Procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës/ Prokurorja evidenton kontradikta në deklaratat e tij, dëshmitari thotë se ishte habitur

Aktuale

Procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës/ Prokurorja evidenton kontradikta në deklaratat e tij, dëshmitari thotë se ishte habitur

Më: 10 janar 2024 Në ora: 08:41 Përditësuar në ora: 12:09 më 10.01.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Prokurorja evidenton kontradikta në deklaratat e tij, dëshmitari thotë se ishte habitur kur tha se s’ka qenë në Kukës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, të mërkurën po e vazhdon dëshminë dëshmitari i 10-të i mbrojtjes, Safet Gashi, i cili tha se ishte habitur kur deklaroi në vitin 2019 se nuk ka qenë në Kukës.

Prokurorja Gaia Pergolo tha se ka evidentuar kontradikta në deklaratat e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Gashi. Kurse, ky i fundit fillimisht tha se dje nuk e kishte kuptuar pyetjen e avokatit.

Nuk e kam kuptu pyetjen e thash edhe para trupit gjykues, të parën ditë kur kam shku të marsit atë ditë nuk më kujtohet data saktë, unë në Kukës e kam marrë uniformën dhe kam shku për Kalimash apo Kolsh. Nuk ia kam kuptu zotri avokatit pyetjen mirë”, tha dëshmitari.

Ndërsa, prokurorja Pergolo i tha dëshmitarit se pyetja ishte shumë e qartë.

“Avokati iu ka pyetur a keni shku nga Kosova drejt në Gorozhup dhe ju keni thënë ‘po’, nuk e shoh se çfarë ka pasur të paqartë aty”, tha Pergolo.

Ndërsa, dëshmitari sërish insistoi duke thënë se ndoshta nuk e ka kuptuar pyetjen mirë.

“Nuk e kam kuptu pyetjen ndoshta mirë. Unë e them për të tretën herë këtë, unë kam shku në Kukës, e kam marrë uniformën dhe jemi largu larg Kukësit diku 30-40 kilometra diku afërsi larg Kukësit kjo”, tha Gashi.

Mirëpo, në një deklaratë që Gashi kishte dhënë për ZPS-në në vitin 2019, sipas prokurores Pergolo, ai kishte deklaruar se kurrë nuk ka qenë në Shqipëri.

“Në deklaratën që i keni dhënë ju ZPS-së, ju keni thënë që gjatë dislokimit me UÇK-në, nuk keni qenë kurrë në Kukës, nuk keni qenë kurrë në Shqipëri, a ju kujtohet që e keni thënë këtë në 2019”, tha Pergolo.

Ndërsa, dëshmitari tha se në Kukës ka qenë 1 apo 2 orë.

“Në Kukës nuk jam kanë, jo në Shqipëri. E pranoj. Të merremi vesh, në Kukës 1 orë apo 2 e kam cekë edhe dje që kam nejtë në Kukës më tepër asnjë”, tha Gashi duke bërë që të reagojë prokurorja Pergolo e cila i tha se nuk ishte ashtu.

Sipas prokurores, në vitin 2019, Gashi kishte deklaruar se ai nuk kishte hyrë kurrë në Shqipëri gjatë kohës sa ishte pjesë e UÇK-së.

“Dy kamtë e mija, nuk kanë hy kurrë në territorin e Shqipërisë, kurrë”, tha prokurorja Pergolo duke cituar atë që kishte thënë Gashi në intervistën për ZPS-në në vitin 2019.

“Zonja prokurore, jam habitë, kam thanë ashtu. E pranoj!”, tha dëshmitari Gashi.

Para së të fillojë dëshminë dëshmitari Gashi, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia dha një urdhër gojë që ka të bëjë lidhur me nxjerrjen e disa materialeve nga ZPS-ja për mbrojtjen.

“Lidhur me njoftimin shtesë të rregullës 102 të Prokurorisë që është parashtrimi i protokolluar… i datës 8 janar 2024. Duke pasur parasysh numrin e kufizuar të materialeve, do të veprojmë si në vijim me qëllim që mbrojtja t’i marrë ato materiale në mënyrë sa më të shpejtë nëse i kërkojnë. Mbrojtja duhet të informojë ZPS-në se cilat materiale nga këto të renditura në njoftim dëshiron që t’i ketë dhe përmes nxjerrjes apo konsultimit të materialeve dhe do të japë një njoftim sot me datën 10 janar deri në orën 13:00”, tha gjykatësja gjatë marrjes së këtij urdhri.

Ajo shtoi se ZPS-ja duhet të nxjerrë dhe t’i japë qasje në këto materiale të caktuara të kërkuara nga mbrojtja sot, deri më 11 janar 2024.

“Nëse mbrojtja kërkon nxjerrjen e këtyre materialeve sipas rregullës 103 që kërkojnë përcjelljen e këtyre materialeve me redaktime, ZPS të bëjë kërkesë para trupit gjykues të njëjtën ditë, pra të enjten, 11 janar 2024 deri në orën 13:00. Kështu që nëse ZPS-ja dëshiron të kundërshtojnë materialitetin e dëshmive të kërkuara nga mbrojtja, duhet ta paraqes këtë kundërshtim të trupi gjykues”, theksoi Veldt-Foglia.

Ndryshe, Safet Gashi ka filluar dëshminë e tij të martën (9 janar 2024), ku është marrë në pyetje fillimisht nga mbrojtja e Pjetër Shalës.

Gashi deklaroi se ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën ku janë zhvilluar luftimet në një vend të quajtur Gorozhup. Ai tha se nuk e ka njohur dhe s’e ka parë Pjetër Shalën gjatë kohës së luftës.

Gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

Pas pushimit dimëror, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, sot për të dytën ditë me radhë vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës. Gjatë javës janë paraparë të mbahen katër seanca në rastin Shala.

Në Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i 10 i mbrojtjes, Safet Gashi, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës. Dëshmitari, dje, ka thënë se nuk e di që UÇK-ja ka arrestuar apo ndaluar dikë. Ai tha se UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë.

Dëshmitari Safet Gashi do të vazhdojë dëshminë e tij edhe gjatë ditës së sotme, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përkatësisht në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Sipas aktakuzës, Pjetër Shala ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri. Aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021. Më 18 tetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të ndryshojë aktakuzën në mënyrë që të ofrojë nivelin e kërkuar të konkretitetit dhe të qartësisë lidhur me pjesëmarrjen personale të të akuzuarit në incidente. ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e korrigjuar më 1 nëntor 2021. Kjo ishte aktakuza në fuqi në këtë çështje.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, të përfaqësuesit të viktimave dhe të Mbrojtjes. Më 6 korrik 2023, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

Ndërsa në rastin gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, seancat do të fillojnë më 15 janar.

Gjatë muajit janar sipas kalendarit të Dhomave të Specializuar, do të jenë në tërësi 16 seanca gjyqësore, në dy rastet gjyqësore Hashim Thaçi dhe të tjerët’ dhe ‘Shala’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat