Njohja e targave, Qeveria ende nuk bindet nga Serbia

Aktuale

Njohja e targave, Qeveria ende nuk bindet nga Serbia

Më: 3 janar 2024 Në ora: 00:10
Ilustrim

Ndër dekada, pengesa të shumta ka vënë përpara Serbia për kosovarët që kanë mësyrë të kalojnë me vetura me targa kosovare në territorrin e saj.

Por orët e para të vitit 2024, sollën ndryshimin kur për herë të parë u lejuan targat kosovare, pa mbulim të simboleve shtetërore të kalojnë nëpër pikat kufitare serbe.

Kjo po mirëpritet edhe nga qytetarët, e sidomos ata që bartin udhëtar pothuajse cdo ditë.

“Na deri tash menxi e kemi prit me padurim se nuk u kanë edhe ndonjë pengesë e madhe se ska pas punë 2 minuta, por qato 2 minuta të paktën nuk e kemi fiksim në krye me i ngjit ato tiket e me i mbulu targa është një punë e shkelqyer për qeverinë e Kosovës, që e ka bërë këtë punë na ka mundësu edhe neve si qytetaar të Kosovës, jemi krenar për këto punë”, tha Milaim Morina, shofer i autobusit.

“Është shumë vendim i mire, shumë i qëllum”, tha një qytetar.

Veprim të mirë, por të vonuar e sheh një qytetarr tjetër.

“E kam parë, e mirëpresim u dasht mu bë edhe më herët është vendim i mire, por pak i vonuar, rrugës ka erdha pash fluks në kufi Serbi – Kroaci, me targa të Kosovës, është gjë e mirë”, tha Astrit Hasanaj, qytetar.

Por, qytetarët me targa të Serbisë, edhe më tutje u duhet të ndalojnë e të mbulojnë simbolet e tyre, cka sipas tyre kjo tashmë është e panevojshme.

“Edhe Kosovës edhe Serbisë, i përshtatet. Nuk ka nevojë tani të shkëputet tiketa, dhe ne nuk kemi nevojë të ngjesim e të heqim tiketat. Ashtu krijojmë vetëm probleme, nëse thuhet “merrni ngjitni, e këputni keto letra”. Keshtu tash shkohet edhe ne Serbi edhe ne Kosove më lehtë me regjistrimet e te dyja vendeve”, tha Ajder Ferati, qytetar.

Në pikën kufitare në Merdare në pjesën e palës serbe, po qëndron tabela me deklaratën, ku thuhet se lejimi i kalimit të veturave me targa RKS nuk e paragjykon statusin final të Kosovës, e as nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për ta devijuar rezolutën 1244.

Nga qeveria e Kosovës, nuk janë përgjigjur nëse do të veprohet njëjtë, duke lejuar lëvizjen e lirë të veturat me targa të Serbisë.

Kryeministri Kurti, javën e kaluar kishte thënë se do të presin të shohin nëse vendimet e Serbise do zbatohen në praktikë.

“Vendimin tonë të barasvlefshëm si çështje e marrëdhënieve reciproke do ta marrim sapo që policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj. Besojmë se kjo qasje është e drejtë përveçse e arsyeshme”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Pas vendimit të qeverisë serbe, edhe Bashkimi Evropian ka theksuar se pritjet nga Kosova janë që të ketë një përgjigje të ngjashme për veturat me targa serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat