Kërcënimet e Dodikut vlerësohen si pjesë të projektit “bota serbe”

Aktuale

Kërcënimet e Dodikut vlerësohen si pjesë të projektit “bota serbe”

Më: 10 janar 2024 Në ora: 23:14
Milorad Dodik

Sllbodan Millosheviq, presidenti kroat Franjo Tuxhman dhe homologu boshnjak Alija Izetbegoviç, më 14 dhjetor 1995 hodhën nënshkrimin në marrëveshjen që i dha fund luftës në të cilën u vranë mbi 100 mijë njerëz.

Marrëveshja e Dejtonit solli paqen dhe po ashtu ndarjen e vendit në 51% në territor të Federatës së Bosnje Hercegovinës dhe 49% në Republikën Serbe.

Nënshkruesit u zotuan për të rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit dhe dokumentet e tjera të OSBE-së, si dhe respekt reciprok për sovranitetin dhe zgjidhjen e kontesteve në mënyrë paqësore.

28 vjet më vonë, president i entitetit serb të quajtur Republika Serbe po kërcënon me shkëputje ose shpallje të pavarësisë, nëse Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt e miraton një ligj për pronën.

Kërcënimet e pro rusit Milorad Dodik, emër që figuron në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas njohësve të zhvillimeve në rajon janë pjesë e planit të ashtuquajtur “bota serbe”.

“Me shpresën që nëse Rusia faktorizohet në një moment të volitshëm të ndodhë shkëputja edhe Bashkimi me Serbinë….Serbia përmes këtyre krizave në fakt po e amortizon presionin e bashkësisë ndërkombëtare për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, ose për të lëvizur drejt stabilitetit. Republika Srbska është një kreaturë e gjenocidit”, ka deklaruar profesori Milazim Krasniqi.

Profesori Krasniqi thotë se edhe zhvillimet në Banjskë kanë qenë inskenim për interesa të Vuçiqit, i cili mbetet faktor përcaktues në Serbi.

“Serbia e ka inskenuar Banjskën dhe me të i ka fituar zgjedhjet Vuçiqi, në zgjedhjet të cilat i ka vjedhur haptaz, e tash po e inskenon krizën në Bosnje Hercegovinë për të amortizuar presionin ndërkombëtar. Pra Serbia përdor edhe serbët e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Kërcënimet e njeriut të afërt me Putinin dhe Vuçiqin nuk kanë mbetur pa përgjigje.

Të hënën mbi qiellin boshnjak kanë fluturuar dy avionë amerikanë F-16, si simbolikë garancie për pavarësinë dhe integritetin territorial të Bosnjës.

Në komunikatën e ambasadës amerikane në Sarajevë thuhet se Kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës nuk përmban të drejtën e shkëputjes dhe do të veprojnë nëse dikush përpiqet të ndryshojë këtë element themelor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat