​Rritet fondi për partitë politike, Kurteshi-opozitës: Edhe po doni ta rrëzoni Qeverinë

Aktuale

​Rritet fondi për partitë politike, Kurteshi-opozitës: Edhe po doni ta rrëzoni Qeverinë

Më: 12 janar 2024 Në ora: 15:42
​Rritet fondi për partitë politike, Kurteshi-opozitës: Edhe po doni ta rrëzoni Qeverinë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e radhës mori vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024.

Shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së secilit deputet nga ky fond është në vlerën e përgjithshme 4 milionë e 800 mijë euro, me një rritje të shumës prej 600 mijë euro.

Nga kjo shumë, subjektit më të madh politik në vend, Vetëvendosjes iu kanë ndarë 2 milionë e 280 mijë euro, PDK-së 760 mijë euro, LDK-së 640 mijë euro, Listës Serbe 360 mijë euro dhe AAK 320 mijë.

Drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala theksoi se për 600 mijë euro është rritur Fondi për mbështetjen e partive politike për vitin 2024.

Buzhala: 4.8 milionë euro për partitë parlamentare, 600 mijë më shumë

Obligohemi me përgatitur një rekomandim për miratimin e vendimit për caktimin e lartësisë së mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e subjekteve politike. Fondi është për vitin kalendarik 2024, numri i subjekteve që përfaqësojnë në Kuvendin e Kosovës është 15, ndërsa shuma e mjeteve totale nga fondi është 4 milionë e 800 mijë euro, kjo shumë është rritur për 600 mijë euro. Andaj, i rekomandojmë KQZ-së që të marrë vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetje të subjekteve politike për vitin 2024”, theksoi ai.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Sami Hamiti theksoi se për herë të parë pas 12 vjetëve është pranuar kërkesa për rritje të fondit për 15 për qind.

Hamiti: 15 për qind është rritur fondi

Kërkesa që është bërë në qeveri për rritje të fondit është rritur për 15 për qind. Ka qenë 4 milionë e 200 mijë euro, tani është bërë 4 milionë e 800 mijë euro. Kjo për herë të parë pas 12 vjetëve”, theksoi ai.

Megjithatë ndaj Hamitit ka reaguar me ironi anëtari tjetër i KQZ-së nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Kurteshi: Rritet buxheti për subjektet politike dhe po dëshironi ta rrëzoni Qeverinë

Edhe po shikoni këtë qeveri ta largoni sa më shpejt, a? E rrëzoni, por nuk ju bie mirë”, theksoi ai.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi theksoi se me nëntë vota pro është miratuar Fondi për Mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2024 në vlerë 4.8 milionë euro.

Radoniqi: Me nëntë vota për, miratohet rekomandimi i Zyrës për fondin

Me nëntë vota për, miratohet rekomandimi i Zyrës për fondin. Ashtu që caktohet lartësia e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2024 sipas listës të dorëzuar nga Zyra”, theksoi Radoniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat