​Politika e jashtme në gjumë, s’pati njohje e as anëtarësim në organizata gjatë 2023

Aktuale

​Politika e jashtme në gjumë, s’pati njohje e as anëtarësim në organizata gjatë 2023

Më: 4 janar 2024 Në ora: 11:52
Foto ilustrim

Kosova e ka përmbyllur vitin 2023 pa asnjë njohje të re dhe as anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Fajtor kryesor sipas partive opozitare dhe njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare është diplomacia kosovare, e cila sipas tyre ka dështuar në politikën e jashtme.

Në anën tjetër, në partinë në pushtet, thonë se institucionet kosovare dhe në veçanti Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë hapa përpara për të fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, duke përmendur kalimin e fazës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa theksojnë se po punohet vazhdimisht për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për KosovaPress se vendi nuk ka shënuar asnjë progres në politikën e jashtme gjatë vitit 2023.

Ajo thekson se është krijuar një hendek i madh sa i përket njohjeve të reja, ku akuzon kryediplomaten kosovare, Donika Gërvalla se ka dështuar të përçojë të vërtetën te bashkësia ndërkombëtare edhe sa i përket sulmit terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë.

“Vlerësoj se jo vetëm që nuk është bërë asnjë hap përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ne jemi vend që jemi nën masa të BE-së, kjo është tragjedia që i ka ndodhur vendit tonë sa i përket politikës së jashtme. Kjo mbetet vetëm një tentativë siç kanë mbetur edhe tentativat të tjera siç është ajo për Këshill të Evropës, por edhe në organizatat të tjera që kjo qeveri ka paraparë të anëtarësohet. Por fatkeqësisht kemi një dështim në këtë fushë, dështim i cili nuk i ka ndodhur Republikës sonë asnjëherë nga paslufta...Politika e jashtme ka pasur një shanse të mirë sidomos pas datës 24 shtator, është dashur të shfaqet e vërteta që ka ndodhur në Kosovë. Ne jemi shtet sovran që ka qenë nën sulm, akt terrorist nga Serbia dhe deri më sot nuk kemi arritur të përçojmë të vërtetën te vendet e BE-së”, thotë Musliu-Shoshi.

Kritike ndaj diplomacisë kosovare është edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.

Ajo thotë për KosovaPress se vitit 2023 është fatkeq për politikën e jashtme të Kosovës, pasi gjenden nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

“S’ka njohje, s’ka as një anëtarësim në organizata ndërkombëtare, po ashtu është dëmtuar subjektiviteti i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nuk e di se cili do të jetë fokusi dhe çka do të bëjnë që edhe në të kthehemi në agjendën evropiane dhe të hyjmë në rend të ditës për anëtarësim në BE, por edhe organizata të tjera ndërkombëtare, e cila nuk ka ndodhur. Kemi pasur rastin e Këshillit të Evropës, që ka qenë një momentum i mirë, por ende kemi ngelë në fazën e parë”, deklaron Kadrijaj.

Mirëpo, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh, anëtar i Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, Gazmend Gjyshinca, thotë se procesi i njohjeve të reja, por edhe i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare po ndërlidhen me dialogun me Serbinë.

Sipas tij, institucionet kanë bërë çdo gjë të mundshme për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Ajo çfarë i takon Kuvendit dhe qeverisë, dhe institucioneve të tjera është që t’i marrin mësimet prej dështimeve dhe prej aty ku mund të bëhet më shumë. Të hapim një vit të ri, i cili do të jetë vit i implementimit në veçanti të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe përfaqësimin në përgjithësi të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës...Për sa i takon Kosovës dhe institucioneve të saj është bërë çdo gjë e mundshme dhe e duhur që të ecim përpara. Në këtë kuptim ka qenë aplikimi ynë për Këshill të Evropës, aplikimi për statusin e vendit kandidat, po ashtu edhe nismat afruese drejt partneritetit për paqe për NATO-n. Tashmë ajo çka duhet të themi është se ka pasur edhe një dinamikë të brendshme në BE apo NATO që lidhet me vendet mos njohëse që po e bllokojnë rrugëtimin përpara të Kosovës”, thekson Gjyshinca.

Në anën tjetër, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress se diplomacia kosovare nuk mund të krenohet me asgjë gjatë vitit 2023.

Megjithatë, ai kritikon edhe Bashkimin Evropian se po ndërlidh anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare me dialogun me Serbinë.

“Çështja e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare po ndërlidhet maksimalisht me procesin e dialogut. Tani kushtëzimet janë të padrejta dhe kjo është një qasje e gabuar e BE-së në raport me Kosovën. Kur e them këtë aludoj te aplikimi për anëtarësim në Bashkim Evropian, e të ngjashme të gjitha procedurat që nuk ka pasur përparim ose as nisje për të cilat nuk mund të krenohet askush. Pastaj kemi edhe Këshillin e Evropës, një mekanizëm për të cilin Kosova i ka shterë të gjitha nevojat dhe obligimet e veta dhe është e gatshme të jetë aty. Kjo po ndërlidhet me dialogut. Kurse pjesa tjetër angazhimi i MPJD-së në njohje të reja ka qenë jashtëzakonisht në detyrën e duhur, kemi pasur ngecje të fuqishme. Pritjet që të ketë ristrukturim të mirëfilltë në MPJD, për të cilën është thënë se ka pasur angazhim edhe këtu kemi një dështim fiasko. Politika e jashtme e Kosovës nuk mund të krenohet me asgjë në këtë periudhë 1 vjeçare të përmbylljes së vitit 2023”, deklaron Maloku.

Kosova, njohjen e fundit e ka pasur nga Izraeli, tri vjet më parë, e cila erdhi si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova gjatë këtij viti ka kaluar fazën e parë për anëtarësim në Këshill të Evropës, ndërkaq aplikimi për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është shqyrtuar fare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat