2023-ta, vit i draft-statuteve të Asociacionit

Aktuale

2023-ta, vit i draft-statuteve të Asociacionit

Më: 3 janar 2024 Në ora: 20:00
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajcak, dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell, në Bruksel, 2 maj 2023.

Përpjekjet një dekadëshe të ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe morën kthesën kyçe në vitin 2023.

Ky mund të cilësohet si viti në të cilin kanë qarkulluar më së shumti draft-statute të këtij mekanizmi. I pari u përgatit për disa muaj nga fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” dhe u publikua në fund të janarit.

Dokumentin, FES-i e quajti bazë të mirë për diskutim, derisa mohoi se ai parasheh kompetenca ekzekutive apo pushtet të tretë. Mirëpo ai u kundërshtua nga zyrtarë të partisë në pushtet.

Një kundërshtim të tillë e mori edhe drafti që është hartuar nga Ekipi Menaxhues, i përbërë me shumicë nga serbët. Ai u prezantua në takimin e 2 majit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi, anëtarët e ekipit u shkarkuan nga Qeveria Kurti, kurse ekipi si tërësi u shpërbë.

Ndërsa në mes të vitit, kur Qeveria Kurti ishte në kulmin e përplasjeve me Perëndimin për shkak të situatës në veri, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dha një lajm befasues.

Ai njoftoi se u ka dërguar Francës dhe Gjermanisë një draft-statut të Asociacionit, të cilin Kosova s’po e hartonte. Pjesë të këtij dokumenti rrodhën në media, por nuk u konfirmuan ndonjëherë nga iniciuesi i tij.

Mirëpo, ky veprim u kundërshtua nga Kurti. Por kryeministri do ta pranonte për shqyrtim një tjetër draft, ai që u hartua nga BE-ja dhe ShBA-ja.

Ai iu dorëzua në tetor nga përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme perëndimore. Përmbajtja e tij nuk publikua kurrë nga palët, por një version që doli në publik nuk u mohua nga pjesëmarrësit në proces.

Qysh në fillim përmendet se statuti bazohet edhe në rezolutën 1244 të OKB-së, derisa në fund të tij parashihet një arbitrazh ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale mes Asociacionit dhe Institucioneve të Kosovës.

Ky dokument u kundërshtua ashpër nga opozita me pretendimin se ai u jep serbëve autonimi, gjë e cila u mohua nga ndërkombëtarët.

Nisjen procedurave për themelimin e Asociacionit, Kurti e ka kushtëzuar me nënshkrimin e këtij drafti nga Serbia, bashkë me marrëveshjen bazike të dakorduar.

Për t’i shuar dilemat, draft-statuti pritet t’i nënshtrohet testit të Gjykatës Kushtetuese.

2023-ta, sipas njohësit të çështjeve politike Visar Ymeri, ka dëshmuar që themelimi i Asociacionit është i pashmangshëm. Ai thotë se viti që lam pas tregoi po ashtu se sa më shumë që vonohet ky proces, aq më shumë pasoja do të ketë.

“Nëse e bëjmë një lloj krahasimi në mes të drafteve, pra ka shumë ngjashmëri në gati se thelbin kryesor. Ka disa ndryshime që kanë pësuar prej draftit në draft dhe duket që secili prej këtyre drafteve në njëfarë mënyre i ka marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 por më shumë në aspektin formal sesa përmbajtësor”, tha Ymeri.

Sikur Asociacioni të ishte themeluar më herët, opinionistja Besa Luzha thotë se tani Kosova do të ishte në pozitë shumë më të mirë.

“Kjo histori e këtij draft-statuti vërtetë ndoshta ka marrë shumë kohë por tash ka ardhur fundi dhe nuk bën më të hezitojmë, duhet të përfundojë ky proces dhe të ofrohet te Gjykata Kushtetuese apo te mekanizmat që janë të paraparë, të shihet dhe të ofrohet te pala që e ka kërku dhe ne në njëfar mënyre ne jemi të qetë sepse i kemi përfunduar obligimet tona deri në fund e pastaj pala tjetër të shohim se si do të reagojë”, tha ajo.

2023 doli të jetë viti në të cilin ndërkombëtarët arritën synimin e kamotshëm për dakordimin e palëve rreth draft-statutit. Por, sfidues mbetet pranimi formal dhe themelimi i Asociacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat