Maqedonci: Kosova përveç SHBA-së po diskuton edhe me shtete tjera për blerje të armatimit

Aktuale

Maqedonci: Kosova përveç SHBA-së po diskuton edhe me shtete tjera për blerje të armatimit

Më: 18 janar 2024 Në ora: 00:59
Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur për kërkesën e Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Ai po ashtu ka folur për raportet për rrezikun për luftë.

“Gjendja e rrezikshme për luftë është pikërisht për faktin se Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste dhe agresive në raport me Kosovën. Gjithë ky dislokim i forcave serbe në jug të Serbisë dhe përgjatë kufirit me Kosovën është vetëm një tejzgjatje ushtarake e politikës serbe dhe kjo e mban në tension situatën në Ballkan”, është shprehur Maqedonci.

Maqedonci tha se “kërcënimet nga Republika e Serbisë mund të jenë më të dukshme tani për faktin që kemi prezencë të ushtrisë së Kosovës në veri të vendit”.

“Kjo ka nxjerrë në sipërfaqe gjithë tendencat e grupeve që në njëfarë forme kanë vepruar për shumë vite ilegalisht në pjesën veriore. Kërcënimi dhe rreziku ka qenë gjithmonë aty. Shpërfaqja është bërë për shkak të ligjshmërisë që është duke u vënë atje”, tha ministri i Mbrojtjes.

Maqedonci ka folur edhe për armatimin.

“Asnjë sistem armatimi nuk blihet jashta plani që kemi. Shpejtimi i blerjes së fundit ka qenë për shkak të buxhetit që e kemi nga Qeveria e Kosovës, por edhe me buxhet shtesë, dhe kjo ka përshpejtuar blerjen. Ka edhe trajnim të përshpejtuar. Nuk po bëjmë asgjë jashtë planit që kemi për zhvillimin e Forcës së Kosovës. Jo të gjitha dihen për opinionin sepse çdo ushtri ka konidencialitetin”, tha Maqedonci.

Maqedonci ka thënë po ashtu se “Kosova bën blerje për armatim nga vendet e NATO-s, si Gjermania, Italia, Kroacia, Turqia”.

Jemi duke diskutuar edhe me shtete tjera përveç SHBA-së për blerje armatimi”, u shpreh Maqedonci.

“Edhe me SHBA-në kemi bërë blerje tjera edhe para publikimi të Javelin”, tha Maqedonci.

Për blerjen e raketave “Javelin”, që pritet të marrë dritën e gjelbër nga Kongresi amerikan, Maqedonci është shprehur optimist se së shpejti do të aprovohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat