Azemi: 30 për qind e punëtorëve të sektorit privat me kontrata pune jashtë vendit

Aktuale

Azemi: 30 për qind e punëtorëve të sektorit privat me kontrata pune jashtë vendit

Më: 4 janar 2024 Në ora: 19:16
Jusuf Azemi

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka folur për ndikim që do të ketë liberalizimi i vizave në ikjen e punëtorëve jashtë Kosovës.

Ai ka theksuar se 30 për qind e punëtorëve të këtij sektori tashmë kanë lidhur marrëdhënie pune me pronar të huaj.

Po ashtu Azemi konsideron se punëtorët që janë paguar nën pagën 500 euro, do të ikin nga vendi dhe nuk do të kthehen.

“Tani për tani nuk kemi nevojë të shqetësohemi, ata që i kanë kushtet e mira do të vazhdojnë, ata që jo do të dalim. Mendoj që vetëm do të kemi përfitime nga liberalizimi. Tek ne është cunguar një e drejtë që e ka pasur rajoni, tani e kemi rrugën e hapur, ne do të jemi aty ku është më mirë. Shtete perëndimore kanë qenë dorëlirë në dhënien e lejes së punës. Me bisedat që kam pasur rreth 30 për qind e punëtorëve thonë se kanë një kontratë pune me pronarët jashtë vendit. Pjesa tjetër mendoj që do shkojnë vetëm për vizitë, do të strehohen aty dhe do ta hulumtojnë tregun atje”, ka thënë ai.

Megjithatë sipas tij, nëse kompanitë përmirësojnë kushtet e punës, nuk do të ketë mungesë të fuqisë punëtore në Kosovë.

“Kompanitë mund të ndikojnë qysh nesër për ta ndal fluksin e ikjes së punëtorëve. Mendoj që aty ku nuk është trajtuar mirë punëtori, normal që nuk duhet llogaritur më në ata punëtorë. Nuk po shkojnë për tu kthyer, po shkojnë për ta ndërtuar një mirëqenie sociale. Ata që kanë marr pagën nën 500 euro nuk do të kthehen”, ka shtuar ai.

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari kanë fituar të drejtën të udhëtojnë pa viza në 26 vendet e zonës Schengen. Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat