​Kurti paralajmëron reforma në Arsim pas rezultateve në PISA

Aktuale

​Kurti paralajmëron reforma në Arsim pas rezultateve në PISA

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 15:58
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se rezultatet e testit PISA në vendin tonë tregojnë se ka ende shumë punë për tu bërë. Ai shtoi se po punojnë në reformimin e sistemit arsimor në Kosovë.

Kurti derisa foli për veprimet e ndërmarra në përmirësimin e jetës së të rinjve u pengua nga një aktiviste e PSD-së, e cila erdhi në drejtim të tij duke fishkëllyer dhe hedhur letra me mbishkrime në to.

Ndërkaq, aktivistja u largua menjëherë nga mbrojtja e afërt e Kurtit.

Në konferencën për Rini 2023 “Fuqizo, Shërbe, Angazho”, të organziuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shefi i ekzekutivit, Albin Kurti tha se sukseset e rinisë sonë në film, art, sport, biznes e teknologji janë përtej të zakonshmes, derisa shtoi se roli i shtetit është ta përcjell talentin dhe potencialin me mbështetjen direkte.

Kurti: Rezultatet e PISA-s kanë treguar për defekte strukturore e kronike në sistemin arsimor

"Në gusht të këtij viti në muajin e rinisë pata mundësinë që të takoj qindra të reja dhe të rinj prej bashkëmoshatarëve anë e mbanë Kosovës. Për shumë prej nesh që ishim të pranishëm panairi i rinisë si ngjarje përmbyllëse edhe një herë dëshmoi për suksesin e vajzave të djemve tanë të punuara me dorë nga të rinjtë, produktet ekspozuara në panair nuk ishin thjeshtë as objekte e mallra por punë e manifestuar në ditë e gjata e netët e vona...Sukseset e rinisë sonë në film, art, sport, biznes e teknologji janë përtej të zakonshmes. Ndërkaq, roli i shtetit është ta përcjell talentin dhe potencialin në mbështetjen direkte. Për këtë brez të rinjve, sfida si në Kosovë edhe në botë vazhdojnë të jenë të mëdha. Rezultatet e testit PISA për vendin tonë kanë treguar tashmë për defekte strukturore e kronike në sistemin arsimor, kanë treguar se ka ende shumë për tu bërë që ka çështje që kanë efekte negative e shoqëruese në tregun e punës dhe ekonomi", tha Kurti.

Përveç tjerash, Kurti potencoi se po punojnë në reformimin e sistemit arsimor. Ai tha se në fillim të vitit 2021 ishit të punësuar mbi 28 mijë të rinj, ndërkaq deri në korrik të vitit 2023, numri i të punësuarve ka arritur në mbi 60 mijë.

Kurti tha se përmes platformës Super Puna janë punësuar rreth 9 mijë të rinj në mbi 6 mijë biznese të ndryshme.

Kurti: Ne jemi duke punuar që ta reformojmë sistemin arsimor

"Ne jemi duke punuar që ta reformojmë sistemin arsimor që shkollat dhe universitet tona t'i bëjmë ku fëmijët dhe të rinjtë së bashku me mësimdhënësit dhe prindërit punojnë, mësojnë e hulumtojnë...Qysh herët në qeverisjen tonë arsimin e lartë publik e bëmë falas. Pra, studentët do të duhet të paguajnë për banesë e jetesë por jo edhe për studime...Nga viti 2021 deri në vitin 2023 i kemi ndarë 4630 bursa për vajzat në STEM. Falë masave tona stimuluese, pjesëmarrja e vajzave në STEM në Universitetin e Prishtinës ka arritur në 50 për qind dhe këtë duhet ta krahasojmë me Bashkimin Evropian që është 17 për qind...Në fillim të vitit 2021 ishin 28 mijë e 293 të rinj të punësuar. Kurse, në fund të korrikut sivjet 2023, numri i të punësuarve ishte 60 mijë e 884...Përmes platformës së punësimit Super Puna për nëntë muaj janë punësuar rreth 8 mijë e 500 të rinj të moshave 18 deri në 25 vjeç në gjithsej 6 mijë e 400 biznese. Për punë praktike në programin 'Kosova Generation Unlimited' të Ministrisë së Financave, të Punës dhe Transfereve në bashkëpunim me UNICEF-in në Kosovë dhe rrjetin CSR po ofrojmë mundësi për 10 mijë të rinj e të reja deri në fund të vitit 2024", potencoi Kurti.

Kurti theksoi se nuk ka asgjë më të rëndësishme që mund të bëjmë si Qeveri se sa të përgatisim gjeneratën e ardhshme për zhvillim e për udhëheqje të vendit tonë.

Ndërkaq, presidenti i Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore (EYCA), Miguel Perestrello, u bëri thirrje të rinjve të Kosovës që t’i bashkohen këtij projekti.

Ai tha se karta rinore është një instrument për t’iu bashkuar listës jo formale të organizuar përmes anëtarëve, derisa shtojnë se arrijnë tek të rinjtë në të gjitha grupet etnike dhe fusha të ndryshme.

Perestrello: Ne bashkojmë mbi 8 milionë njerëz të rinj, pres të përfshiheni edhe ju në projekt

"Me më tepër se 35 anëtarë në 39 vende në Evropë ne bashkojmë mbi 8 milionë njerëz të rinj dhe pres që ju të gjithë të përfshiheni në këtë projekt shumë shpejt, pasi e kemi kartën edhe këtu në Kosovë dhe po fillojmë të zhvillohemi. Kjo organizatë ju shërben për zhvillimin e kartës evropiane por kemi edhe organizata të tjera...Karta Rinore është një instrument për t'iu bashkuar listës jo formale të organizuar përmes anëtarëve ne arrijmë tek të rinjtë në të gjitha grupet etnike në të gjitha fushat dhe sfonteve të ndryshme socio ekonomike. Kjo është shumë me rëndësi për ne, për të mos bërë diskriminim dhe karta rinore gjithashtu varet edhe nga çështjet e tjera", tha Perestrello.

Ndër të tjera, Perestrello tha se u ndihmojnë vendeve në zhvillimin e ekspertizave të nevojshme për zhvillim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat