Rexhaj: Kosova për herë të parë blen armatim të mbrojtjes antitank

Aktuale

Rexhaj: Kosova për herë të parë blen armatim të mbrojtjes antitank

Më: 11 janar 2024 Në ora: 23:14
Arbër Rexhaj

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbër Rexhaj, ka theksuar se për herë të parë në Kosovë bëhet blerja e armatimit të mbrojtjes tokësore.

Duke shprehur bindjen se ky hap është një përparim në sigurinë kombëtare, Rexhaj i ka dhënë notën 10-she kryeministrit Albin Kurti për rritjen e buxhetit për shkallën e mbrojtjes së shtetit.

“Për mua, Kurti e ka notën 10-she në aspektin e sigurisë kombëtare të rendit dhe sigurisë kombëtare, të shtimit dhe kapacitetit të sigurisë”, ka deklaruar Rexhaj.

Deputeti i LVV-së ka theksuar se kjo blerje përfshin armatim për mbrojtjen antitenk, dronë dhe pajisje të tjera me vlerë multimilionëshe nga aleatët strategjikë të Kosovës.

Ai ka rikonfirmuar se Kosova ka bërë një kërkesë për blerjen e raketave “Javelin”, duke e konsideruar këtë një hap shumë të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së vendit.

“Me mburrje të plotë si qytetar, jo si politikan e as si deputet, po e them se për herë të parë Kosova blen armatim të mbrojtjes tokësore, këtë rast edhe të mbrojtjes antitenk dhe pas dronëve, dhe blerjeve të shumta multimilionëshe nga vende të ndryshme të aleatit tonë strategjik, të cilët edhe na ndihmojnë, por meqenëse e kemi në qendër të vëmendjes mbrojtjen, besoj se është për të duartrokit pra kryeministri Kurti, sepse rritja e buxhetit për 130 apo 140 për qind, pra një buxhet multi-milionësh që tashmë i shkon drejtpërdrejt FSK-së, përbën një lajm të mirë që Kosova po armatoset për t’u mbrojtur vetë sepse përherë nën mëshirën e të huajve, ne nuk duhet të jemi, sepse realisht ne duhet t’i shtojmë të gjitha kapacitet tona mbrojtëse”, ka deklaruar Rexhaj.

Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Bëhet fjalë për 246 raketa të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.

Në një përgjigje dërguar REL-it, DASH-i ka thënë se më 11 janar Administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

Më herët, lidhur me këtë ka folur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për Dukagjinin, i cili e ka konfirmuar këtë kërkesë, duke theksuar se përveç sistemit raketor “Javelin”, parashihet të blihen edhe sisteme tjera të armatimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat