A është i mundur themelimi i “mbikëqyrjes speciale” për Gjykatën Speciale?

Aktuale

A është i mundur themelimi i “mbikëqyrjes speciale” për Gjykatën Speciale?

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 23:25
Gjykata Speciale

Asgjë nuk ka lëvizur për nismën për themelimin e një organi mbikëqyrës për Gjykatën Speciale, por se as nuk është hequr dorë prej saj. Ministrja e Drejtësisë insiston se një organ i tillë duhet të bëhet veçse thotë se ka një dakordim që këtë ta bëjë Kuvendi, përderisa vetë Specialja nuk pajtohet.

Ideja e shfaqur para një viti se mbi Gjykatën Speciale duhet të themelohet një organ mbikëqyrës, vazhdon të mbetet ide.

E përmendur nga kryeministri, kryekuvendari e ministrja e Drejtësisë, nisma nuk ka ecur tutje, por as nuk është hequr dorë prej saj.

Ministrja Albulena Haxhiu thotë se ka një dakordim që kjo punë t’i mbetet Kuvendit pasi ky institucion ka themeluar Gjykatën Speciale, veçse sipas saj qëllimi nuk është që organi të jetë as nga ekzekutivi, e as nga legjislativi.

“Kam përshtypjen që Avokati i Popullit atje nuk e kryen punën siç duhet. Dhe unë këtë ia kam thënë edhe kryetares në takimet e mëhershme që i kam pasur me të njëjtën. Prandaj, ka ardhë edhe ideja apo ka lindë ideja që të kemi një mekanizëm, duke qenë Gjykata Speciale, ndonëse konsiderohet që kinse është e Kosovës nuk i raporton Këshillit Gjyqësor të Kosovës, siç bëjnë rëndom gjykatat e rregullta në Republikën e Kosovës, pra nuk i raporton askujt. Dhe në këtë rast unë nuk di ndonjë shembull të një gjykate që ka funksionuar pa i raportuar dikujt”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin, Albulena Haxhiu.

Por, nga ana tjetër, avokati i akredituar nga Specialja, Taulant Hodaj, thotë se themelimi i një organi të tillë është problematik, nëse me të nuk pajtohet vetë Specialja.

Ai thekson se ka vetëm një precedent të tillë nga e kaluara, kur Tribunali i Hagës është mbikëqyrur në disa raste nga OKB-ja.

“Themelues faktik janë shtetet kontribuese apo shtetet e Bashkimit Evropian me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ndryshe çfarëdo iniciative ligjore që ndryshon ligjin që bën organ për mbikëqyrës nuk do të vlejë pranë kësaj gjykate se ashtu ata e kanë dhënë edhe në interpretimin e Dhomës Kushtetuese të Gjykatës Speciale, që thonë nuk vlen çfarëdo ndryshimi që bën Parlamenti i Kosovës”, ka deklaruar Hodaj.

Por vetë Dhomave të Specializuara nuk duket se ju pëlqen një ide e tillë.

“Gjykata Speciale e Kosovës është një gjykatë ligjore dhe vepron sipas mandatit të pajtuar midis BE-së dhe Kosovës dhe që është paraparë nga struktura ligjore në Kushtetutë dhe ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Korniza ligjore e Gjykatës përcakton të drejtat dhe liritë themelore në Kushtetutë dhe Gjykata zbaton standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që janë në përputhje me vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Si në çdo sistem gjyqësor bazuar në sundimin e ligjit kjo kornizë ligjore gjithashtu parashikon gjyqtarë të pavarur, të cilët nuk janë nën kontroll ose ndikim të padrejtë nga ndonjë autoritet ekzekutiv apo legjislativ”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Gjykat Speciale në Hagë ka shkallën e parë, Gjykatën e Apelit, Gjykatën Kushtetuese dhe Avokatin e Popullit të saj.

Pra, ato nuk kanë asnjë ndërlidhje me institucionet e njëjta në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat