​8 milionë euro buxhet këtë vit për Shërbimin Korrektues

Aktuale

​8 milionë euro buxhet këtë vit për Shërbimin Korrektues

Më: 3 janar 2024 Në ora: 10:16
Ismail Dibrani

14 zyrtarë korrektues në dy vitet e fundit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Prej tyre disa kanë përfunduar në burg, disa janë larguar nga puna e disa të tjerë janë ballafaquar me organet e ndjekjes.

Kështu deklaron drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i cili thotë se gjatë dy viteve kanë qenë 120 raste të parandalimit të futjes së substancave narkotike dhe telefonave në burgjet e Kosovës. Në intervistën për KosovaPress, ai flet edhe për projektet në vitin 2024, dhe për buxhetin prej 8 milionë euro.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani deklaron se viteve paraprake kanë munguar projektet madhore për shkak të buxhetit. Më tej, zotohet se viti 2024, do të ketë rekord të investimeve kapitale.

“Në investimet kapitale për vitin tjetër (2024), përveç ndërtimit të burgut të ri që është burgu i Prizrenit, ndërtimi i burgut të grave në Lipjan, renovimi i burgut të Gjilanit, ndërtimi i shtëpisë së nënave atje, renovimi i teatrit të burgut të Dubravës, është edhe zgjerimi i kapaciteteve në Institutin e Psikiatrisë Forenzike. Si asnjëherë më parë vetëm në vitin 2024, planifikohen të investohen 8 milionë euro investime kapitale. Pothuajse të gjitha këto projekte që i përmenda më lartë janë projekte dy ose tri-vjeçare”, deklaron Dibrani për KosovaPress.

Udhëheqësi i burgjeve të Kosovës, konsideron se viti i kaluar ka qenë ndër më të suksesshmit për ndalimin e kontrabandës.

“Për dallim prej viteve të kaluara edhe vitin që po e lëmë pas, kemi shënuar rekord në raport me parandalimet e futjes së kontrabandës brenda institucioneve. Dukuri e cila është vështirë të eliminohet apo të vije deri tek niveli zero, sepse ka lloj-lloj mënyrash apo metodash të cilat edhe familjarët por edhe personat e tjerë, fatkeqësisht edhe raste të izoluara, kur stafi tentojnë ta fusin kontrabandën brenda. Por ajo që është e rëndësishme është se prapë edhe vitin që lamë pas kemi shënuar rekord në raport me parandalimin e futjes së kontrabandës brenda institucioneve korrektuese. Kryesisht tek familjarët dhe kompanitë që furnizojnë institucionet tona me artikuj të ndryshëm...Vetëm dy vitet e fundit kemi 120 raste të parandalimit të futjes së kontrabandës, kryesisht janë narkotikë dhe telefona, ka edhe dukuri të tjera negative”, shprehet ai.

Përveç parandalimit në futjen e kontrabandës, ka raste kur të burgosurit ndihmohen nga vetë zyrtarët korrektues.

“Në dy vitet e fundit kemi 14 raste kur zyrtarët korrektues përfshirë mbikëqyrës, mbikëqyrës të lartë dhe oficerë janë përfshirë në dukuri negative apo edhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ka prej tyre që kanë përfunduar në burg, ka prej tyre që janë larguar nga puna, ka prej tyre që janë duke u ballafaquar edhe me organet e ndjekjes”, thekson ai.

Gjatë këtij viti, drejtori i burgjeve të Kosovës thekson se do të mbyllen dy burgje.

“Ne kemi dy burgje të cilat nuk i plotësojnë standardet më të mira evropiane për të funksionuar. Është burgu i Pejës dhe Burgu i Prizrenit për shkak të vjetërsisë dhe infrastruktura nuk i plotëson kriteret apo nevojat të cilat i kemi si shërbim. Ne kemi vendosur që këto dy burgje të mbyllen dhe të ndërtohet një burg i ri i cili i shërben të gjithë rajonit të Dukagjinit, përfshirë Gjakovën, Sukarekën, Prizrenin, Rahovecin, Ferizaj, Shtimen sepse nuk do të jetë vetëm qendër e paraburgimit, ku do të jetë edhe qendër korrektuese, në një masë do ta lehtësojë edhe Burgun e Dubravës , sepse familjarët nga vise të ndryshme, vise të largëta të Kosovës do ta kenë më të lehtë vizitimin e tyre në burgun e Prizrenit”, deklaron Dibrani.

Teksa flet për projektet që do të zhvillohen gjatë këtij viti, Dibrani thotë se do të ndërtohet edhe burgu i grave me standardet më të larta ku do të ketë edhe ndarje të veçantë.

Drejtori i ShKK-së, Ismail Dibrani është optimist që Kuvendi do të miratojë marrëveshjen me shtetin danez.

“Unë besoj që kjo do të kalojë sepse unë kam marrë pjesë vet në komision në parlament dhe është votuar nga të gjitha partitë. Me aq sa e kam përcjellur edhe seancën kur është shtyrë, sepse nuk është kundërshtuar marrëveshja, sepse janë kërkuar nga disa deputetë informacione shtesë dhe po shpresojë që kjo marrëveshje do të rikthehet në parlament dhe do të kalojë. Sepse nga kjo marrëveshja fiton Kosova, natyrisht përveç të mirave materiale, sepse ju e dini që ne nga kjo marrëveshje i përfitojmë gjashtë milionë euro për energji të ripërtërishme si vend dhe 15 milionë euro buxhet vjetor, aq sa e kemi pasur afërsisht deri më tani për krejt Shërbimin Korrektues të Kosovës, përfshirë 2700 të burgosur dhe afër 1700 staf korrektues, përfitojmë të njëjtin buxhet për një burg i cili ka kapacitet 300 shtretër. Përveç kësaj në këtë burg do të zbatohet rendi shtëpiak danez dhe ne do të marrim praktikat më të mira të sistemit danez”, përfundon Dibrani për KosovaPress.

Marrëveshja me shtetin danez parasheh transferimin e 300 të burgosurve në Kosovë.

Dibrani thotë se gjatë vitit të kaluar janë realizuar shumë projekte të ngritjes profesionale të stafit, është përmirësimit të infrastrukturës por edhe themelimin e Institutit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta. Po ashtu, përmend edhe hapjen e konkursit ‘vetëm gra’, ku janë punësuar 50 oficere korrektuese.

Tutje, thekson se prioritete për këtë vit mbeten kompletimi i infrastrukturës, ndërtimi i burgjeve të reja, renovimi i burgjeve të vjetra dhe ngritja profesionale e stafit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat