Braktisja e shkollave, arsimi i mesëm dhe i lartë më i prekuri

Aktuale

Braktisja e shkollave, arsimi i mesëm dhe i lartë më i prekuri

Më: 9 janar 2024 Në ora: 09:47
Foto ilustrim

Shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë gjatë vitit 2023 kanë mbyllur vitin shkollor me mungesë të numrit të nxënësve dhe migrim të mësimdhënësve. Numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën këtë vit ka shënuar rritje për afro 100 më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkaq, edhe më shqetësues konsiderohet fakti që mbi 1 mijë nxënës nuk e kanë vazhduar shkollën e mesme, për shkak të kushteve jo të mira ekonomike. Përveç kësaj, disa prej tyre në vend të shkollimit, zgjedhin që të punojnë qoftë në mënyrë të ligjshme ose jo.

Gjendja më mirë nuk qëndron as me mësimdhënësit, të cilët vazhdimisht përgatiten për të migruar në tregun e punës jashtë Kosovës. Vetëm në fillim të vitit 2024 janë mbi 300 kërkesa për pushime vjetore, dhe me këtë situatë mungesa e mësimdhënësve në shkolla do të jetë alarmante në vend.

Lidhur me braktisjen e fëmijëve në shkolla, koordinatorja për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Arsimit, Merita Jonuzi tregon se shifrat më të larta janë tek arsimi i mesëm i lartë, për shkak se nuk është arsim i obligueshëm.

Ajo tha për KP se braktisja e shkollimit paraqitet te klasat e 10-ta dhe të 12-ta dhe kjo është shqetësuese.

Jonuzi: Braktisja e nxënësve në arsimin e mesëm të lartë është shqetësuese

“Ligji garanton të drejtën për arsim për të gjithë dhe institucionet duhet të kenë vëmendje të reagojnë karshi tendencës së dikujt për të braktisur shkollën, me qëllim që të realizojnë të drejtën e arsimit për të gjithë pa dallim, gjinie, etnie, apo rrethana tjetër... Falë përkushtimit të ekipeve, se unë e thashë se disa funksionojnë shumë mirë, disa më dobët. Tash dikush ka raste, dikush nuk ka raste e të tjera. Nuk mund të paragjykojmë. Rastet e braktisjes kanë rënë ndër vite. Është ulur shifra e braktisjes. Nëse viteve më parë ishte mbi 1% ose mbi 3% braktisje në arsim të obligueshëm, tani e kemi me 0.05, e kemi pas të viteve më para 0.04% dhe së fundi e kemi 0.09% ose me këtë në shifër i bie 191 nxënës braktisën arsimin e obliguar. Ndërkaq tek arsimi i mesëm i lartë është shifra më e lartë. Janë mbi 1000 nxënës, klasa 10 deri 12, nuk është arsim i obligueshëm, andaj aty edhe nëse e lëshon dikush shkollën, është çështje individuale edhe familjare, nëse dikush ka dëshirë t’i shkollojë fëmijët e tij... Fëmijët e shkollave, meqë e kemi me të madhe te shkollat e mesme, faktorët janë ekonomikë, familjarë, angazhimi i fëmijëve në punë, mosha të reja angazhohen në punë të ndryshme dhe instanca të tjera të komunës. Duhet të sigurohet mirëqenia sociale nëse ato punë janë të ligjshme ose jo, a janë të rrezikshme ose jo”, tha Bajraktari.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari thotë për KosovaPress se mësimdhënësit janë të zhgënjyer me Ligjin e ri të pagave. Ai thotë se një numër i madh i mësimdhënësve kanë bërë kërkesë për pushime njëvjeçare pa pagesë, sipas tij ky është një mesazh se ata po kërkojnë punë në tregun jashtë Kosovës.

Jashari: Mësimdhënësit po kërkojnë punë në tregun evropian, gjendja është alarmante

“Mësimdhënësit po ndihen keq kur po del testi PISA dhe testet tjera, se po e shohin se nuk renditemi aty ku duhet. Por, është edhe zhgënjimi i krijuar për shkak të ligjit të pagave, sepse ata kanë pritur ngritje më të dukshme të pagave, të cilat nuk kanë ndodhur me vendimin e fundit. Gjersa dikur ne ishim të stresuar dhe merrnim lajme për rënien e numrit të nxënësve të cilët iknin me familjet e tyre nga Kosova, tash ky janari neve po na shqetëson shumë. Kemi momentet e para të cilat informimet tona flasin se shumë kolegë, diku 300, i janë drejtuar Drejtorisë Komunale për Arsim (DKA), sepse janë punëdhënës të mësimdhënësve tanë, me kërkesat për pushim një vit pa pagesë. Por unë jam i sigurt se ata nuk thonë arsye, por thonë diçka tjetër me dëshirën që DKA-ja t’ua aprovojë kërkesën për një vit pushim. Kam frikë se do të provojnë sidomos pas heqjes së vizave, të shkojnë në perëndim dhe të provojnë fatin e tyre nëse mund të gjejnë punë atje. Po ndodhi kjo, e kam frikën se këta kolegë që kemi në sistem, duke komunikuar me ata jashtë, do të marrin trimërinë dhe do t’iu bashkëngjiten jashtë, që nënkupton se do të ndihet një mungesë e theksuar në kuadrin arsimor në Kosovë dhe alarmin duhet ta ketë edhe Qeveria Kurti”, tha Jashari.

Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë pwr KosovaPress se numri i rasteve të nxënësve që braktisin shkollën është në rritje, teksa komenton edhe kërkesat e mësimdhënësve për pushime njëvjeçare. Ai thotë se duhet analizuar nëse këto kërkesa kanë qëllime për migrim të mësimdhënësve jashtë vendit ose jo.

Qehaja: Braktisja e shkollave dhe migrimi i mësimdhënësve, duhet analizuar arsyet

“Numri në rritje i rasteve të braktisjes është i njëjti trend sikur në vitet paraprake, pra nuk ka dallim të madh. Mirëpo, burimet e problemeve dhe burimet e braktisjes ngelin të njëjta dhe që janë të kufizuara në mos reagim të shpejtë dhe adekuat institucional dhe atë qoftë niveli i komunitetit të shkollës deri tek institucionet përgjegjëse për t’i identifikuar faktorët e braktisjes, në mënyrë që të ofrohet përkrahje për këta nxënës, familjen e tyre, qoftë në rritje të vetëdijesimit ose çfarëdo tjetër, në mënyrë që ky numër i rritur i braktisjes në shkollimin e mesëm të ulët dhe atë të lartë të reduktohet... Braktisja i ka burimet të tjera qe shpesh herë na janë dëshmuar për grupet e margjinalizuara, kryesisht individuale të lidhura me statusin socio-ekonomik të familjes, qoftë me martesa të hershme, me detyrim të punës së detyrueshme e që këto janë probleme shumë më të mëdha e që kërkojnë vëmendje më të madhe. Nuk vlerësoj që ka ndonjë dyndje të mësimdhënësve jashtë profesionit të mësimdhënies. Kërkesat për pushime vjetore janë të natyrshme, sepse si të tilla u takojnë ligjërisht mësimdhënësve. Tash kush është rrugëtimi i këtyre 300 kontratave që po supozojmë që janë të tilla në nivel të Kosovës, kjo është statistikë që duhet të gjenerohet tutje, nëse me të vërtetë këto kërkesa për pushim pa pagesë po merren për arsyeje të emigrimit jashtë, për arsyeje për kalimin nga një vend i punës në tjetrin apo me të vërtetë po rikthehen pas një viti pauze”, tha Qehaja.

Institucionet arsimore bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve duhet të kujdesen për pjesëmarrje dhe gjithë përfshirje në arsim cilësor, duke siguruar zhvillimin e fëmijëve brenda potencialit të plotë.

Po ashtu, Drejtoritë Komunale për Arsim (DKA) përgatisin dhe lidhin kontratat përkatëse për të gjithë mësimdhënësit e angazhuar në procesin edukativ arsimor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat