Sulmi me granatë dore në veri nuk cilësohet incident ndëretnik

Aktuale

Sulmi me granatë dore në veri nuk cilësohet incident ndëretnik

Më: 16 janar 2024 Në ora: 23:26
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kjo kafene në qendër të Mitrovicës Veriore mbahet hapur deri në orët e vona, e ata që rrijnë e pijnë brenda shërbehen deri në mesnatë.

Ngjashëm ishte edhe të hënën mbrëma, pak para orës 12 në mesnatë, tre persona po dilnin nga kafeneja në në rrugën e “Kolashinit”.

Në momentin që kanë qenë duke e hapur derën e veturës për të hyrë brenda, dyshohet se u sulmuan nga një person i panjohur me granatë dore.

Shpërthimi nuk përfundoi me fatalitet.

Vetën njëri nga tre këta tre persona shpëtoi pa lëndime.

“Njëri është lënduar më rëndë ka mundësi që tashmë është dërguar në spitalin e Beogradit, ndërsa i dyti është lënduar lehtë dhe i treti nuk ka pasur lëndime të pësuara”, tha Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajon e veriut.

Elshani përjashton çfaërdo motivi etnik në sulmin me granatë dore.

“Konsiderojmë që pistat tona të hetimit shkojnë ka drejtimi i asaj që ndoshta kemi të bëjmë me qerim hesapesh ose kemi të bëjmë me borxhe ose diçka të tillë… Jo incident nuk është hiq, këtë sigurt e ki, as politik s’ka të bëjë me politikë, kështu që po e shohim a qërim hesapesh a borxhe a diçka e tillë”, tha Elshani.

Me rastin po merret Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Prokurori kujdestar i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me policinë rasti është duke u hetuar për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë“, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm“ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, tha Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Policia e Kosovës njofton se deri më tani nuk ka të arrestuar, por ka të intervistuar dhe po zhvillohen hetime për të dyshuar të mundshëm për sulmin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat