​“S’kemi besim më në fjalë të thata”, familjarët të zhgënjyer me zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Aktuale

​“S’kemi besim më në fjalë të thata”, familjarët të zhgënjyer me zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Më: 10 janar 2024 Në ora: 15:03
Bajram Qerkinaj

Mbi 1.600 varre të zbrazëta kanë mbetur që nga lufta e fundit në Kosovë. Nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre, ndërkohë që familjarët jetojnë me shpresën për zbardhjen e fatit e të më të dashurve të tyre. Vitin e kaluar është gërmuar në 15 lokacione të Kosovës, por jo edhe në Serbi. As në 2023-tën nuk është dërguar në Kuvend, Ligji për Personat e Pagjetur. Familjarët kritikojnë institucionet për mos përmbushjen e premtimeve. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shprehet optimiste se një gjë e tillë do të ndodhë gjatë vitit.

“Nuk kemi besim më në fjalë të thata”, thotë për KosovaPress Bajram Qerkinaj nga shoqata “Zëri i Prindërve”. Ai shprehet i zhgënjyer me institucionet dhe punën që është bërë vitin e kaluar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Qerkinaj: Nuk jemi të kënaqur se si po përmbyllet viti

“Viti që po kalon mjerisht ka stagnuar, atë që e kanë premtuar aspak nuk është punuar. Janë bërë disa nëngrupe, disa grupe bajagi të ekspertëve kanë bërë disa vlerësimeve të gërmimeve, të cilat ato që është dashur të bëhen nuk janë bërë dhe ne familjarët nuk jemi aspak të kënaqur plot që një vit e gjysmë. A thua pse po them kështu? Sepse grupi punues për shkak të Velko Odalloviq që është shpallur kriminel nuk është ka funksionuar. Mirëpo, brenda për brenda kur të ndalim të bisedojmë se çfarë kanë pritur dhe çfarë është bërë me plan-program që ne familjarët kemi pritur, sidomos të parashtrohet Instituti i Mjekësisë Ligjore ku thuhet që ka 300 mbetje mortore, gjithçka flitet, e asgjë nuk është bërë. Ne nuk jemi të kënaqur se si po përmbyllet një vit”, shprehet ai.

Teksa flet për premtimet e pushtetit aktual, ai thotë se të njëjtit janë zotuar se çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet.

Qerkinaj: Është folur shumë se do të bëhet një ligj për personat e pagjetur

“Është fol shumë se do të bëhet një ligj për personat e pagjetur. Merreni me mend, flitet qe pesë vjet për strategji, merreni me mend që flitet shumë për një ligj, as këtë nuk e kanë kryer. Çka pret familjari? Me ekzistencë të jetës janë ngushtë. Më së shumti jemi ngushtë të zbardhim fatin e personave të pagjetur. Edhe 1607 ende të pagjetur në Republikën e Kosovës. Nuk ka asnjë varrezë masive që nuk dihet, nuk ka asnjë kriminal i Serbisë që nuk dihet me emër dhe mbiemër ku i ka marrë edhe ku i ka dërguar”, tha ai.

Ligji për Personat e Pagjetur ka qenë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ndërkaq tashmë në kompetencë të Zyrës së Kryeministrit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë për KosovaPress, se ka pasur shumë diskutime e takime me familjarët e personave të zhdukur.

Haxhiu: Ky ligj duhet të miratohet gjatë këtij viti

“Konsideroj që i njëjti duhet të miratohet gjatë këtij viti. Tashmë do të vendoset edhe në agjendë legjislative kur është koha kur do të procedohet, por duke qenë që është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, nuk mund ta dimë me siguri, se cila do të jetë periudha kur do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sigurisht që është i rëndësishëm si ligj, por ndërlidhet edhe me dy ligje të tjera, të cilat janë në kuadër të Ministrisë së Financave, që kanë të bëjnë edhe me pensionet dhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me kompensimin financiar të familjeve. Prandaj, sapo të ketë një koordinim të mënyrës se si të procedohet tutje jam e bindur që do të procedohet në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Haxhiu.

Në 15 lokacione është gërmuar gjatë vitit të kaluar, thotë kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti. Ai tregon se ka pasur aktivitete të shumta të punimeve në terren, për shkak të informatave që kanë arritur të sigurojnë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Hoti: Mund të jenë 17 viktima që shpresojmë të identifikohen përmes ADN-së

“Gjatë vitit 2023, ne në 15 lokacione kemi qenë deri në fund të vitit, pa i përfshirë edhe disa lokacione që nuk kanë përfunduar. Ato do të vazhdojnë edhe tash në vitin 2024. Nuk mund të themi një numër të saktë të viktimave apo të personave të zhdukur që janë gjetur, për shkak se nuk kemi pranuar analizat e ADN-së nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Megjithatë, kur flasim me numra, duhet të jenë mbi 17 viktima apo persona të zhdukur që përmes gërmimeve, mbi 17 persona që shpresojmë të identifikohen përmes analizave të ADN-së. Këto 15 lokacione thuajse në tërë territorin e Kosovës, Gjakovë, Prizren, Kamenicë, Podujevë, Prishtinë, Skenderaj, Mitrovicë janë të gjitha këto komuna ku kemi pasur gërmime”, deklaron Hoti.

Në Kosovë është gërmuar në çdo katër kilometër katror, shton Hoti teksa shprehet se fokusi është në varrezat masive në Serbi.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur thekson se vitin e kaluar janë rikthyer edhe në Shtavall të Serbisë.

Hoti: Në Serbi është e vështirë të gërmohen, ndërkombëtarët duhet të bëjnë presion

“Në Serbi është goxha më e vështirë, as nuk shkon të bëhet më e lehtë, nuk them që duhet të ndodhë mrekulli, sepse mrekullia në këtë rast nuk na ndihmon, por ajo çka duhet të ndodhë në këtë rast, Kosova është e pafuqishme. Bashkësia ndërkombëtare, miqtë tanë ndërkombëtarë, duhet ta marrin më seriozisht çështjen e personave të zhdukur. Pavarësisht se si del në media dhe si thuhet në media dhe me këtë seriozisht, mendoj se duhet ta kushtëzojnë Serbinë dhe nuk ka formë tjetër, nuk ka formë të bisedimeve me Serbinë. Ne jemi në bisedime, vazhdojmë të bisedojmë, sepse fundja, ne vazhdojmë të kërkojmë çfarëdo cope të informatave që kemi”, shprehet ai.

Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për të zhdukurit, Andin Hoti flet edhe për deklaratën për personat e zhdukur në maj të vitit të kaluar.

Hoti: Ka pasur zvarritje të zbatimit të deklaratës së 2 majit

“Çfarë ka ndodhur prej 2 majit të vitit 2023 që është miratuar deklarata e personave të zhdukur, më 1 qershor kemi dërguar menjëherë një kërkesë në zbatim të deklaratës. Në korrik apo në gusht, i jemi drejtuar edhe (Josep) Borrelit në lidhje me këtë zbatim e deklaratës. Në korrik, në të njëjtën kohë, kam dërguar edhe komentet e grupit të përbashkët dhe është e vërtetë që prapë ka ndodhur një zvarritje. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar për të filluar punën, sepse nëse e sheh realisht puna ka mund të fillojë menjëherë në qershor. Ka pasur të formohet një grup i përbashkët, ka pasur të formohet të emërohen disa persona dhe të fillojë puna. Por, prapë ndodhën këta termat e referencës, disa çështje shumë teknike filluan të bëhen problem. Ne i kemi dërguar Lajçakut, ai e ka dërguar në Serbi dhe sipas Lajçakut, Serbia e ka ndryshuar, ka bërë kërkesa tjera, apo edhe komente të tjera të referencës”, përfundon ai.

Ani pse Serbia nuk jep informacione për varrezat masive, familjarët kërkojnë nga institucionet vendore zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Qerkinaj: Është turp të mos aprovohet ligji për personat e pagjetur

“Porosia e neve familjarëve është që në plan-program të vitit të ardhshëm t’i lënë fjalët, le ta qesin realitetin në letër dhe le të fillojnë të punojnë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, kur dihen varrezat masive, si këtu, si në Serbi, kjo është porosia numër një. Nën dy, mos të shkohet edhe një muaj pas Vitit të Ri dhe nuk aprovohet ligji për personat e pagjetur. Është e tepërt, është turp ta përmendim ose ta lënë krejt”, tha ai.

Kosova vazhdon t’i kërkojë edhe mbi 1.600 persona të zhdukur me forcë nga policia e ushtria gjenocidiale serbe gjatë luftës së fundit në vendin tonë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat