Deputeti i PDK-së: Kurti nuk e formon Asociacionin këtë mandat, do të ishte vetëvrasje politike për të

Aktuale

Deputeti i PDK-së: Kurti nuk e formon Asociacionin këtë mandat, do të ishte vetëvrasje politike për të

Më: 4 janar 2024 Në ora: 16:31
Hisen Berisha

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë temë edhe e këtij viti.

Kjo, pasi që mes këtyre dy vendeve ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Temë kyçe e cila po vazhdon të jetë në krye të dialogut është Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Megjithatë, Asociacioni nuk është themeluar ende, nga frika se kompetencat e tij të gjera mund të ndikojnë në funksionalitetin e shtetit.

Bashkësia ndërkombëtare, së voni, ka rritur trysninë mbi Kosovën për ta formuar atë dhe mbi Serbinë për ta njohur de facto Kosovën, duke e parë këtë si rrugë të vetme për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Ndërsa, pikërisht për këtë çështje sot ka folur ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.

Ai ka thënë se Asociacioni do të themelohet këtë vit dhe do të jetë sipas ligjeve të Kosovës.

Pas kërkesave të shumta të faktorit ndërkombëtar se Qeveria duhet ta themelojë asociacionin në bazë të draft-statutit të propozuar nga BE-ja, kryeministri Albin Kurti ka thënë se BE-ja dhe presidenti serb Vuçiq e kanë humbur shansin më 26 tetor në Bruksel, kur ai ishte i gatshëm ta nënshkruajë Asociacionin, ndërsa Vuçiq jo.

Por deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk do ta themelojë këtë vit Asociacionin.

Dhe, këtë e thotë për një arsye.

“Ky taktikisht në aspektin strategjik politik nuk e bën Asociacionin në këtë mandat sepse është vetëvrasje politike për të. Të gjithë e dimë se ajo është një shtet paralel dhe çfarë është taktizimi i tyre. Dalja tani për retorikë, për konsumim të brendshëm, dalja hapur kinse jemi kundër këtij drafti dhe kundër themelimit të Asociacionit, do ta ndërtojë kauzën e tij dhe në zgjedhje do të shkojë pikërisht me këtë formulë. Ne nuk bëjmë Asociacion, urdhëroni votoni të tjerët nëse dëshironi me bë”, është shprehur Berisha.

Sipas tij, pavarësisht kësaj Asociacioni po implementohet në heshtje.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha për Front Online thotë se kjo Qeveri e ka pranuar Asociacionin.

Sipas tij, Asociacioni është temë e përfunduar dhe implementimi i tij tashmë ka filluar.

“Por, në fakt këta e kanë pranuar marrëveshjen në muajin tetor, pra e kanë pranuar draftin dhe kanë prit vetëm që ai të nënshkruhet, kurse marrëveshjet ndërkombëtare të karakterit të tillë pa nënshkrim ato implementohen sepse janë detyrime që i ka pranuar, e ka fut edhe shtetin në zotim para bashkësisë ndërkombëtare. Pra, tani po spekulon me retorikën mashtruese të zakonshme, përndryshe kjo temë është e përfunduar dhe implementimi i saj ka filluar”, është shprehur Berisha.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat