“E refuzuam menjëherë” – Nushi: Edhe PSD-ja u ftua t’i bashkohet koalicionit AAK-Nisma

Aktuale

“E refuzuam menjëherë” – Nushi: Edhe PSD-ja u ftua t’i bashkohet koalicionit AAK-Nisma

Më: 19 janar 2024 Në ora: 06:52
Nol Nushi

Edhe Partia Socialdemokrate ishte e ftuar t’i bashkohej koalicionit më të ri parazgjedhor të dy partive të ish dy komandantëve, AAK dhe Nisma.

Sekretari Organizativ i PSD-së, Nol Nushi, shtoi se refuzimi për t’iu bashkangjitur këtij koalicioni, ishte i menjëhershëm.

Kjo pasi sipas tij, koalicioni AAK-NISMA më shumë u arrit për strategji që të futën brenda Kuvendit, sesa që është koalicion programor.

“Kemi qenë edhe ne që të bëhemi pjesë. Ka qenë një refuzim i menjëhershëm, ndonëse I kemi falënderuar që na vlerësuan, e donin edhe ne të jemi pjesë e atij grupi. E kemi refuzuar bashkimin me këtë koalicion, sepse e kemi parë që është koalicion strategjik, sesa politik e programor. Ftesa ishte që të bëhemi bashkë, ta bëjmë një koalicion parazgjedhor, si koalicionet klasike parazgjedhore. Ideja ka qenë që të bëhemi një bllok opozitar. Mirëpo ne nuk kemi pa që ky bllok po bëhet mbi tema të caktuara. Por, një tip koalicioni që të dy partitë shohin se si të përfitojnë nga elektorati, ta rrisin prezencën. Nuk kemi dashtë që PSD-ja të bashkohet në një organizim opozitar i cili syniimin kryesor e ka vetëm pjesëmarrjen në Kuvend, çështjen e numrave.”, tha Nushi.

Nushi tha se Kosova tani ka nevojë, përveç që ta ketë një pushteti të ri, do të ishte e nevojshme ta ketë edhe një opozitë të re parlamentare.

AAK-Nisma të mërkurën kanë zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor duke paralajmëruar zgjerimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat