MPJD publikon kontratën e Gani Jakupit, ja sa paguhet

Aktuale

MPJD publikon kontratën e Gani Jakupit, ja sa paguhet

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 17:13
Gani Jakupi

Angazhimi i Gani Jakupit si konsulent i jashtëm për Ambasadën e Kosovës në Bruksel ka nxitur reagim në opinionin publik lidhur me vlerën e pagës së tij.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka arritur të sigurojë kontratën e Gani Jakupit e cila është lidhur për periudhën qershor 2023 – qershor 2024.

BIRN-it i është ofruar qasje në këtë kontratë pas betejës me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi që të ketë qasje në dokument.

Sipas dokumentit, çmimi i tërësishëm i kësaj kontrate është 90 mijë euro bruto dhe paguhet në 12 këste të barabarta nga 7 mijë e 500 euro.

“Kësti i parë paguhet menjeherë pas lidhjes së kontratës ndërsa këstet tjera më se largu deri në datën 5 të çdo muaji”- thuhet në kontratë.

Por, cilat janë përgjegjësitë dhe obligimet e Gani Jakupit, i cili jeton në Barcelonë të Spanjës, ndërsa merr mbi 7 mijë euro në muaj si konsulent për lobim kryesisht në tri vendet e Beneluksit?

Sipas dokumentit, objekti i kësaj kontrate është ofrimi i shërbimeve të konsulencës, këshillimit dhe aktiviteteve të ngjashme me qëllim të krijimit, zhvillimit dhe përforcimit të imazhit kulturor e mediatik të Kosovës me fokus të veçantë në shtetet e Beneluksit (Belgjikë, Holandë, Luksenburg).

Ndërsa thuhet se objekt i kontratës është edhe ofrimi i shërbimeve që kryhen herë pas herë në vendet e rajonit për qëllim që të kenë ndikim te gazetarët dhe figurat mediatike, krijuesit e opinionit publik, menaxherët e institucioneve dhe fondacioneve kulturore, drejtuesit e festivaleve, drejtuesit e galerive të artit, sipas specifikimeve në aneksin e kësaj kontrate.

Përveç kësaj, Ambasada në Belgjikë e udhëhequr nga Agron Bajrami, i paguan konsulentit shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit dhe hotelit lidhur me ofrimin e shërbimeve të kontraktuara nga palët.

Jakupi merr përsipër dërgimin e faturave se bashku me një sqarim se për cilin aktivitet janë kryer shpenzime.

Ndërsa neni 5 i kësaj kontrate thekson se palët pajtohen që konsulenti do të ofrojë shërbime të kontraktuara si kontraktor i pavarur.

“Kjo kontratë nuk krijon marrëdhënie pune mes palëve kontraktuese deh po ashtu konsulenti është ekskluzivisht përgjegjës për pagesën e të gjitha taksave apo tatimeve që mund të jenë të zbatueshme në cilindo juridiksion”- thuhet tutje në kontratë.

Më shumë se një muaj më parë, BIRN-i ka kërkuar qasje në këto dokumente publike në rrugë ligjore, në mënyrë që të shihen përgjegjësitë dhe obligimet e Gani Jakupit si këshilltar dhe të këshilltarëve tjerë potencial.  Pasi që nuk na është ofruar kjo qasje, BIRN ka dërguar ankesë ndaj MPJD-së, te AIP.

Organi përgjegjës Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ka kërkuar nga MPJD që t’ia mundësojë BIRN-it këtë qasje.Kallxo

Image
Kontrata
Image
Kontrata

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat