‘Çarmatosja’ e qytetarëve, sfidë e kahmotshme për organet e rendit – zbulohen disa raste brenda një dite

Aktuale

‘Çarmatosja’ e qytetarëve, sfidë e kahmotshme për organet e rendit – zbulohen disa raste brenda një dite

Më: 7 janar 2024 Në ora: 08:07
Foto ilustrim

Posedimi i armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Ditëve të fundit janë zbuluar shumë raste të tilla, pasi shumë qytetarë kanë zgjedhur që natën e ndërrimit të motmoteve të festojnë duke shtënë me armë në ajër. Policia ka arritur që të identifikojë shumë prej të dyshuarve.

Media mëson se edhe dje në Gjakovë, Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës kanë bastisur një shtëpi në rrugën ‘Ilir Soba’. Kjo pasi një 38-vjeçar dyshohet se kishte gjuajtur me armë më 31 dhjetor. Gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një kallashnikov bashkë me karikatorë dhe disa fishekë, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor. Ndaj tij kanë nisur hetimet për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Një rast i armëmbajtjes pa leje u zbulua edhe në fshatin Videje të Klinës, pasi një person dyshohet se ka vrarë një qen, me arsyetimin se ia kishte ngrënë pulat. 61-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ndërsa arma që posedonte është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. I njëjti do të hetohet në liri për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Armën e shkrepi për Vitin e Ri edhe një person në Ferizaj. Kjo u bë sebep që 35-vjeçari të ftohet në stacion policor për intervistim, i cili ka pranuar se posedon armë pa leje. Arma në fjalë është sekuestruar nga Policia dhe me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Në pranga për armëmbajtje pa leje përfundoi edhe një person në Pishtinë. Gjatë ditës së djeshme ai u ndal për kontroll nga një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Zija Shemsiu’ dhe më pas i njëjti ka rezultuar se është në kërkim policor. 45-vjeçari ka pranuar se posedon një armë pa leje, e cila është sekuestruar, ndërsa vetë është shoqëruar në stacion policor. Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat