​Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës po krijojnë disbalancë në dialog

Aktuale

​Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës po krijojnë disbalancë në dialog

Më: 12 janar 2024 Në ora: 21:34
Foto nga takimi

Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi sot me raportuesen e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që ato janë të padrejta dhe si të tilla po krijojnë disbalancë në pozicionimin e palëve në procesin e dialogut.

Ajo tha se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura me Serbinë në procesin negociues të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në takim u diskutua për zhvillimet më të fundit në vend me fokus të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe punën e institucioneve vendore në rrugëtimin e integrimeve evropiane.

Osmani foli edhe për rëndësinë që BE-ja të lëvizë përpara në raport me Kosovën përmes dhënies së statusit të vendi kandidat.

Në takim u diskutua për faktin që 2024-ta do të jetë një vit elektoral në nivel të Bashkimit Evropian, me ç’rast u fol mbi implikimet potenciale të rezultateve të këtyre zgjedhjeve në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Ndryshe, BE vendosi vitin e kaluar masat ndëshkuese ndaj Qeverisë së Kosovës, për shkak të mos ndërmarrjes së masave për uljen e tensioneve në veri.

BE ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë, përveç atyre të fokusuara për diskutimin e krizës në veri në kuadër të dialogut.

Tensionet në veri nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë protestuan duke mos njohur kryetarët shqiptarë në komunat e tyre. BE dhe SHBA kanë kërkuar veprime nga Qeveria e Kosovës, që janë zgjedhjet e reja në katër komunat veriore dhe rikthimi i palëve në tryezën e dialogut.

Sipas BE-së për këto masa Qeveria është njoftuar më 28 qershor 2023 dhe se ato janë të revokueshme në varësi të zhvillimeve dhe vendimeve të kryeministrit Albin Kurti.

Ky i fundit masat e BE-së për Kosovën i ka quajtur të padrejta, duke thënë se "Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”.

Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të programit IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WIBF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat