Ndotja e ajrit alarmante, Veselaj: Kemi bërë pak në efiçiencë të energjisë

Aktuale

Ndotja e ajrit alarmante, Veselaj: Kemi bërë pak në efiçiencë të energjisë

Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 23:55
Zeqir Veselaj

Situata me ndotjen e ajrit në vendin tonë vazhdon të jetë alarmante, sidomos gjatë sezonit të dimrit. Sipas profesorit Zeqir Veselaj, përkundër investimeve në efiçiencë të energjisë situata nuk është se ka ndryshuar shumë.

“Janë ndërmarrë hapa të vegjël në efiçiencën e energjisë, si ndërtimi i burimeve alternative të energjisë nga era në Shalë të Bajgorës, por të cilat ende nuk kanë mundur ta lëvizin varshmërinë tonë nga djegia e derivateve fosile qoftë për nevoja të ngrohjes, qoftë për nevoja tjera që bëjnë qytetarët. Çdo djegie e derivateve fosile shoqërohet në shkarkim të ndotjes në ajër të cilat pastaj i ndjejmë ne”, tha Veselaj në “Info Plus” në RTK.

Ai theksoi se situata e monitorimit të cilësisë së ajrit nuk po shpie në përmirësime sepse sipas tij, pas saj do të duhej të vinte një ndërhyrje e institucioneve tek ndotësit e mëdhenj  të ajrit .

“Ajo nuk po ndodh dhe këtë na e dëshmoi edhe raporti i fundit i Progresit të Komisionit Evropian dhe ai për cilësinë e ajrit të Agjencionit  Evropian të Mjedisit. Do të thotë se situata është e rënduar, që mbetemi ende në shifra të larta të humbjes së jetëve  të parakohshme të njerëzve që vjen si pasojë e asaj që ne ambientalistët e quajmë vrasësi i padukshëm, e që është ndotja e ajrit”, tha ai.

Ai theksoi se zyrtarisht në raportin e fundit nga Agjencioni Evropian janë  raportuar 4 mijë vdekje të parakohshme brenda vitit dhe pastaj janë mijëra vjet jete të humbur si pasojë e ndotjes së ajrit.

Duke folur për masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e ajrit të ndotur, Veselaj tha se edhe pse përdorimi i qymyrit ka rënë ai është prezent, por edhe burimet tjera që po përdoren si peleti nuk janë pa shkarkime ndotëse.

Sipas tij Inspektorati  mjedisor është shumë i ngadaltë në veprimin për ndotësit e ajrit sidomos te ndotësit e mëdhenj si KEK-u, Sharrcemi,  Feronikeli dhe të tjerët.

“Dy herë është ndërruar ligji për ajrin. Pse duhet të ndërrohen ligjet përderisa situata në terren nuk po përmirësohet . Ende nuk ka një sistem të kontrollit të cilësisë së derivateve që i djegin veturat tona. Sektori i transporti është sektori i dytë pas KEK-ut për ndotjen e ajrit”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat