Arben Selmanaj dhe Gjon Kqira, dy dëshmitarët në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës

Aktuale

Arben Selmanaj dhe Gjon Kqira, dy dëshmitarët në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës

Më: 15 janar 2024 Në ora: 12:49
Enver Sekiraqa

Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar propozimet e prokurorit special Shpetim Peci dhe avokates Kosovare Kelmendi për dëgjimin e dëshmitarëve Arben Selmanaj dhe Gjon Kqira,  në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.

Fillimisht, mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kelmendi ka elaboruar kundërshtimin e saj të paraqitur me shkrim ndaj kërkesës së prokurorit Peci për dëgjimin e dëshmitarit Selmanaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokates Kelmendi, dëgjimi i Selmanajt pas 17 viteve nga ngjarja kritike konsiston në faktin se gjatë gjithë procedurës gjyqësore i njëjti asnjëherë të vetme nuk ka qenë i propozuar si dëshmitar nga pala akuzuese.

“Në këtë kontekst konsideroj se Arben Selmanaj nuk ka se çka të dëshmoj lidhur me vrasjen e tani të ndjerit Triumf Riza e aq më pak të dëshmoj lidhur me nxitjen e kryerësit Arben Berisha nga ana e të akuzuarit Enver Sekiraqa”, tha avokatja Kelmendi.

Kurse, lidhur me deklaratën e dhënë me shkrim nga Selmanaj në SHBA, ajo tha se është një deklaratë jokredibile, sepse duke mos e pasur mundësinë që ajo deklaratë të sfidohet nga mbrojtja, i njëjti mund të ketë deklaruar edhe të pa vërteta.

Sipas saj, sikur ky person të ishte dëshmitar me rëndësi për objektin e akuzës këtë do ta bënin tre prokurorët paraardhës të prokurorit aktual, duke propozuar që kjo kërkesë e prokurorisë të refuzohet si e pabazuar.

Një propozim i tillë, u aprovua nga trupi gjykues, ashtu që në seancën e radhës në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Arben Selmani.

Pas aprovimit të këtij propozimi, avokatja Kelmendi propozoi që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet edhe Gjon Kqira, i cili sipas saj ka qenë ndërmjetësues ndërmjet Selmanit dhe Sekiraqes.

Kurse, prokurori special Peci ka kundërshtuar propozimin e avokates Kelmendi me arsyetimin se kjo nuk është objekt i shqyrtimit dhe raportet ndërmjet Selmanaj dhe të akuzuarit Sekiraqa, nuk kanë ndonjë relevancë për këtë çështje.

Për më tepër nëse këto pretendime të mbrojtjes se dëshmitari Gjon Kqira ka qenë ndërmjetësues ose jo do të mund të vërtetohen nga dëgjimi i dëshmitarit Arben Selmanaj i cili do të tregojë nëse personi apo dëshmitari i pretenduar Gjon Kqira ka qenë ndërmjetësues ndërmjet tij dhe Enver Sekiraqes”, ka thënë prokurori Peci.

Edhe ky propozim, u aprovua nga trupi gjykues, duke obliguar avokaten Kelmendi të sigurojë adresën e dëshmitarit Kqira.

Në fund, avokatja Kelmendi ka kërkuar që të pajiset me deklaratën e Selmanajt të dhënë në SHBA në vitin 2008 në mënyrë që të respektohet edhe barazia e palëve e aq më tepër kur mbrojtja nuk ka pasur mundësi ta sfidoj këtë dëshmitar.

Kurse, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi, bëri të ditur se praninë e dëshmitarit Selmanaj dhe marrjen e dëshmisë së tij gjykata do ta sigurojë përmes Ministrisë së Drejtësisë respektivisht Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar për Çështje Penale dhe lidhur me këtë sigurim koha e cila kalon është diku 1 muaj e gjysmë deri 2.

Tutje, trupi gjykues ka refuzuar kërkesën e avokates Kelmendi për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarit Sekiraqa me atë të paraqitjes në stacionin policor.

Ndryshe, të mbyllura për publikun kanë qenë seancat e 2 majit, ajo e 15 majit, si dhe seanca e 6 korrikut 2023. Ndërsa, seanca e datës 11 korrik 2023 ishte i hapur për publikun pas tri seancave të mbyllura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat