​O’Brien: Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë aneksin e Ohrit

Aktuale

​O’Brien: Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë aneksin e Ohrit

Më: 22 janar 2024 Në ora: 15:00
James O’Brien

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë sot në Shkup që Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë plotësisht udhërrëfyesin që është arritur në Ohër në marsin e vitit të kaluar.

O’Brien theksoi se dy palët duhet të punojnë në dialog, teksa shtoi se e përkrahin këtë marrëveshje që është arritur në Ohër.

“Ne fuqishëm mbështesim udhërrëfyesin që ishte arritur në këtë shtet (Maqedonia e Veriut), në Ohër në marsin e vitit të kaluar, dhe besojmë që dy shtetet duhet të punojnë në implementimin përmes dialogut që të zbatojnë udhërrëfyesin plotësisht”, ka thënë O’Brien.

Ndërkohë, zyrtari amerikan i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.

“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.

Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.

“Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.

Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara, dhe ka përsëritur se BE-ja është e hapur për të ndihmuar.

“Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë, dhe vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin”, ka deklaruar Kopman në konferencë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat