Ish-hetuesi Kozhani zbulon detaje për vrasjet më të rënda në Kosovë dhe për sulmin në Banjskë

Aktuale

Ish-hetuesi Kozhani zbulon detaje për vrasjet më të rënda në Kosovë dhe për sulmin në Banjskë

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 15:32
Mehdi Kozhani

Ish-hetuesi në Departamentin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, Mehdi Kozhani, është rrëfyer në një intervistë ekskluzive për punën e tij si hetues, në “Paradoks”.

Gjatë intervistes, Kozhani ka treguar se ishte i përfshirë edhe në hetimin e sulmit terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë, dhe se si ka hyrë tërë armatimi në territorin e Kosovës.

“Kam qenë i angazhuar, kam qenë në vend të ngjarjes. Kemi fillu hetimin si drejtori, në fakt kjo i ka taku me kompetencë drejtorisë së terrorizmit, mirëpo ne i kemi asistu si hetimeve të krime të rëndna. I kemi ndihmu në maksimum. Jemi marrë me të gjitha detajet, konfiskimet, vendi i ngjarjet komplet është menaxhu nga ne dhe ka qenë edhe prokurori i Prokurorisë Speciale në vend të ngjarjes”, është shprehur ai.

Kozhani thekson se terroristët serb e futën armatimin në Kosovë “me shpejtësi” e jo me komoditet.

“Çështja e armatimit dhe hyrja e atij grupi terrorist, e dijmë se Serbia është në atë pjesë, strukturat ilegale që veprojnë e kanë vepruar, e shfrytëzojnë territorin e tyre në Serbi dhe anasjelltas vijnë këtu, e kanë një qasje pak më të lehtë edhe pse kufiri menaxhohet nga policia dhe KFOR-i mirëpo është pak e habitshme se si ka depërtu aq shpejt ai grupi kriminal me gjithë atë armatim. Kjo mbetet me u zbërthy gjatë hetimit se si ka ndodh”, është shprehur Kozhani gjatë intervistes.

Tutje, ai ka folur edhe për lidhjen që kishte Milan Radojiçiq më shqiptarët, duke thënë se ky i fundit me një të kaluar kriminale, ka krijuar një perandori të bizneseve ku edhe ka paguar njerëzit që të ketë kontrolli mbi çdo gjë atje.

Kozhani tregon se Radojiçiq ka arritur gradualisht që ta marrë në kontroll veriun, derisa më pas edhe është përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviq.

Çështje të Radojiçiq kemi pasur prej fillimit në polici. Kur të punon në nivel qendor çdo informacion të vje. E ka një backround me të kaluar kriminale. Po të kërkosh në polici, del se edhe si hajn i veturave ka qenë.

“Unë e di se ai ka arrit gradualisht të marrë kontrollin e veriut. Nuk ka qenë gjithherë Milan Radojiçiqi. E kemi një viktimë të rastit, ka qenë si udhëheqës atë kohë Oliver Ivanoviq. Gradualisht e ka arrit, pas bërjes së partisë Srpska të marrë fuqizimin edhe më të madh Milan Radojiçiq. Atë kohë Oliver e ka kontrollu veriun. Pas formimit të Listës Serbe, ndikimi i Serbisë që ta kontrollojë veriun, e kanë qit një figurë pak më të fuqishme dhe është anashkalu Oliveri. Si pasojë është vra Oliveri sepse iu ka deviju nga rruga. Ata kanë dasht me kontrollu çdo detaj”, është shprehur ai.

Gjatë intervistës, Kozhani ka folur edhe për disa nga vrasjet më të rënda në Kosovë, duke e përmëndur atë të Triumf Rizës, që u vra në gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën po akuzohet Enver Sekiraqa si nxitës.

Ai ka thënë se gjatë arratisjes, Sekiraqa është strehuar në veri të Mitrovicës tek Milan Radojiçiq.

Ai tha se kjo gjë është argumentuar, derisa thekson se Sekiraqa derisa iu shmang arrestimit, qëndroi tek Radojiçiq mirëpo ka lëvizur edhe në shtete tjera.

“Rasti është në rigykim për herë të tretë. Kjo është çështje e gjykatës dhe apet them se gjykata është e pavaruar dhe merr vendime të tilla. Mirëpo unë si hetues flas në prizmë, në kontekstin që unë e kam hetu. Fillimisht ka qenë prokurori ndërkombëtar që kemi bashkëpunu dhe ka pas rastin nën hetim. Fillimisht është arrestu ekzekutuesi dhe ka pas hetim të mirëfilltë aty ku ka ndodh rasti i të ndjerit Triumf Riza. Është arrestu Arbeni dhe disa të tjerë në bashkëpunim që e kanë kry vrasjen. Pastaj ka qenë në arrati Enveri me Ilir Abudllahun dhe një kohë nuk janë arrestu”, është shprehur ish-hetuesi.

“Iu kanë shmang arrestimit. Kanë dalë edhe jashtë shtetit. Një pjesë, e kemi argumentu që Enveri ka nejt edhe në veri të Mitrovicës. Ka gjet strehë te Milan Radojiçiq, në atë kohë. Para se me u arrestu ka qëndru aty. Ka lëviz prej një shteti në shtet tjetër por zakonisht ka nejt në veri si strehë”, ka shtuar ai.

Duke folur për vrasjet, ish-hetuesi Kozhani ka folur edhe për vrasjen e fundit që ka tronditur Kosovën, ajo e Liridona Ademajt, që dyshohet se është porositur nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Ai tha se policia në mënyrë rekorde ka zbarthyer rastin, ndonëse thotë se motivi mund të mos zbulohet kurrë.

“Motivi mund të mos zbërthehet kurrë. Më e rëndësishme është të bëhen prova dhe dëshmia që një person me dashje e ka organizu dhe e ka kry vrasjen. I ka impliku edhe dy apo tre persona tjerë. Ka arrit në mënyrë të paskrupullt, tinëzare me bë dëshmi kinse kam qenë me fëmijë, edhe fëmijët me i involvu. Me u dok kinse ka qenë viktimë e në fakt e ka organizu krejt prapaskenën e vrasjes së gruas së tij. I ka impliku tre persona”, është shprehur ai.

Një vrasje tjetër që tronditi tërë vendin ishte ajo e para dy viteve në Gllogjan, ku në një autobus me udhëtarë u vranë tre persona nga familja Mehmetaj, mes tyre dy nxënës të mitur.

Të akuzuar për këtë vrasje janë babai Halil Mehmetaj, me dy djemtë e tij Kreshnik e Kastriot Mehmetaj.

Ish-hetuesi i Krimeve të Rënda, Mehdi Kozhani ka hetuar këtë rast të rëndë, ku mes emocioneve në “Paradoks me Vehbi Kajtazin” shpalos detaje se si planifikua dhe u vranë nxënësit në Gllogjan nga familja Mehmetaj, njëherit duke treguar edhe motivin.

“Unë kam qenë edhe pjesëtar i luftës, UÇK. E kam lënë Zvicrën dhe kam ardhë në Kosovë, përmes Shqipërisë. Jam përball me luftën. Mirëpo në luftë je përballë me armik, e ke ditë që të gjuan, vranë. Lufta është e tillë, me pasoja me humbje të familjes, shokëve, miqve. Mirëpo nuk e kam mendu kurrë që shkoj në një vendngjarje edhe siç kam pa fëmijë gjatë luftës të vrarë, të përballem edhe pas 20 viteve me një vendngjarje ku vriten fëmija në shtetin tonë, në Kosovën e pavarur. Jemi ballafaqu me atë sfidë. Jemi përballë me vendin e ngjarjes edhe pse ka pasur devijime nga mediat, kanë pengu hetimet sepse në hetime është më rëndësi që të ndiqen pistat e hetimit. Po dështove aty. Gjithëherë të anashkalohet rasti dhe përfundon keq. Kështu që iu dha konotacion të keq si akt terrorist. Nuk kishte të bëjë fare”, ka shpjeguar ai rastin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat