​Gazetarët nën mëshirën e askujt

Aktuale

​Gazetarët nën mëshirën e askujt

Më: 6 janar 2024 Në ora: 15:51
Foto ilustrim

2023-ta ishte viti më i vështirë pasi ka pasur më së shumti sulme që nga koha kur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i mban shënimet. Gazetarët u gjenden para sfidave të mëdha dhe pa mbrojtje e drejtësi, sidomos gjatë raportimit në veri të vendit, ku ishin afër 30 sulme vetëm gjatë fundit të muajit maj dhe fillimit të qershorit.

Sulmet e 16 qershorit për gazetarët ishin të qëllimshme nga serbët që protestonin në veri, madje ata dëgjuan organizatorët teksa thonin njëri-tjetrit për t’i sulmuar gazetarët atë ditë.

Gazetarët kujtojnë atë sulëm dhe situata të rënda në veri, teska shprehen të zhgënjyer me reagimin e institucioneve të siguri.

Sfidë ishte edhe në qytetet tjera të Kosovës. 73 sulme janë raportuar por pak nga ata morën drejtësi. Disa nga ata ende kujtojnë fjalët “Mos dil jashtë nëse dëshiron të jetosh edhe ndonjë ditë”.

Megjithatë, Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim, i ka thënë KosovaPress-it, se gjatë periudhës kohore janar-tetor të vitit të kaluar, janë trajtuar 28 raste që lidhen me gazetarët për veprat penale si kanosje, zjarrvënje, dëmtim prone, sulm dhe ndërhyrje në sistemin kompjuterik.

“Policia e Kosovës gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda është e autorizuar të bëj hetimin e të gjitha rasteve ku janë të përfshirë gazetarët gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe ku dyshohet se është cenuar liria e shprehjes. Gjatë periudhës kohore janar-tetor 2023, janë trajtuar 28 raste për veprat penale “Kanosje”-10 raste, “Zjarrvënja”-2, “Dëmtim prone”-7 “Sulm”-6,“Ndërhyrje në sistemin kompjuterik”-3. Lidhur me rastet e iniciuara pas veprimeve hetimore të cilat janë zhvilluar, në prokurori janë dërguar 11 raste me kallëzim penal kundër 13 personave të dyshuar, dy raste me raport të veçantë, pasi që nuk janë gjetur elemente të veprës penale, 6 raste me kallëzim penal kundër personave të pa njohur dhe 9 raste ende janë nën hetime. Në lidhje me rastet e cekura më lart, janë arrestuar dhe ndaluar 8 persona të dyshuar”, thuhet në përgjigjen Policisë.

Gazetari i emisionit KIKS në Klan Kosova, Herolind Ademi është kërcënuar nga Bujar Behrami, i cili kishte një IPTV ilegale. Ademi tha se pasi që Behrami kishte kuptuar që është gazetar, ai ka filluar ta kërcënojë me marrje jete.

Ademi: Më tha mos dil jashtë nëse dëshiron me jetu edhe ndonjë ditë

“Gjatë realizimit të një kronike hulumtuese në emisionin KIKS Kosova, në Klan Kosova , ne kemi hulumtuar disa nga IPTV ilegale, ne kemi kontaktuar me disa prej këtyre IPTV, njëri prej tyre ka qenë edhe Bujar Behrami nga Mitrovica .Gjatë hulumtimit, fillimisht jam prezantuar si klient, në mënyrë që të vërtetojë ilegalitetin e veprimtarisë së tij, gjatë informacioneve që i kemi marrë, të nevojshme për hulumtimin tonë, më pas i jemi prezantuar si gazetarë ….01:20 Tutje ka vazhduar edhe duke dërguar mesazhe kërcënuese në drejtim timin duke thënë që “të kam lokalizuar, mos dil, rri vetëm mbyllur sepse përndryshe do të pësosh keq’. Ai ka vazhduar me mesazhe tjera kërcënuese, me marrje të jetës si “mos dil jashtë nëse dëshiron me jetu edhe ndonjë ditë“, në mënyrë që të vazhdoj me qëllimin e tij që të anulojmë këtë hulumtim”, vijoi Ademi.

Ademi shtoi se duhet të merren masa më të rrepta nga gjykata në mënyrë që mos të përsëriten më këto kërcënime.

Ndërsa, gazetari i KosovaPress-it, Alidin Damati, i cili raportoi nga veriu i vendit, tha se është ballafaquar me situata të ndryshme duke u përfshirë edhe sulmet fizike.

Ai u shpreh se është i zhgënjyer me institucionet e drejtësisë, të cilët mbi 70 për qind të rasteve nuk kanë ndërmarrë veprime adekuate ndaj sulmeve, dhe si rrjedhojë e kësaj, autorët e këtyre sulmeve nuk janë identifikuar asnjëherë.

Damati: Në 70 % e rasteve, institucionet e drejtësisë s’kanë ndërmarrë veprime adekuate

“Ka shumë raste kur gjatë punës time, sidomos në veri jam ballafaquar me situata të ndryshme duke përfshirë këtu edhe sulme fizike, dhe për këtë kam folur disa herë. Mirëpo zhgënjimi im është tek institucionet e drejtësisë, të cilat përjashtojnë rastet gjatë vitit të fundit, në mbi 70 përqind të rasteve nuk kanë ndërmarrë veprime adekuate për këto sulme, çoftë ndaj meje apo edhe kolegëve të mijë, dhe si rrjedhojë autorët e këtyre sulmeve nuk janë identifikuar asnjëherë. Sa i përket zgjidhjes së këtij problemi, konsideroj se organet kompetente duhet të angazhohen më shumë në ofrimin e kushteve, dhe të sigurisë për gazetarët gjatë punës së tyre“, u shpreh ai.

Po ashtu, gazetarja e IndeksOnline, Laura Kerolli, e cila është sulmuar me shok-bombë në të dy këmbët e saj, në veri të Kosovës, më 16 qershor të vitit të kaluar, ka thënë se atë ditë në Leposaviq shumë gazetarë janë goditur pa mëshirshëm nga grupet kriminale.

Kerolli: Sulmi i 16 qershorit ndaj gazetarëve ka qenë i qëllimshëm

“E gjithë ngjarja realisht ka ndodhur shumë shpejtë, shumë gazetarë që ishim atë ditë në Leposaviq, jemi goditur pamëshirshëm nga grupet kriminale, jemi goditur me gurë, me gjësende shumë të forta. Unë personalisht jam goditur me shok-bombë, kam pësuar lëndime në të dy këmbët e mija, gjë që ka kaluar tashmë, por konsideroj që sulmi i 16 qershorit ndaj gazetarëve, ka qenë i qëllimshëm dhe aspak rastësi. Ne e kemi bërë punën tonë në ato kushte të pambrojtura, të pasigurt, por patjetër që duhet të ketë siguri për gazetarët, sidomos në raportimet e tilla”, tha ajo.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha tha se fokusi më i madh i sulmeve ishte në veri të Kosovës, pasi që kanë qenë rreth 30 sulme të gazetarëve.

Rexha theksoi AGK nuk mund ta mirëkuptoje situatën politike në veri, sepse besojnë që drejtësia duhet ta përfundoje punën e saj, pavarësisht se çfarë ndodhe me anën e politikës.

Rexha: Drejtësia ta përfundoj punën e vet pavarësisht çfarë ndodh me pjesën politike

“Viti 2023 është viti më i vështirë i të bërit gazetari, ka pasur më së shumti sulme që prej kohës kur AGK-ja, i mban shënimet ,natyrisht që fokusi më i madh është në veri të Kosovës, ku kanë ndodhur 30 sulme vetëm gjatë fundit të muajit maj dhe fillimit të muajit qershor...02:22 Disa persona janë arrestuar të cilët janë liruar, disa janë mbajtur 48 orë në paraburgim, të tjerë janë mbajtur më gjatë por janë liruar dhe po ndiqen duke u mbrojtur në gjendje të lirë. Kjo për ne është shqetësuese. I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë, që sulmet në veri kanë qenë të natyrës shumë të rëndë, ne nuk mund ta mirëkuptojmë situatën politike në veri, sepse ne besojmë që drejtësia duhet ta përfundoj punën vet, pavarësisht çfarë ndodh me pjesën politike”, theksoi Rexha.

Ai shtoi se AGK ka një bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Kosovës, por kur shkon rasti në prokuroria dhe gjykatat, atëherë gjykatat ngadalësohen dhe shkojnë me një ritëm i cili e humb edhe efektin e arritjes së drejtësisë.

Rexha: Kur shkon puna te prokuroria dhe gjykatat, gjërat ngadalësohen

“Në AGK e gjithë veprimtaria jonë është që të ngrisim kapacitetet edhe të gazetarëve dhe të mediave për ta kryer punën e tyre sa më mirë, në një ambient të sigurt. I përket organeve të sigurisë që të ofrojnë sikurse për secilin qytetarë, siguri edhe për gazetarët, ajo çfarë ne gjithmonë bëjmë thirrje është që të ketë prioritet në trajtimin e rasteve të gazetarëve, fatkeqësisht kjo nuk po ndodh. Shpesh kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Kosovës, por kur shkon puna tek prokuroria dhe tek gjykatat, atëherë gjërat ngadalësohen dhe shkojnë me një ritëm, i cili e humb edhe efektin e arritjes së drejtësisë, por gjithsesi thirrja jonë për gazetarët është që t’i denoncojnë menjëherë ,” vijoi ai.

E pas situatës së tensiunuar në veri dhe lëndimeve të gazetarëve, në nëntor është bërë shpërndarja e mjeteve mbrojtëse për gazetarët që raportojnë nga terrenet me rrezikshmëri, të dhuruara nga FPU dhe RSF – me ndërmjetësimin e zyrtares ligjore të European Centre for Press and Media Freedom ECPMF.

Mjetet mbrojtëse, jelekë antiplumb, helmeta dhe pakoja e ndihmës së parë, janë shpërndarë te 20 media (televizione dhe portale), që kanë raportuar nga pjesa veriore e Kosovës.

Përndryshe, në vitin 2022 janë sulmuar 33 gazetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat