Pozhari e kritikon Memli Krasniqin, e mbron Qeverinë Kurti: PDK-ja s’ka fytyrë të flas për veriun

Aktuale

Pozhari e kritikon Memli Krasniqin, e mbron Qeverinë Kurti: PDK-ja s’ka fytyrë të flas për veriun

Më: 3 janar 2024 Në ora: 19:39
Xhevdet Pozhari

Xhevdet Pozhari, ka shkruar një status, në të cilin ka komentuar deklaratën e Memli Krasniqit, kryetar i PDK-së, rreth zgjedhjeve të parakohshme.

Në fakt, Pozhari ka kritikuar Krasniqin dhe PDK, duke shkruar se PDK-ja nuk ka fytyrë të flas për veriun.

Tutje, ai ka mbrojtur vendimet e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, në lidhje me veriun e Kosovës.

“Por, nëse PDK-ja kërkon zgjedhje, vetëm për veri nuk ka fytyrë të flas. Për atë veriun ku dikur shëtitej me varkë Hashim Thaçi në kohë zgjedhjesh, me lejen e Vuçiqit. Ndërsa, Ramush Haradinaj shkonte për të kërkuar votat e koalicionit.” – shkroi ai.

Postimi i plotë:

Memli Krasniqi paska paralajmëruar zgjedhje gjatë këtij viti.

Si dështim kryesor të kësaj Qeverie i paska përmendur masat që BE ka ndërmarrë ndaj Kosovës.

Masat e BE-së ndaj Kosovës janë standardi më i padrejtë dhe më i poshtër që ndonjëherë është aplikuar ndaj ndonjë shteti pro-evropian. Ato u ndërmorren ndaj Kosovës për shkak se BE kishte konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri. Asokohe, nga huliganë serb sulmoheshin gazetarë dhe ushtarë të KFOR-it. Digjej çdo veturë që regjistrohej me targa RKS. Për çdo gjë që shkaktonte Serbia, fajësohej Kosova!

Dy muaj pas këtyre masave, të cilat opozita më me dëshirë i quan sanksione, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, me direktivë të drejtpërdrejtë nga Vuçiçi. Sot e kësaj dite BE nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndaj regjimit të këtij shoveni. Ndonëse ekzistojnë të gjitha provat, ndërsa terroristët u shpallën heronj në Serbi.

6 muaj pas masave, realiteti në terren:

- Serbët në veri do të paguajnë rrymën;

- Serbët kanë regjistruar veturat RKS;

- Vazhdojnë të mbyllen vendkalimet ilegale;

- Shkatërrohen laboratorët e drogës dhe të kriptovalutave;

- Në veri gjobiten bizneset që shesin produkte të kontrabanduara, pa doganë;

- Janë larguar kamerat e sigurisë që monotiroheshin nga shërbimet e sigurisë;

- I kanë zhveshur uniformat policë e doganierë që paguheshin me buxhetin e Kosovës, ndërsa i shërbenin Serbisë;

- Është parandaluar sulmi terrorist, falë sakrificës së policisë dhe rënies së një heroi;

- Janë mbajtur zgjedhjet më të turpshme në Serbi, ndërsa "The Guardian" sot shkruan për regjimin autoritar të atij që i farkoi ëndrrat në djepin e nacionalizmit të Millosheviqit;

Ka edhe shumë zhvillime të tjera lidhur me veriun. Unë përmenda vetëm disa që janë publike.

Por, nëse PDK-ja kërkon zgjedhje, vetëm për veri nuk ka fytyrë të flas. Për atë veriun ku dikur shëtitej me varkë Hashim Thaçi në kohë zgjedhjesh, me lejen e Vuçiqit. Ndërsa, Ramush Haradinaj shkonte për të kërkuar votat e koalicionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat