Vrasjet që tronditën Kosovën gjatë vitit 2023

Aktuale

Vrasjet që tronditën Kosovën gjatë vitit 2023

Më: 2 janar 2024 Në ora: 20:57
Foto ilustrim

Gjatë vitit 2023, janë regjistruar 27 raste të vrasjeve, shifër që është në rritje pasi që vitin e kaluar numri i këtyre veprave ishte 21. Kronika në vazhdim sjellë detajet nga vrasjet që tronditën vendin.

Javën e fundit të nëntorit, Kosova u trondit nga vrasja e një gruaje.

Liridona Ademaj u privua nga jeta nga dy grabitës të cilët shtien me armë zjarri në drejtim të saj e cila ishte në veturë bashkë me familjen e saj.

E dy ditë pas vdekjes së saj, Policia e Kosovës arrestoi të dyshuarit kryesor, ku ndër ta doli të jetë edhe bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli.

Ai po dyshohet se në mënyrë dinake dhe me pagesë, angazhoi dy persona tjerë paraprakisht që ta kryenin këtë vrasje.

Por, viti 2023 u karakterizua me një numër të madh të vrasjeve, krahasuar me vitet paraprake.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, gjatë këtij viti numri i vrasjeve ka arritur në 27, e që vitin e kaluar ishte 21.

Më 24 janar, në Kaçanik nga Policia ishte gjetur një burrë i moshës 48-vjeçare i vrarë në veturën e tij.

Më pas u bë e ditur se viktima ishte Nysret Cena, ku sipas hetimeve të para dyshohej se persona të panjohur në Kaçanik të vjetër nga afërsia kishin gjuajtur breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin.

E më 14 prill një grua ishte ekzekutuar në Pejë, ku i dyshuar ishte djali i saj. Sipas aktakuzës, i dyshuari i kishte shkaktuar viktimës mbi 20 plagë në pjesë të ndryshme të trupit, e që dyshohet se i njëjti kishte probleme mendore.

Ndërsa, më 25 qershor të vitit 2023 kishte ndodhur një vrasje për tokë në qytetin e Gjakovës, ku i dyshuari kishte deklaruar se dy vëllezërit i vrau në vetëmbrojtje.

Vrasje tjetër ndodhi edhe në Viti më 21 korrik, ku një 17-vjeçar mbeti i vrarë, pasi që nuk mundi t’iu mbijetojë plagëve të marra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.

Kurse, gjatë muajit gusht kishin “lulëzuar” vrasjet në vend ku ishin 5 vepra të tilla.

Më 2 gusht, një shtetase argjentinase ishte vrarë nga i dashuri i saj në Fushë Kosovë. Ajo ishte hedhur nga i dyshuari nga dritarja e katit të lartë në një ndërtesë në këtë qytet.

Teksa më 5 gusht, u privua nga jeta një person nga disa të shtëna me armë zjarri që ndodhën në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

Përpos viktimës, aty mbetën të plagosur 6 persona si dhe 10 tjerë mbetën të lënduar.

Dy ditë pas, një person tjetër u vra në një kafiteri në qytetin e Klinës. Viktima dhe i dyshuari kishin lidhje familjare, ku dorasi fillimisht kishte ikur nga Policia, por që më pas ishte vetëdorëzuar.

Ndërkohë, më 10 gusht në një lokal që kishte muzikë në Skenderaj, u vra një 39-vjeçar dhe mbetën të plagosur tre të tjerë. Sipas hetimeve të para, nga Policia u tha se dy persona të maskuar kishin hyrë në kafiteri, kanë shtënë me armë zjarri dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Numri i madh i natyrës së kësaj vepre gjatë këtij muaji, bëri që të alarmohen të gjitha institucionet e sigurisë e drejtësisë.

Për parandalimin e kësaj dukurie, nga Policia e Kosovës filloi implementimi i operacionit “Goditja” që kishte qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Tëvë1 e kishte përcjell nga afër një operacion të tillë në rajonin e Prishtinës.

Zyrtarët policorë kishin kontrolluar disa vetura të dyshimta e ku te disa ishin konfiskuar edhe armë zjarri.

Gjatë këtij operacioni i cili kishte zgjatur më shumë se dy javë, në gjithë vendin ishin konfiskuar armë të ndryshme pa leje por edhe arrestuar persona të dyshimtë.

Edhe më 31 gusht kishte ndodhur një tjetër vrasje në fshatin Balincë të Malishevës, ku për vdekje ishte qëlluar një 29 vjeçar. Ngjarja kishte ndodhur në tregun e druve e për këtë rast ishin arrestuar tetë persona.

Kurse më 3 shtator të vitit 2023 një person i moshës 48-vjeçare ishte vrarë nga të shtënat me armë zjarri në lagjen Arbana në Prizren, ku dyshohet se i dyshuari ka shtënë më pushkë automatike nga automjeti në lëvizje.

Tjetër vrasje ishte raportuar më 11 shtator në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku kishte mbetur pa shenja jete një person. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në sytë e një fëmije 4-vjeçar.

Kurse, më 20 shtator në Banjë të Malishevës ishte gjetur pa shenja jete një person dhe se dyshohej që ishte qëlluar me armë zjarri, ku më pas ishte vetdorëzuar në Polici një person.

Katër ditë më pas, ndodhi një vrasje që u bë lajm edhe në media ndërkombëtare.

Afrim Bunjaku, rreshter policor kishte shkuar për të intervenuar në një barrikadë në Banjskë të Zveçanit.

Ai mbeti i vrarë aty nga një grup terrorist të cilët sulmuan Policinë e Kosovës gjatë asaj dite, e që më pas u arrit të neutralizohen disa prej tyre, teksa disa ikën nga vendi i ngjarjes.

Në konfrontim me Policinë mbeti i vrarë edhe një person më 30 nëntor në Prishtinë.

Ai dyshohet se ishte i përfshirë një grabitje të armatosur në Suharekë, ku bashkë me tre persona tjerë kishin vjedhur ari në vlerë prej 250 mijë eurosh.

Teksa, të shtunën e dytë të dhjetorit një 31-vjeçar vdiq në Dobërçan të Gjilanit pas plagëve të marra nga therja me thikë e që i dyshuari ishte shoku i tij, i cili më pas u arrestua.

E për të gjitha këto raste të krimeve gjatë këtij viti, koloneli i Policisë, Reshat Maliqi vlerëson se faktor janë edhe rrethanat ekonomike.

Po ashtu, ai thotë se edhe përdorimi i madh i substancave narkotike, është një indikator që çon në kryerjen e këtyre veprave penale.

Kurse, ish-shefi i hetimeve në Policinë e Kosovës, Rrahman Sylejmani thotë se deri tek kryerja e vrasjeve ndikon edhe mungesa e politikës ndëshkimore.

Teksa shton se duhet bërë më shumë punë nga institucionet e drejtësisë në parandalimin e këtyre rasteve.

Këtë vit, Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur një strategji kombëtare ku parashihet që brenda periudhës 2023 – 2027, të ketë një kontroll më rigoroze për posedimin e armëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat