Sondazhet për partitë politike/ Ymeri: Nuk mendoj se do të ketë rezultate spektakulare në zgjedhje sikur ato të vitit 2021

Aktuale

Sondazhet për partitë politike/ Ymeri: Nuk mendoj se do të ketë rezultate spektakulare në zgjedhje sikur ato të vitit 2021

Më: 5 janar 2024 Në ora: 19:23
Visar Ymeri

Në një sondazh të publikuar së fundmi sa u përket partive politike, Lëvizja Vetëvendosje ka rënë nën 50%.

Ani pse këta po thonë se në zgjedhjet e ardhshme, do të kalojnë përsëri këtë përqindje.

Por edhe partitë opozitare po deklarojnë se do të fitojnë bindshëm në zgjedhjet e ardhshme.

Lidhur me këtë drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Visar Ymeri, thotë se një gjë e tillë është vështirë të parashikohet, pasi që e rëndësishme është se si shkohet në zgjedhje, nëse shkohet.

“Është vështirë të parashikojmë një situatë elektorale tash, meqë ka shumë rëndësi se si po shkojmë në zgjedhje (nëse shkojmë), dhe për çka po shkojmë. Pra ka rëndësi a do të shkojmë në zgjedhje si rrjedhojë e rrëzimit të qeverisë, apo si rezultat i dorëheqjes së qeverisë”, është shprehur Ymeri.

Ai ka shpjeguar se përse po e thotë këtë.

“Rrëzimi mund të jetë moment fitoreje për opozitën. Dorëheqja mund të interpretohet si ikje nga përgjegjësia dhe dorëzim para trysnisë, gjë të cilën nuk mendoj se do ta dëshironte kryeministri Kurti. Gjasat më të mëdha janë që pushteti t’i quaj zgjedhjet si një lloj referendum (në këtë rast edhe për marrëveshjen). Mirëpo kjo është e vështirë të interpretohet kështu marrë parasysh se në zgjedhje do të shkonim pas pranimit të marrëveshjes e jo para saj. Para se të pranohej edhe mund të ketë kuptim të pyeten qytetarët. Pas pranimit të marrëveshjes nuk ka kurrfarë kuptimi”, ka shtuar ai.

Ymeri mendon se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë rezultate spektakulare siç ka ndodhur në vitin 2021.

“Pastaj cili do të kishte me qenë pozicioni i VV-së karshi Asociacionit dhe Marrëveshjes në rast të zgjedhjeve? Se janë kundër? Kjo nuk ka kuptim. Prandaj nuk mendoj që këtë radhë do të kemi rezultate spektakulare në zgjedhje sikur ato të vitit 2021. Është situatë krejt tjetër që nuk ka përngjasim me atë kohë”, ka deklaruar ndër të tjera Ymeri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat