai.

Në betimin solemn të këtyre vullnetarëve, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se deri më tani kanë shërbyer mbi 200 vullnetarë në Kosovë.

Hovenier: Përvoja juaj si vullnetarë në Kosovë do të ndihmojë në formësimin e jetës suaj

"Përvoja juaj si vullnetarë në Kosovë do të ndihmojë në formësimin e jetës suaj në shumë mënyra pozitive. Shpresoj dhe pres që ju do ta përqafoni këtë rrugëtim dhe këtë mundësi dhe besoj shumë në ju. Kam qenë po ashtu më parë i bindur më parë se keni ndikim në jetërat e të tjerëve dhe në komunitetet në Kosovë. Jam tejet i bindur se ata do të kenë një ndikim të njëjtë tek ju. Si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës jam i përfshirë në raportet bilaterale dhe nuk kam se si të mos mendojë për këtë miqësinë që ju e trasoni dhe do ta zbatoni nëpërmjet zyrtarëve amerikanë këtu në Kosovë. Ju dëshiroj një sukses të jashtëzakonshëm dhe dy vjet, ndoshta pak sfiduese në Kosovë. Pres me padurim që të ju vizitojë në vendet e juaja”, tha Hovenier.

Presidentja Vjosa Osmani u ka uruar mirëseardhje grupit të tetë të vullnetarëve në Kosovë. Ajo tha se prezenca e vullnetarëve në Kosovë është shembulli më i mirë i partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani: Mirëserdhët në një tokë të pasur historike

"Mirëserdhët në një tokë të pasur historike, divergjencë kulturore me peizazhe të mrekullueshme dhe në vendin me mikpritje shumë të mirë, siç e keni parë. Mirëserdhët në vendin e ndryshimit dhe inovacionit dhe rinisë. Sot jam e emocionuar që të mirëpres grupin e tetë të Korpusit të Paqes në Kosovë... Tani jeni pjesë e një komuniteti dhe jetëve tona, puna juaj qoftë në arsim apo zhvillim të komunitetit shkon shumë përtej detyrave të përditshme me çfarë do të ballafaqoheni. Ndikimi i shërbimit tuaj do të matet jo vetëm në projektet që i zbatoni, por shkathtësive që i ndani dhe në buzëqeshjen e fëmijëve. Këto janë gjurmët e vërteta të suksesit tuaj dhe trashëgimisë që secili prej jush do ta lë pas vetës. Është e rëndësishme që të reflektojmë në lidhje me fuqinë dhe thellësinë e partneritet në mes Kosovës dhe ShBA-ve, lidhja jonë tejkalon lidhjet diplomatike. Është rrënjësuar në vlera të përbashkëta të demokracisë, lirisë, shërbimit dhe ndjekjes të së ardhmes më të mirë për të gjithë qytetarët", tha Osmani.

Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se Korpusi i Paqes e ofron këtë mbështetje në Kosovë qysh nga viti 2014.

Nagavci: Deri më tani Kosova ka mirëpritur mbi 220 vullnetarë të Korpusit të Paqes

“Përveç mbështetjes në përmirësimin e mësimdhënies dhe të gjuhës angleze në Kosovë, programi i Korpusit të Paqes jep një kontribut të rëndësishëm edhe në aspektin e shkëmbimeve kulturore duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin dhe përmirësimin e perspektivave dhe mënyrave se si të rinjtë tanë e shohin botën rreth tyre. Në Ministrinë e Arsimit e çmojmë lartë punën e palodhshme të vullnetarëve dhe stafit të Korpusit të Paqes në bashkëpunim me drejtorët e shkollave, mësimdhënësit me nxënësit tanë, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe nxënies në shkollat tona. Deri më sot Kosova ka mirëpritur mbi 220 vullnetarë të Korpusit të Paqes, për të cilët shkollat tona dhe familjet kanë hapur dyert dhe kanë punuar e jetuar së bashku”, u shpreh ajo.

Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Carolyne Siganda ka prezantuar 17 vullnetarët, ku foli edhe për periudhën prej ardhjes së tyre në Kosovë.

Siganda: Vullnetarët shtjelluan kulturat e pasura të Kosovës

“Përmes klasave intensive të gjuhës, kursantët mësuan gjuhën shqipe, serbe dhe boshnjake. Hulumtuan, shtjelluan historinë dhe kulturat e pasura të Kosovës, ata i zotëruan hapësirën e të mësuarit të Korpusit të Paqes dhe kryerjen e detyrave të shtëpisë në gjuhë derisa disa po shoqëroheshin me familjet nikoqire dhe njiheshin me komunitetet. Ata u njohën me bujarinë dhe mikpritjen e banorëve të Kamenicës, Koretinit dhe Topanicës. Siç e pamë gjatë shëtitjes me kryetarin e komunës duke vizituar të afërmit e familjeve nikoqire edhe përgatitjen e pasulit me nikoqirët. Ky grup, siç e pamë, janë përballur me seanca të gjata të trajnimeve dhe mësime të ndërlikuara të gjuhës. Derisa disa po mësonin dy gjuhë, shqip, serbisht apo shqip dhe boshnjakisht”, deklaroi ajo.

Për 10 dhjetë javë me radhë, këta vullnetarë u njohën me bujarinë dhe mirëpritjen e Kamenicës, Koretinës dhe Topanicës.

Sot ata përfundojnë programin e trajnimit dhe fillojnë shërbimin dy-vjeçar në Kosovë. Disa si mësimdhënës të gjuhës angleze dhe disa si bashkëpunëtorë në mbështetje të komunave dhe organizatave jo-qeveritare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat