Gërxhaliu: Kosova s’ka pse të alarmohet për ikjen e punëtorëve, mund të përfitojë nga liberalizimi i vizave

Aktuale

Gërxhaliu: Kosova s’ka pse të alarmohet për ikjen e punëtorëve, mund të përfitojë nga liberalizimi i vizave

Më: 5 janar 2024 Në ora: 12:08
Safet Gërxhaliu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, nuk e sheh liberalizimin e vizave si shkas për ikjen e punëtorëve kosovarë.

Ai është shprehur se situata nuk është alarmante e se “nuk ka nevojë për panik”, por për përmirësim kushtesh e rritje pagash të punëtorëve.

Sipas Gërxhaliut, Evropa nuk është më si ka qenë dhe se ata që e kanë pasur ndërmend të ikin nga Kosova, e kanë bërë këtë në 10 vitet e fundit. Po ashtu, ai thotë se edhe qytetarët e kanë të qartë se liberalizimi nuk do të thotë leje pune për kosovarët.

Madje, ai liberalizimin e vizave e sheh si një mundësi për Kosovën, nëse Qeveria di si ta shfrytëzojë dhe aktivizohet në tërheqjen e investimeve.

Ndërsa, teksa foli për sfidat me të cilat po përballet Kosova, ai ka thënë se edhe viti 2024 “do mbetet në hijen e agjendës politike”, me presione nga BE-ja e ShBA-ja dhe me probleme që rrjedhin nga dialogu Kosovë-Serbi.

“Shumë sfida dhe probleme të 2023-ës po barten të papërfunduara në vitin 2024, mjerisht apo fatkeqësisht edhe 2024 do mbetet në hijen e agjendës politike. Kemi presione nga BE-ja e ShBA-ja, e dyta s’ka perspektivë pa stabilitet në vend dhe kjo po lidhet me dialogun Kosovë-Serbi, e me masat e buta të BE-së. Këto jo vetëm që sjellin dëme ekonomike e politike, por edhe psikologjike pasi pasojat barten nga aspekte të ndryshme emocionale. Kjo vërtet e dëmton imazhin e Kosovës, andaj po mbetet pak hapësirë për shpresë së rimëkëmbjes dhe qasja e Qeverisë si më shumë sociale se sa zhvillimore e bën të mendohet se ndoshta 2024 vit i zgjedhjeve”, tha ai.

Sipas Gërxhaliut, liberalizimi i vizave është një vendim i merituar për qytetarët e Kosovës por edhe i vonuar.

“Këtu është punuar edhe në të kaluarën, ka pasur kritere shtesë të përmbushura që Kosova i ka realizuar, pa meritë Kosova ka qenë e ndëshkuar. Në një periudhë kohore afatshkurtër do ketë lëvizje më të madhe të qytetarëve të Kosovës në drejtim të Evropës sepse falë mungesës së lirisë, Evropa është shndërruar në një mollë të ndalur. Mirëpo fakti që liberalizimi nuk nënkupton me automatizëm leje pune, qëndrimi do zgjasë deri në 90 ditë, është evident dhe e din qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve ekonomike ka thënë se nga liberalizimi, Kosova mund të përfitojë me vizita e kreativitete në ekonomi, dhe nëse Qeveria di si ta shfrytëzojë do të ketë edhe investime nga jashtë.

“Nuk duhet të ngritët panik, nuk duhet të alarmohet një gjendje e tillë pasi ata që e kanë pasur ndërmend largimin nga Kosova janë larguar në 10 vitet e fundit. Andaj, besoj që pritet shumë më tepër vizita e kreativitete në ekonomi. Pa panik sepse vërtetë që Evropa nuk është siç ka qenë në të kaluarën . Vendet më të fuqishme në Evropë sot janë në recesion ekonomik dhe kjo e vështirëson situatën për të qëndruar në Evropë, dhe kur dihet se standardi i Kosovës dallon, do të ketë tentativa për kthim në Kosovë”, është shprehur Gërxhaliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat