Masakra e Reçakut, dëshmi e fuqishme që i dha kthesë përpjekjes për liri kundër gjenocidit të Millosheviqit

Aktuale

Masakra e Reçakut, dëshmi e fuqishme që i dha kthesë përpjekjes për liri kundër gjenocidit të Millosheviqit

Më: 15 janar 2024 Në ora: 07:27 Përditësuar në ora: 12:48 më 15.01.2024
Kryeministri Albin Kurti

​Masakra e Reçakut, Osmani: Faktet janë më të fuqishme se sa propaganda e vazhdueshme serbe

Faktet janë më të fuqishme se sa propaganda e vazhdueshme serbe, deklaroi presidentja Vjosa Osmani. Në 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, ajo shtoi se ka vetëm një të vërtetë dhe se më 15 janar është kryer krim kundër njerëzimit nga Serbia. Osmani theksoi se Reçaku ka nevojë për drejtësi dhe se kjo i jep kuptim paqes dhe lirisë. Në akademinë përkujtimore të kësaj masakre, drejtësi kërkoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit.

Ish-shefi i misionit të OSBE-s në Kosovë, William Walker edhe këtë përvjetor është rikthyer në fshatin Reçak.
Walker tha se çdo vit, më shumë njerëz janë të vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur në Reçak.

Walker: Më pyesin se çfarë përfaqëson Reçaku për ju

“Më pyesin sa herë që vij në Kosovë, sa herë që takoj shqiptarë në diasporë, sa herë jam i mirëpritur në skenë për të folur, gjithmonë më pyesin çfarë përfaqëson Reçaku për ju? Dhe unë kam disa përgjigje për këtë pyetje. Është e qartë se është versioni që është folur nga folësit paraprak për atë që ndodhi atë ditë,... bota u ndërgjegjësua se çfarë po ndodhte në Kosovë, cili ishte realiteti i shqiptarëve që jetonin në Kosovë nën qeverisjen e Beogradit, administratën e z. Millosheviq dhe natyrisht, që për mua është një pjesë e rëndësishme e asaj që Reçak përfaqëson për mua. Por sot kam një tjetër gjë për të cilën kam dashur të flas dhe kjo është ajo që përfaqëson Reçaku në aspektin e Republikës së Kosovës sot. Unë shikoj përreth audiencës dhe supozoj se shumica prej jush janë mbi të 30-tat, dhe ju mund të mbani mend se si ishte jeta në Kosovë para 1998, para 1999, dhe ja ku jeni sot duke jetuar në Kosovë që është jashtëzakonisht e ndryshme nga ajo që para vitit 1998 ishte, çfarë do të thotë të jesh shtetas shqiptar i Kosovës, çfarë do të thotë të jesh nën mbrojtjen e qeverisë në Beograd”, deklaroi Walker.

Tutje, Walker shtoi se Kosova është histori e demokraci e suksesshme.

Walker: Kosova ka demokracinë më të suksesshme në Evropë

“Nuk ka shumë vite që ky nuk ishte vendi ku mund të flisnim se sa mrekulli po shkojnë gjërat në Kosovë. Falë qeverisë që keni sot, falë qeverisë që keni pasur në të kaluarën, Kosova është një histori jashtëzakonisht, jashtëzakonisht e suksesshme. Tani, për mendimin tim, është demokracia më e suksesshme në Evropë, nëse jo në botë. Liria e fjalës, liria e shtypit, liria e fesë, cilëndo liri, të gjitha janë të pranishme sot në Kosovë. Unë kam kritika për ata që nuk e shohin këtë. Ky është një vend me gjallëri, i ri, dhe në vetëm pak vite që nga pavarësia e kanë kthyer atë në një demokraci të vërtetë funksionale që duhet të mirëpritet në çdo institucion në Evropë dhe në botë. Dhe për fat të keq, ne nuk kemi arritur ende në atë pikë, por po arrijmë. Pra, kjo është ajo që Reçaku do të thotë për mua, tranzicioni nga ajo që ishte këtu, si ishte jeta për shqiptarët që jetonin në Kosovë në atë kohë dhe çfarë do të thotë jeta për kosovarët që jetojnë sot në Kosovë. Nga të gjitha etnitë, nga të gjitha fetë, ky është një vend tërësisht demokratik dhe jam shumë krenar që kam një lidhje shumë, shumë të vogël me atë që është bërë. Unë vij këtë vit dhe më duhet t'ju them se ceremonia e sotme është shumë e ndryshme nga ajo që ka qenë në të kaluarën”, shtoi Walker.

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se faktet janë më të fuqishme se sa propaganda e vazhdueshme serbe. Në çerekshekullin e masakrës së Reçakut, ajo shtoi gjenocidi në këtë fshat është kujtesë e përhershme për brutalitetin ndaj fëmijëve, grave e burrave.

Osmani: Jemi këtu mbi të gjitha për të kërkuar drejtësi

“Jemi këtu mbi të gjitha për të kërkuar drejtësi. 15 janari i vitit 99 tronditi themelet e ndërgjegjes njerëzore kudo në botën demokratike. Sepse bota përjetoi një ndër masakrat më të tmerrshme që ka ndodhur në Evropë në fund të shekullit të 20. Kjo masakër ka dëshmitarë të gjallë të cilët përjetuan llahtarinë e asaj dite. Përveç banorëve të mbijetuar, dëshmitë e të cilëve janë thelbësore, jo vetëm për kujtesën tonë historike por edhe për zbardhjen e autorit të krimit, kjo masakër pati edhe një krye-dëshmitar i cili ndodhet me ne edhe në këtë përvjetor, ambasadorin William Walker. Ngjarje më të trishtueshme në jetën e tij, ambasadori Walker pa mëdyshje dhe bazuar në atë që pa në kodrën e Bebushit, e cilësoi si masakër dhe krim kundër njerëzimit”, deklaroi Osmani.

Më tej, presidentja e vendit theksoi se në këtë fshat të vogël të Reçakut por me histori të madhe, u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur. Osmani theksoi se familjet e të masakruarve vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre.

Osmani: Faktet janë më të fuqishme se sa propaganda e vazhdueshme serbe

“Faktet janë më të fuqishme se sa propaganda e vazhdueshme serbe. E vërteta është gjithnjë më e fuqishme se sa gënjeshtra. Ndaj për Reçakun ka vetëm një të vërtetë- ‘Më 1999, civilët janë vrarë mizorisht nga një regjim gjenocidial nga regjimi i Millosheviqit. Kjo e vërtetë ishte atëherë, kjo e vërtetë është edhe sot dhe do të mbetet përherë e tillë në analet e historisë, pavarësisht se sa tenton ta mohojë regjimi si i Millosheviqi, ai i Vuçiqit, i cili sot burgos e torturon edhe vet serbët të cilët e pranojnë këtë të vërtetë dhe vendosin lule mbi varret e fëmijëve të vrarë gjatë luftës. Prandaj, Reçaku ka nevojë për drejtësi, sepse drejtësia është garanci që krime makabre si kjo nuk do të përsëriten më asnjëherë. Vetëm drejtësia i jep kuptim paqes dhe lirisë”, u shpreh Osmani.

Edhe kryeministri Albin Kurti bëri thirrje për drejtësi, ku theksoi se në kronologjinë e historisë së kryerjes së masakrave, ajo e Reçakut është më e tmerrshmja.

Kurti: Vuçiq ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit

“Atë vit, në një datë sikur e sotmja më 15 janar, këtu në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore të Serbisë i vranë 45 civilë shqiptarë mes të cilëve më i riu ishte Halim Beqiri 14 vjeçar, kurse më i moshuari Avdyl Sejdiu 99 vjeçar. Moshat e tyre si mosha kufitare mes të vrarëve të kësaj masakre, tregojnë për viktimat dhe natyrën e këtij krimi të kryer gjatë luftës. 25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror nga ushtria te mjekësia ligjore dhe nga mediat te propaganda shtetërore për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut, për ta fshehur krimin dhe për t’i mbrojtur kryerësit dhe urdhërdhënësit. Dhe dihet se kush ishte atëherë ministër i informacionit në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Atëherë nga pozita e ministrit të informacionit, kurse sot nga ajo e presidentit të Serbisë, ky njeri e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit të kryer nga pushteti i Serbisë”, tha Kurti.

Kurti shtoi se kjo masakër ka lënë pas vetës edhe shumë dëshmitarë të cilët flasin për të gjithë të vërtetën nga e shtëna e parë e deri tek përpjekja për fshehjen dhe justifikimin e krimit.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se terrori i 15 janarit të vitit 1999 shërbeu si alarm për Millosheviqin.

Aliu: 15 janari i para 25 viteve ishte datë dhe ngjarje vendimtare

“15 janari i para 25 viteve ishte datë dhe ngjarje vendimtare për goditjen e fundit që i shkrehu Serbisë ëndrrat dhe ia preu apetitin e egër për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Reçaku ishte pika e kthesës që tmerrin dhe mizorinë e gjenocidit të aparatit shtetëror policor e ushtarak serb, i bëri të dështojnë me qëllimin e errët që kishin për popullsinë tonë civile. Në Kosovë, Serbia i ka kryer më shumë se 400 masakra ku secila nga to është më e tmerrshme e më e dhimbshme se sa tjetra. Por, shikuar nga mënyra, përmasa e forma se si është kryer masakra e Reçakut në mëngjesin e hershëm të para 25 viteve, ka shumëçka që këtë ngjarje e bën të trishtë e të dhimbshme deri në pa përshkrim”, deklaroi ai.

Tutje, shtoi se Reçaku është edhe krenari dhe dëshmi e cila nuk mund të mohohet e as harrohet.

Më 15 janar 1999, banorët u zgjuan me krismat e forcave serbe. 25 vjet më parë në Reçak, 45 civilë shqiptar u vranë mizorisht. Kjo masakër i cilësia si ndër më mizoret të luftës së fundit në Kosovë. 

Hovenier: Askush të mos e mohojë çfarë ka ndodhur në Reçak

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se askush nuk duhet harruar dhe mohuar çfarë ka ndodhur në Reçak.

Ai në një postim në X ka shkruar se gjithashtu askush nuk duhet të mohojë e as harrojë pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët dolën në mbrojtje të Kosovës.Hovenier ka shkuar se mban mend mirë ditën kur ka ndodhur Masakra e Reçakut.

“Sipas fjalëve të Dr. Martin Luther King: ‘Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo’.

Askush të mos harrojë apo mohojë atë që ndodhi në Reçak, apo pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës.

E mbaj mend mirë atë ditë”, ka shkruar ai.

Osmani: Masakra e Reçakut ndërgjegjësoi botën për këtë krim të tmerrshëm

Presidentja Vjosa Osmani, tha se masakra është e Reçakut është kujtesë. Ajo tha se kjo masakër ndërgjegjësoi botën për këtë krim të tmerrshëm. Osmani tha se masakra e Reçakut është kthesë e gjithë përpjekjes për liri kundër regjimit të Millosheviqit.

Sipas saj 15 janari i vitit 1999 i tronditi themelet e ndërgjegjes njerëzore kudo në botën demokratike. Bota përjetoi një ndër masakrat më të tmerrshme që ka ndodhur në Evropë në fund të shekullit XX.

“Në masakër ka dëshmitarë të gjallë që përjetuan llahtarinë e asaj dite. Përpos banorëve të mbijetuar, dëshmitë e të cilëve janë thelbësore për zbardhjen e autorëve të krimit, kjo masakër pati një kryedëshmitarë që ndodhet me ende edhe në këtë përvjetor. Ambasadori William Walker. Kjo dëshmi e fuqishme i dha kthesë gjithë përpjekjes tonë për liri kundër gjenocidit të Millosheviqit.

Thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Kërkimi i drejtësisë është detyrë e shenjë që kapërcen kufijtë, etnitë dhe përkatësitë etnike. Familjet e të masakruarve meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë”, tha Osmani.

Walker: Kosova, demokracia më e suksesshme në Evropë – Reçaku mori kuptim të ri për mua

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

Ai e quajti tregim suksesi atë të Kosovës që nga vitet e vështira 1998-1999 e deri më sot.

“Supozoj që shumë prej jush këtu jeni mbi moshën 35-vjeçare, hajde të themi mbi 30, dhe ju mund ta kujtoni si ka qenë jeta në Kosovë para viteve ’98-’99. Dhe ja ku jem sot duke jetuar në Kosovë që është pabesueshëm më ndryshe nga ai realiteti para viteve ’98-‘99”, ka thënë Walkeri në ceremoni.

Madje sipas tij Kosova është demokracia më funksionale në Evropë, dhe këtë kuptim e ka marrë për të kjo masakër 25 vjet pasi ka ngjarë, sepse ajo kishte shërbyer si pikë kthese për Kosovën.

“Sot falë qeverisë që e keni tani, falë qeverive që i keni pasur në të kaluarën, Kosova është një tregim i pabesueshëm suksesi. Sipas mendimit tim, është demokracia më e suksesshme në Evropë”.

“Liri e shprehjes, liri e shtypit, liri e feve. Për cilëndo liri të flisni, ato janë të pranishme sot në Kosovë”.

“Ky është një shtet i ri që në pak vite ka arritur të shndërrohet në një demokraci të vërtetë dhe funksionale”.

“Pra kjo është ajo se çfarë Reçaku do të thotë për mua – tranzicioni nga ajo që kishte ekzistuar këtu, nga ajo se si ishte jeta këtu për shqiptarët që jetonin në Kosovë atëkohë dhe se çfarë do të thotë jeta për shqiptarët e Kosovës sot”.

Walker në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut: Hera e parë që po vij me bastun, por dua të vij sa herë të më jepet rasti

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, ka ardhur në Reçak për të bërë homazhe në 25-vjetorin e masakrës që kishte ndodhur në këtë fshat.

“Kam ardhur t’u them tungjatjeta miqve të mi në Reçak, ku disa prej tyre i njoh që 25 vjet. Disa prej tyre janë ndarë nga jeta dhe siç mund ta shihni [ngreh lart bastunin] asaj rruge jam edhe une”, ka thënë Walker.

“Kjo është hera e parë që më është dashur të vij me bastun, por ende dua që të vij në Reçak sa herë të më jepet rasti”.

“Më vjen mirë që ende ka po aq interesim se çfarë ka ndodhur në Masakrën e Reçakut 25 vjet nga sot.

“Për mua është shumë emocionuese. Shpresoj të jetë kjo një përvojë emocionuese për të gjithë njerëzit që tani rrojnë dhe prosperojnë në Republikën e Kosovës e që është një tregim i bukur për të cilin njerëzit e këtij fshati u desh që fatkeqësisht të sakrifikojnë".

Konjufca në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut: Njëri ndër aktet më mizore të gjenocidit të Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut është shprehur se ky ishte njëri ndër aktet më mizore të gjenocidit të Serbisë.

Konjufca u shpreh se pas Reçakut e gjithë bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është vetëm gjuha e forcës.

Tutje, ai u shpreh se do të mblidhen çdo 15 janar, për t’i kujtuar, siç tha ai, martirët dhe dëshmorët e Reçakut.

“Jemi  mbledhur këtu pra në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ky ishte njëri ndër aktet më mizore të gjenocidit të Serbisë, e poashtu për botën demokratikë shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore e cila i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj, gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës”.

“Pas Reçakut e gjithë bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është vetëm gjuha e forcës, sepse përndryshe nuk do të ndalej lufta në Kosovë dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës. Gjithmonë do të mblidhemi këtu, çdo 15 janar, për t’i kujtuar edhe martirët e Reçakut, por të mos harrojmë edhe dëshmorët të cilët ranë në përpjekje për ta mbrojtur popullatën civile të Reçakut. Lavdi martirëve dhe lavdi dëshmorëve të Reçakut”, është shprehur ai.

Osmani: Kërkimi i drejtësisë për Masakrën e Reçakut, detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë etnikë dhe politikë

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë që kërkimi për drejtësi për Masakrën e Reçakut është detyrë e shenjtë që kapërcen etnitë dhe përkatësitë politike, njofton Klan Kosova.

Ajo deklaroi që vetëm drejtësia i jep kuptim paqes teksa ritheksoi këtë detyrim e kërkesë të shqiptarëve të Kosovës.

“Sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjesht një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë, dhe përkatësisë politike”, ka thënë Osmani në ceremoninë përkujtimore për viktimat e kësaj masakre në 25-vjetorin e kësaj ngjarjeje.

“Familjet e të masakruarve të Reçakut të cilët vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë”.

“Ata dhe shteti ynë janë në anën e së vërtetës e kjo e vërtetë është e përmbledhur më së miri në fjalitë e ambasadorit [William] Walker: Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit.  Në Reçak edhe njëherë sikurse edhe në çdo masakër kundër civilëve në vendin tonë është shpërfaqur qëllimi i regjimit të atëhershëm serb për të shfarosur popullin shqiptar në Kosovë”.

“Thirrja për drejtësi riafirmon besimin tonë për triumfin e së vërtetës ndaj mizorisë, përgjegjësisë kundrejt pandëshkueshmërisë dhe njerëzores kundër urrejtjes”.

Nis akademia përkujtimore për 25 vjetorin e masakrës së Reçakut

Ka nisur akademia përkujtimore për 25 vjetorin e masakrës së Reçakut.

Osmani në 25 vjetorin e Masakrës së Reçakut: Drejtësia i jep kuptim paqes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut ka theksuar rëndësinë e drejtësisë për t’i sjellë kuptim paqes dhe lirisë. Ajo ka përkujtuar masakrën brutale të shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe ka falënderuar ish-ambasadorin William Walker, i cili ishte zëri i viktimave

Në 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë nderime te varrezat e të rënëve në Masakrën e Reçaku, nga ku është shprehur se drejtësia i jep kuptim paqes e lirisë.

Ajo ka thënë se shqiptarët u masakruan duarthatë në mënyrë brutale nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke theksuar se ish-ambasadori William Walker ishte bërë zëri i viktimave të Kosovës.

“25 vjet pas luftës e pas Masakrës së Reçakut. Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim.

Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviqit. Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin William Walker që u bë zëri i viktimës kur në në një kohë s’kishim zë. Kur kishim nevojë për mbrojtjen e botës demokratike, Masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës”, ka thënë ajo.

Kurti në Reçak: Civilët u varrosën pas 4 javësh, kjo tregon që Serbia u përpoq ta deformonte të vërtetën

Kryeministri Kurti, bashkë me presidenten Osmani kanë shkuar për homazhe në Reçak, për të bërë homazhe në 25 vjetorin e masakrës së Reçakut. Bashkë me ta ishte edhe ambasadori William Walker.

Kurti para gazetarëve tha se civilët e vrarë nuk u varrosën deri pas katër javësh, pasi kishte luftime.Ai shtoi se ky është tregues që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën.

Kurti e falënderoi ambasadorin William Walker që e tregoi të vërtetën e Reçakut para gjithë botës.

“Më 15 janar, në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë, pat ndodhur ky krim makabër ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për kufomat.

I kemi edhe 11 ushtarë të UÇK’së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj po e theksoj edhe një herë rëndësinë e vërtetës nga mendja, sytë, veshët dhe goja e ambasadorit William Walker, të cilit i jemi përjetë falënderues e mirënjohës për shkak se në një moment vendimtar historik për popullin tonë e foli të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, tha ai. 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat